Kurti apo Thaçi? Zbulohen arsyet pse ish-presidenti dështoi në qeverisjen e Kosovës

Politika

Kurti apo Thaçi? Zbulohen arsyet pse ish-presidenti dështoi në qeverisjen e Kosovës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 qershor 2021 Në ora: 19:53
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, ilustrim nga "Bota sot".

Polemikat e vazhdueshme në mes të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit aktual të vendit, Albin Kurti kanë qenë temë diskutimi gjithmonë.

Raportet e tyre kanë qenë çdoherë të ftohta.

Ish-presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk ka lënë rast pa thumbuar keq Albin Kurtin, i cili aktualisht është kryeministër i vendit.

Kurti nuk është se ka ndryshuar ndonjë qëndrim ndaj Hashim Thaçit, për të cilin vlen ajo që ka thënë tash e 15 vite që “Thaçi është e keqja e këtij vendi”.

Mirëpo së fundmi ajo që ngriti debat ishte deklarata e kryetares së Alternativës, njëherësh shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pasur rol në proceset formuese të Kosovës.

Megjithatë, Kusari – Lila theksoi se ka dallime të mëdha mes Thaçit dhe Kurtit.

Gjithashtu ajo thotë se përgatitja e Thaçit ka munguar në proceset e diskutimit dhe komunikimit.

“Ka dallime te mëdha. Dallojnë në përgatitje, në performancë, në përvojë, dallojnë në komunikim. Me Kurtin jemi në të njëjtën gjeneratë. Në aspektin e diskutimit, kemi shumë më tepër ngjashmëri me Kurtin, sesa me Thaçin që vjen nga një përgatitje tjetër, e po ashtu edhe dallim gjeneratash”, ka thënë ajo.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehen se dallimet mes Thaçit dhe Kurtit janë të dukshme, pasi që Thaçi ka qenë më i luhatshëm në lidhje me Kosovën ndërsa Kurti ka qenë dhe mbetet i prerë për çdo vendim.

Mehazi: Thaçi për dallim nga Kurti, ka pasur idetë e gabuara për Kosovën

Në lidhje me këtë temë, profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Thaçi ka pasur rol në proceset formuese të Kosovës dhe këtë nuk e mohon askush, mirëpo që ekzistojnë dallimet mes tij dhe Kurtit.

Image
Sulejman Mehazi

Ai shton se roli i Hashim Thaçit si i dërguar i krahut të luftës në Rambuje ishte i pathyeshëm gjatë kërkesave të tij.

“Hashim Thaçin mund ta kritikojmë për politikën e tij deskruptive pas pavarësisë e gjer më sot, ama nuk mund t'ia mohojmë përpjekjet e sakrificat e tij për krijimin e shtetit të Kosovës, pikërisht Thaçi i ka lëvizur proceset e pavarësisë së Kosovës, plotësisht pajtohemi me kryetaren e Alternativës, apo shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarin-Lila, e cila tha: "se ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pasur rol në proceset formuese të Kosovës" Dihet se roli i Hashim Thaçit si i dërguar i krahut të luftës në Rambuje ishte i pathyeshëm gjatë kërkesave të tij”, tha profesori.

Tutje, ai thotë se Thaçi kritikohet për rrugën dhe idetë e tij të gabuara politike që nga çlirimi i Kosovës por që veprimet e tij ushtarake nuk mund t’ia mohojë askush.

Profesori thotë që kontributi i Kurtit gjithashtu është i çmuar pasi që ai qëndroi në burgun famëkeq serb duke vazhduar ai përmend edhe Adem Demaçin ku thekson që Thaçi në Rambuje politikisht mbronte UÇK-në e Kosovën, kurse Adem Demaçi e Albin Kurti mbronin luftën e UÇK-së në Kosovë.

