Kosova peng i marrëveshjeve të kaluara, si të veprojë Kurti dhe kushtëzimi nga BE

Politika

Kosova peng i marrëveshjeve të kaluara, si të veprojë Kurti dhe kushtëzimi nga BE

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 qershor 2021 Në ora: 12:59
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar marrëveshjen e arritur në vitin 2013 mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiq për formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Për këtë marrëveshje, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë kundër duke e shprehur në mënyra të ndryshme, madje duke bërë edhe aksione për të kundërshtuar atë.

“6 pikat e para nga 15 sosh, të marrëveshjes Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013, afirmonin ‘Zajednicën’ e komunave me shumicë serbe. Sot, më 27 qershor 2021, u mbushën 8 vjet nga ratifikimi i saj në Kuvendin e Kosovës. Të nesërmen e ratifikimit, më 28 qershor 2013, Këshilli Evropian pat vendosur t’ia hap Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkim Evropian”, ka deklaruar në një komunikatë VV.

Nga 88 deputetët të cilët ishin prezent asokohe në Kuvend, 3 votuan kundër, 84 votuan pro asaj marrëveshje dhe 1 deputet abstenoi.

Tani për shkak të kësaj marrëveshje, Kosovës po i kërkohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do ta formojë.

Por, a po i bart Kosova pasojat e marrëveshjeve të dëmshme të nënshkruara nga delegacionet e mëhershme të Kosovës në Bruksel?

Analistët vlerësojnë se marrëveshjet e dëmshme duhet të hidhen poshtë por nga ana tjetër ka nga ata që thonë se Qeveria e Kurtit gjendet para aktit të kryer.

Mehazi: Argumentet kushtetuese të lirisë maksimale i japin të drejtë qeverisë që kërkesa e asociacioneve serbe të hidhet poshtë

Lidhur me këtë, profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se marrëveshjet të cilat janë në dëm të Kosovës duhet të hidhen poshtë, sidomos kjo e vitit 2013 për asociacionin e komunave serbe.

“Çdo marrëveshje në dëm të Kosovës duhet të hidhet poshtë, sidomos marrëveshja e Thaçit me Daçiqit më 2013 për asociacionet e komunave serbe në Kosovë. Nëse presidenti i ri i SHBA-ve, Joe Biden, propozoi një marrëveshje të re e ndryshe nga ish-presidenti Trump në lidhje me Ujmanin, pse dhe LVV dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mos respektonte e mohonte marrëveshjen tregtuese shumë të dëmshme të Thaçit dhe Daçiqit për asociacionet serbe në Kosovë”, ka thënë profesori.

Image
Sulejman Mehazi

 

Sipas tij, kur serbët në Kosovë kanë të drejta maksimale, pse duhet të krijojnë asociacione territoriale, politike e ekzekutive.

“Nëse kushtetuta e Republikës së Kosovës ju jep të drejta maksimale serbëve në Kosovë, të drejta që pakicat tjera nuk i kanë në çdo shtet të botës, atëherë pse t'u jepet serbëve asociacione territoriale, politike e ekzekutive?, dihet qëllimi i tyre, me anë të asociacioneve të qyteteve serbe të krijohet një mini Republikë serbe brenda Kosovës, kjo është e pa tolerueshme për shkak se politikisht e juridikisht serbët i kanë të gjitha të drejtat si pakicë në Kosovë. Argumentet kushtetuese të lirisë maksimale i japin të drejtë qeverisë së Kosovës që çdo kërkesë e asociacioneve serbe të hidhet poshtë”, është shprehur Mehazi.

Më tej, profesori ka vlerësuar se Serbia duhet të krijojë asociacione të qyteteve boshnjake në Sanxhak, Vojvodinë, asociacione rumune, bullgare, kroate e malaziase përpara se kërkojë asociacionet e qyteteve serbe në Kosovë.

Ai në fund thotë se Kurti duhet të mohojë marrëveshjen e asociacioneve në mes Thaçit e Daçiqit, duke shtuar se të gjithë përfshirë edhe fuqitë e mëdha SHBA e BE, e dinë se Kosova asnjë borxh politik e shtetëror s'u ka serbëve të Kosovës e Serbisë.

“Serbia para se të kërkonte asociacionet e qyteteve serbe në Kosovë, së pari le të krijojë asociacionet e qyteteve boshnjake në Sanxhak, asociacionet e qyteteve hungareze në Vojvodinë, asociacionet e qyteteve shqiptare në Luginë, asociacionet rumune, bullgare, kroate e malaziase brenda territorit të Serbisë, pastaj i jepet e drejta të kërkojë asociacionet serbe në Kosovë. Prandaj, kryeministri i Kosovës duhet mohuar marrëveshjen e asociacioneve serbe në mes Thaçit e Daçiqit, dhe bota e fuqive të mëdha SHBA e BE e dinë se Kosova asnjë borxh politik e shtetëror s'u ka serbëve të Kosovës e Serbisë, Kosova është fituar me gjak, me vrasje civilësh, me heronj e dëshmorë, e mbushur me varreza masive e gjenocide serbe. Serbet e Kosovës si pakicë kanë rekorde të drejtash në gjithë botën, kaq e asgjë më shumë”, ka deklaruar profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Krasniqi: BE mund ta kushtëzojë Kosovën me Asociacionin

Ndërsa, njohësi i çështje politike dhe avokati i shtetit, Islam Krasniqi për “Bota sot” ka thënë se qeveria Kurti është para aktit të kryer.

Ai, gabimet e qeverive të cilat po i vuan populli i ka përshtatur me fjalën e urtë “të vegjlit hanë molla, të mëdhenjve ju mpihen gishtat”.

“Tani qeveria Kurti është para një akti të kryer por duhet të presim së cili do të jetë fundi i epilogut, pasi që presioni nga SHBA-të dhe BE-ja është në rritje të cilët me çdo kusht insistojnë që të formohet asociacioni i komunave më shumicë serbe. Populli ka vuajtur gjithmonë vendimet e gabuara të qeverive të cilat asnjëherë nuk i kanë vlerësuar pasojat, siç thotë ajo fjala e urtë “të vegjlit hanë molla, të mëdhenjve ju pihen gishtat”, shembull e kemi demarkacionin me Malin e Zi, si pasojë e tij s'kemi liberalizim vizash, por demarkacioni ka përfunduar”, është shprehur Krasniqi.

Image
Islam Krasniqi

 

Ai shprehet pesimist duke thënë se BE do ta kushtëzojë Kosovën drejt shtëpisë së madhe me formimin e asociacionit, duke shtuar se Kosova asnjëherë t’i anulojë apo heq ato amandamente që i ka votuar vetë.

“BE -ja prapë do të na kushtëzojë në rrugëtimin tonë drejt shtëpisë së madhe me formimin e asociacionit, pasi që i kemi mësuar të tjerët që të japim shumë për të marrë pak. Mos të harrojmë të cekim se Kosova mund të ratifikojë mirëpo asnjëherë t’i anulojë apo heq ato amandamente që i ka votuar vetë dhe se bashkësia ndërkombëtare po bën presion dhe pastaj e arsyeton veten duke ju thënë së vetë e keni votuar, respektonte Kushtetutën tuaj”, ka përfundar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat