Qeveria e Albin Kurtit këtë të mërkurë bën 100 ditë që nga fillimi i punës në qeverisje.
Për këto 100 ditë qeverisje kryeministri Albin Kurti ka bërë punë dhe ka marrë vendime të ndryshme, por nga ana tjetër opozita ka pasur edhe kritika të shumta për punët e qeverisë.
Analisti Muhamet Kelmendi ka komentuar 100 ditëshin e qeverisë Kurti duke thënë se në çdo aspekt institucionet e Kosovës janë të njejta, që nuk kanë ndonjë përparim.
“Nuk kemi edhe çka të komentojmë apo të analizojmë për 100 ditët e Qeverisë Kurti. Në ekonomi është gjendja e njejtë. Vazhdon të kemi ekonomi konsumuese pa asnjë lloj prodhimi në vend. Në fushën sociale kemi gjithashtu gjendjen e njejtë. Pensionet janë të njejta. Kemi edhe shkurtime të pensioneve. Papunësia vazhdon të jetë e lartë. Masat punëtore në sektorin privat po shfrytëzohen ashpër e më ashpër. Kudo ka veprimtari informale dhe tipike skllavëruse. Arsimi, shëndetësia dhe fusha e kulturës jane në gjendje të njejtë. Mos edhe më keq. Nuk shihen masat shëruese. Vazhdon antikualiteti dhe kudo ka shkatërrime të arsimit. Shëndetësia është shumë keq. Ende nuk kemi asnjë vaksinë të siguruar nga Republika”, thotë Kelmendi.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/28/auto_auto_gggggggggggggggggggggggggggggggggggg15829588991624908138.jpg)
Ai përmend një ligj të cilin e ka kanë nxjerr ministria e drejtësisë e që sipas Kelmendit nuk shëron ndonjë gjë.
“Fusha juridike dhe e luftës kundër krimit e korrupsionit vazhdon e njejtë. Askush nuk u kapë dhe nuk kemi asnjë masë shëruese juridike. Është nxjerrë një Ligj për disiplinë që nuk shërohet te bash asgjë. Në fushën e jashtme vazhdon mosnjohja e shtetit të Kosovës. Kemi tërheqje të njohjeve. Puna jashtë është shume qesharake. Ajo po koncetrohet nga Kryeministri dhe ministrja e jashtme në "dhënien të mësimeve për shtete, histori e demokraci". Marri. Kemi një diplomaci tipike sikurse me qenë në gjumë dhe që nuk dinë se ku dhe çka të punojë. Ajo çfarë nuk po funksionon”, thotë tutje analisti.
Në fund Kelmendi deklaron se puna që ka bërë qeveria Kurti është largimi i disa njerëzve nëpër borde dhe vendosja disa të tjerëve pa kritere.
“Vazhdojë dështimet në çdo fushë dhe kurdoherë po nxirret si shkak e kaluara. Ajo po del pengesë edhe për këtë Qeveri. Po mbushen diskutimet në Kuvend me fjalime të deputetëve të VV-së në këtë drejtim dhe çdoherë kemi akuza të mëdha ndaj të kaluarës. E vetmja punë është largimi i disa njerëzve nëpër borde dhe vendosja disa të tjerëve pa kritere. Thjesht: të njerëzve të partisë. Nuk shihet ndonjë anë ku mund të veçohet për suksese. 100 ditëshi është sikurse një ditë. Asnjë sukses. Nuk ka fare aktivitet kualitativë në vend”, përfundon Muhamet Kelmendi "Bota sot".