Analistët për bisedimet Kosovë – Serbi: Ja kush mund ta bind Vuçiqin për njohje – paralajmërojnë futjen e Rusisë në këtë proces

Politika

Analistët për bisedimet Kosovë – Serbi: Ja kush mund ta bind Vuçiqin për njohje – paralajmërojnë futjen e Rusisë në këtë proces

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 qershor 2021 Në ora: 08:05
Foto gjatë takimit të kryeministri Kurti në Bruksel

Takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka qenë aspak i lehtë. Qëllimi kryesor për palën e Kosovës është që të gjendet një model, në bazë të cilit Serbia ta njihte Kosovën.

Mirëpo, pas takimit të fundit dhe deklarimeve të dhëna nga liderët e të dyja vendeve, gjetja e një zgjidhje përfundimtare; e që është njohja e Kosovës, duket se do të jetë tejet vështirë që të sigurohet.

Kreu i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ditë më parë ka thënë se përgjigjja e tij për çështjen e njohjes së Kosovës nuk do të ndryshojë asnjëherë.

Këto deklarata Vuçiq i bëri pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh për gazetën e njohur franceze “Le Monde” se lideri i serbëve duhet ta pranojë realitetin, shkruan “Bota sot”.

“Gjithçka mund të ndryshojë, por përgjigja ime për njohjen e Kosovës nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha Vuçiq.

“Koha mund të ndryshojë, forca e ushtrisë ose rritja ekonomike mund të ndryshojë, por përgjigjja nuk ka ndryshuar dhe nuk po ndryshon”, deklaroi i parti i shtetit serb.

Njohësit e çështjeve politike në vend janë të mendimit se vetëm presioni Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të bëjë që të ndryshojë qasja e Serbisë ndaj Kosovën.

Sipas tyre, SHBA-të janë çelësi i çdo procesi e çdo zgjidhje në planet. Por, ata gjithashtu kanë paralajmëruar se në këtë proces mund të inkuadrohet edhe Rusia, kur dihet ndikimi i madh i këtyre të fundit që kanë në Serbi.

Krasniqi: SHBA-ja është çelësi i çdo procesi

Analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë precize, pasi Serbia në vazhdimësi është duke deklaruar se nuk do ta njohë asnjëherë Kosovën.

Image
Islam Krasniqi

“E para e gjithë këtyre duhet ditur së për çfarë kemi dialoguar deri më tash. Duhet të jemi precizë në këtë proces, nëse Serbia thotë së s’do ta njohë kurrë Republikën e Kosovës. Çfarë kemi për të dialoguar, për çfarë kemi për të biseduar, e jo të shkojë në Bruksel se BE-ja po kërkon ashtu, duhet edhe BE-së të ju tregojnë së nëse s’ka njohje reciproke s’kemi as pse të bisedojmë”, ka thënë fillimisht analisti Islam Krasniqi.

Kurse, i pyetur se kush mund ta shtyjë këtë proces përpara, sipas Krasniqit çelësi i çdo procesi, çdo zgjidhje në planet janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse SHBA-ja kërkon nga Serbia që ta njohë Republikën e Kosovës ajo s’mund ta refuzojë kërkesën e tyre pasi që SHBA është çelësi i çdo procesi, çdo zgjidhje në planet”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Gjasat janë zero për momentin që të ketë njohje

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”, shprehet se edhe me presionin e SHBA-vë por edhe të BE-së, Serbia s’ka asnjë gjasë ta njohë Kosovën pa ndonjë përfitim të madh.

Image
Blerim Burjani

“Me presion te SHBA-së dhe BE-së, Serbia pa ndonjë përfitim të madh nuk ka gjasa të pranojë njohjen e Kosovës, po sikur Republika Serbe e Bosnjës i bashkohet Serbisë atëherë ndoshta është më lehtë Serbia ta njohë Kosovën pasi që fiton një territor më të madh”, ka thënë juristi Burjani.

Mes të tjerash, juristi i njohur në vend konsideron se në gjithë këto zhvillime, ka pak gjasa që të ndodhë njohja nga ana e Serbisë.

“Ndërsa, në Kosovë ata si Serbi në këtë situatë do të kërkonin autonomi për komunat serbe në Kosovë, ndërsa Lugina e Preshevës do të fitonte po ashtu në këtë ide autonomi, pra gjasat tjera janë zero për momentin”, ka shtuar njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bëjnë presion tek Serbia

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, ka deklaruar se të pritshme janë deklaratat nga të dyja palët, pasi tashmë kanë filluar negociatat mes të dyja vendeve.

Image
Faton Mehmeti

“Natyrisht se Aleksandër Vuçiq do të bëjë deklarata të tilla, kjo është ajo që pritet. Edhe kërkesa e Kurtit për njohje është e kuptueshme, prandaj palët janë në negociata sepse kanë qëndrime të ndryshme”, ka thënë analisti Mehmeti.

Tutje, Mehmeti paralajmëroi se në këtë mes mund të futet edhe Rusia.

“Vetëm presioni Amerika mund të ndryshojë qasjen e Serbisë për të njohur Kosovën, ndryshe nuk pres të ndodhi një gjë e tillë. Edhe Rusia mund të futet në këtë mes, duke ditur ndikimin e madh që ka tek Serbia. Vështirë të pritet njohja nga Serbia në kohë të shkurtër, por nëse ka presion të madh amerikan, Serbia s’do ketë rrugë tjetër pos njohjes”, tha me tej ai.

Krejt në fund, Mehmeti thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bëjnë presion të vazhdueshëm, në mënyrë që mes dy vendeve të ketë paqe.

“Kështu që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bëjnë presion tek Serbia që një herë e përgjithmonë të ketë paqe në Ballkan”, është shprehur në fund analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën e javës së kaluar e zhvilloi vizitën e tij të parë në Francë të mërkurën. Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën “Le Monde” në Paris, ku ka thënë se është vetëm një çështje diskutimi mes tij dhe Vuçiqit, ajo e njohjes reciproke.

Për gazetën franceze, e cila e quan Kurtin ish-aktivist të UÇK-së, kryeministri i Kosovës ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe të demokratizohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat