Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar për vizitë zyrtare në Francë me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, me të cilin është takuar në Pallatin Presidencial “Elysee”.
E pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, ndër tjerash kryeministri Kurti tha se përfaqësuesit e këtij shteti nuk kanë ndërruar qëndrim sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, deklaroi kryeministri Kurti.
E lidhur me takimin mes Kurtit dhe Macronit dhe mesazhet që ka marr kryeministri i Kosovës, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Ftesa e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe vizita e këtij të fundit në Paris u shoqërua me një konferencë të përbashkët shtypi dhe me takimin midis dy liderëve të të dy vendeve. Ishte interesant se konferenca e shtypit ndodhi para takimit të tyre. Nga pikëpamja protokollare ato zhvillohen pas takimeve dhe bisedimeve midis palëve. Por kësaj radhe ndodhi ndryshe. Se çfarë zoti Macron ka dashur të arrijë me këtë lloj protokolli ndryshe, këtë mund ta ketë kuptuar vetëm zoti Kurti nga biseda me të. Megjithatë unë mendoj se asgjë nuk ndodh rastësisht në politikë e sidomos në diplomaci. Ishte joshje?! Ishte se dihej që rezultati i bisedimeve nuk e favorizonte një konferencë shtypi pas tyre? Nuk e di. Megjithatë ishte një përjashtim protokollar”, thotë Bytyçi.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/25/auto_veri1624645481.jpg)
Sipas tij, Albin Kurti e ka treguar të vërtetën për liberalizimin e vizave, e jo duke mashtruar qytetarët si parardhësit e tij.
“Se çfarë u tha në konferencën e shtypit, dihet tashmë. Por çfarë dy palët folën në takimin e Shën Elizesë, kjo kuptohet pak nga deklarimet e zotit Kurti të mëvonshme. Kryeministrat para Kurtit ishin mësuar që pas takimeve të tilla të dilnin në ekrane televizive e t'i mashtronin qytetarët me klishe të tilla "Kosovës do t'i liberalizohen vizat shumë shpejt"! Pra, ata bënin propagandë dhe nuk donin t'u thoshin qytetarëve të vërtetën. Zoti Kurti u tha të vërtetën. "Nuk do të ketë liberalizim vizash për Kosovën", tha ai. Të përballesh me të vërtetën është virtyt! Të bësh propagandë është mashtrim! Mashtrimi është ves, nuk është virtyt!”, shprehet Bytyçi.
Sipas profesor Bytyçit, Albin Kurti e ka refuzuar ofertën e Emmanuel Macronit, ofertë kjo e cila do t’i sillte Kosovës liberalizmin e vizave, në këmbim të pranimit të Asociacionit të Komunave serbe.
“Po a mund të shkojmë te deduksioni pse nuk liberalizohen vizat? Duket se kryeministri është i qetë edhe kur jep lajme të këqija për vendin e qytetarët e tij. Pse është i qetë? Sepse, sipas mendimit tim, liberalizimi i vizave është ofruar nga Macron si koncesion për lëshime që Kosova duhet të bëjë për Serbinë! Kryeministri ka pranuar "të keqen më të vogël", mos liberalizimin e vizave dhe ka refuzuar "kompromisin me Serbinë. Pra ka refuzuar Asociacionin dhe ekstra-territorialitetin serb në Kosovë. Prandaj Albin Kurti është e duhet të jetë i qetë. Me vetëdije ka bërë zgjedhjen e tij. E dhimbshme është edhe mos-realizimi i vizave. Por nëse vizat nuk liberalizohen për pak vite, territori i Kosovës, të cilin Serbia synon ta aneksojë mbetet gjithë jetën pjesë e Serbisë. Një kryeministër i përgjegjshëm sakrifikon pjesën për të tërën, sakrifikon një kohë të caktuar për ardhmërinë e sigurt të vendit të tij”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej, Bytyçi deklaron se Macron po kërkon që të ndihmojë Serbinë me ndarjen e Kosovës.
“Ndërkohë presidenti Macron sillet me arrogancë në këtë pikë me Kosovën. Thuhet se është në zgripin e humbjes së betejës elektorale me ekstremistët francezë të Frontit Nacional. Por ky nuk është problemi i Kosovës. Është problemi i tij. Megjithatë, unë mendoj se ai është edhe interpret i interesave të Serbisë në Bashkimin Evropian. Siç ka ndodhur historikisht midis vendit të tij dhe shtetit serb. Pra, kërkon që të ndihmojë Serbinë me ndarjen e Kosovës sot ose në perspektivë. Kjo është e duhet të jetë e papranueshme”.
Për fund, Bytyçi thotë se mos liberalizimi i vizave dhe qëndrimi i vendosur në mbrojtje të së drejtës dhe integritetit territorial e sovranitetit shtetëror nuk çojnë në izolim diplomatik.
“Përkundrazi shtojnë mundësinë e kontakteve diplomatike e politike. Këto dy javët e fundit po shohim një angazhim intensiv të veprimtarisë diplomatike të presidentes dhe kryeministrit. Shpresoj se këto kontakte do të intensifikohen. Por si kryeministri dhe presidentja bëjnë mirë të shoqërohen në takime edhe të nivelit të lartë nga vetë viktimat e luftës anti-serbe në Kosovë. Të ballafaqohen konkretisht me atë që quhet shkaku i pavarësisë së Kosovës. Pra, me dhunën e terrorin serb në Kosovë. Sepse nuk është faji i Macron që ka harruar se çka ndodhur në Kosovë para 22 vitesh, kur Baton Haxhiu në ekranet e TV-ve të Kosovës bën thirrje që shqiptarët "ta harrojnë të kaluarën, t'i harrojnë krimet serbe në Kosovë"!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.