“Ish-presidenti Thaçi kritikohet për rrugët e idetë e tij të gabuara politike pas çlirimit të Kosovës, mirëpo askush nuk ia mohon veprimet e tij ushtarake për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Në anën tjetër nuk duhet harruar edhe aktivitetin patriotik e politik të Albin Kurtit i cili u burgos ne Pozharevcë nga pushteti i Millosheviqit ku vetëm fati i jetëgjatësisë e shpëtoi Kurtin nga burgu famëkeq serb. Derisa Hashim Thaçi në Rambuje përfaqësonte politikisht UÇK-në, brenda Kosovës Albin Kurti ishte shtylla kryesore e rinisë së Kosovës, gjatë trazirave të mëdha, Adem Demaçi e Albin Kurti përfaqësonin UÇK-në luftarakisht. Pra, Thaçi në Rambuje politikisht mbronte UÇK-në e Kosovën, kurse Adem Demaçi e Albin Kurti mbronin luftën e UÇK-së në Kosovë”, potencoi ai.

Në fund, profesori thotë se dallimi i Thaçit dhe Kurtit është, se Thaçi me performancën e tij ushtarake e politike e krijoi Republikën e Kosovës, po nuk ishte i aftë ta ndërtonte, kurse performanca politike e Kurtit është për ta ndërtuar e forcuar Kosovën.

“Pastaj, Hashim Thaçi ishte shtylla kryesore e aktit të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurtit 2008, duam apo s'duam ta pranojmë, po një gjë dihet se Hashim Thaçi ka hyrë në historinë e krijimit të Republikës së Kosovës. Dallimi i ish-presidentit Hashim Thaçit dhe kryeministrit Albin Kurtit është, se, Hashim Thaçi me performancën e tij ushtarake e politike e krijoi Republikën e Kosovës, po nuk ishte i aftë ta ndërtonte, stagnoi e dështoi, kurse performanca politike e Albin Kurtit është për ta ndërtuar e forcuar Kosovën. Aftësia e Thaçit ishte formimi i shtetit dhe kaq, aftësia e Kurtit është ndërtimi, mbajtja dhe ruajtja e shtetit nga Serbia”, tha ndër të tjera Mehazi për “Bota sot”.

Ahmeti: Kurti i vendosur në qëndrime të tij, Thaçi i luhatshëm

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, foli për dallimet mes Kurtit dhe Thaçit, duke cekur që Thaçi ka qenë i luhatshëm në shumë vendime duke mos pasur qëndrim ndërsa Kurti edhe gjatë kohës kur ka qenë jashtë parlamentit ka parandaluar shumë këqija të ndodhin për Kosovën.

Image
Hidajet Ahmeti

“Mendoj se zoti Kurti ka qenë konsistent e parimor në proceset që ka kaluar Kosova, por edhe në këto që po kalon sot kur ky është në krye të qeverisë. Kurse zoti Thaçi ka qenë i luhatshëm dhe fluid, pasi nuk ka pasur qëndrim për shumë çështje të rëndësishme për Kosovën, por ju ka përshtatë rrethanave ndërkombëtare pa llogaritur pasojat. Zoti Kurti edhe sa ishte jashtë parlamentit, ka qenë aktiv në jetën publike përmes protestave e formave tjera duke parandaluar shumë të këqija që pretendoheshin me ju atribua shtetit të Kosovës”, tha analisti.

Ahmeti tutje shton se kontributi i Kurtit vazhdon të jetë i padiskutueshëm edhe tash që është në krye të qeverisë duke dhënë mesazhin e qartë, ndërsa analisti thotë se kontributi i Thaçit nuk mund të anashkalohet por ka bërë gabime që kanë sjellë pasoja për vendin tonë.

“Roli i Kurtit ka qene i padiskutueshëm dhe pazëvendësueshëm edhe më shumë kur u bë pjesë e jetës parlamentare. Kurse tash është në krye të qeverisë dhe puna dhe angazhimi i tij mund të japin një mesazh më të qartë për kontributin e tij, sot dhe në të ardhmen. Puna dhe kontributi i zoti Thaçi nuk mund të anashkalohen, por mendoj se gabimet e tij në disa procese e kanë dëmtuar substancën e shtetësisë, por pasojat e disa veprimeve të tij po vërehen në vazhdimësi dhe do të vërehen edhe në të ardhmen”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat