Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon me provokimet e tij në drejtim të Kosovës dhe kryeministri të Kosovës, Albin Kurti. Së fundi, kreu i Serbisë ka bërë me dije se asnjëherë nuk do ta njohë shtetin e Kosovës.
Vuçiq këtë deklaratë e dha në pyetjen kur kreu i Qeverisë së Kosovës, e pyeti se kur do ta njohë shtetin e Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.
Sa ka gjasa që me provokimet dhe ‘kurthet’ e Vuçiqit të ndërkrehen dialogu mes dy vendeve, për këtë çështje për “Bota sot” ka folur anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili.
Njohësi i çështjeve politike, Nijazi Halili, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se ndërprerja e negociatave me Serbinë është fatale për vendin, andaj, analisti porosit që në rast se vije deri te një krizë duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar me të keqen.
“Ndërprerja e negociatave është fatale për procesin. Gjithë investimi humbet. Riaktivizimi i procesit negociues nga e para është shumë më vështirë se çdo lloj fillimi i ri. Gjithë përpjekjet duhen bërë që kjo të mos ndodhë. Pikërisht duke pasur parasysh këto gjëra, sugjerohet që, kur konstatohet se negociatat po futen në krizën e ndërprerjes së tyre, duhet ndërhyrë urgjentisht me veprim të menjëhershëm për të parandaluar shndërrimin e situatës nga tendenca përkeqësuese në një gjendje të parikthyeshme”, u shpreh ai.
E, sa i përket provokimeve të kreut serb, analisti Halili është i mendimit se i pari i Qeverisë së Kosovës është largpamës dhe assesi nuk bie pre e provokimeve.
“Kryeministri Albin Kurti, është largpamës dhe nuk bie pre e këtyre kurtheve. Nëse gjendja e krizës lejohet që të zgjatet dhe të thellohet pa ndërhyrje energjike të menjëhershme për ndryshimin e situatës, akoma më e ashpër bëhet situata dhe akoma më i vështirë bëhet restaurimi i gjendjes së zhbalancuar midis palëve. Ndërprerja e negociatave, si sjellje e shoqëruar me sinjale bëhet atëherë kur njëra palë ngritët nga tryeza njëanshmërisht dhe largohet me nervozizëm të dukshëm dhe sjellje jo të pëlqyeshme. Në këto rrethana kërkohet kujdes-kujdes-kujdes dhe të mendohet mirë se si duhet vijuar për restaurimin e situatës dhe vijimin e negociatave”, tha në fund, njohësi i çështjeve politike, Nijazi Halili, për gazetën “Bota sot”.