Dje serbët kanë festuar kremten e Vidovdanit që ndërlidhet me përvjetorin e 630-të të Betejës së Kosovës.
E, ish i dërguari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka uruar serbët për Vidodvanin.
“Sot nderojmë heronjtë Vidovdan. Në këtë ditë në 1389, filloi beteja kundër Osmanëve në Kosovë. Sot është një ditë përkujtimore për Shën Princin Lazar dhe dëshmorët e shenjtë serbët”, kishte shkruar Grenell në Twitter.
Por ky urim i tij ka nxitur reagime të shumta nga politika në Kosovë.
Analistë kanë thënë se me deklaratën e tij ai ka shfaqur panjohuri totale ballkanase.
Shahu: Kur humbësit me krenari festojnë humbjet, nuk ka arsye të zemërohen shqiptarët
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/30/auto_Rexhep-Shahu1625054672.jpg)
Analisti politik Rexhep Shahu, lidhur më këtë çështje ka thënë se Grenell si të gjithë serbët është i mashtruar nga rrenat serbe.
“Nuk e di pse e si, por si të gjithë serbët edhe Grenell është i mashtruar nga rrenat serbe, pasi ajo është luftë e ballkanasve dhe jo e serbëve”, është shprehur Shahu.
Ai thotë se për këtë ku humbësit me krenari festojnë humbjet, nuk ka arsye të zemërohen shqiptarët.
“Betejat e të pavërtetave ku humbësit me krenari festojnë humbjet, nuk ka arsye të zemërohen shqiptarët, edhe pse në këtë histeri bashkohet Grenell apo kushdo”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.
Kelmendi: Grenelli po del si "njohës" i historisë së Betejës së Kosovës
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se me këtë urim Grenell ka treguar se nuk ka fare njohuri për historinë e Ballkanit.
Sipas tij, Grenelli ra në përfundimin e mendimit shovinist ku shkenca serbe shoviniste ka kohë që e shtrembëron të vërtetën historike. Andaj Grenelli arriti që me këtë ta humbë karakterin e një politikani real.
“Me urimin e bërë z.Grenell ka treguar se nuk ka njohuri për historinë e Ballkanit dhe se kështu ka rrëshqitur në anën jo historisë reale të Betejës së Kosovës. Pse z. Grenell bëri kështu? Në kuadër të kësaj çështjeje nuk ka ndonjë arsye konkrete mohimi i historisë. Duhet thënë se Beteja e Kosovës është zhvilluar nga një koalicion i ushtrive ballkanike të asaj kohe. Nuk ka fakte se ky a ai popull ka luftuar dhe se tjetri jo. Në luftë mori pjesë ushtria shqiptare, ajo serbe, sikundër edhe shumë luftëtarë të minoriteteve të ndryshëm. Është gjë jo normale që luftëtarët shqiptarë të mohohen në luftë. Kjo është jo reale. Z.Grenell po e përzien historinë me të tashmen! Kjo nuk është e drejtë. E kaluara i takon popujve të Ballkanit. Shqiptarët jetonin në këtë kohë deri në Nish, në gjithë këtë hapësirë. Luftuan pandërprerë kundër ushtrisë otomane dhe shumë humbën në luftën e tillë. Shkenca shoviniste serbe ka kohë që shtrembëron të vërtetën historike për qëllime serbizuese. Kështu ka filluar dhe mbështetet në fakte abstrakte se gjoja Kosova na qenka serbe. "Në luftë ishte ushtri serbe dhe Lazari na qenka heroi i Kosovës "serbe". Shqiptarë nuk ka pasur këtu". Ky është përfundimi i mendimit shovinist, ku ra z. Grenell dhe arriti të humbi karakterin e një politikani real dhe pragmatik. Mbështetja të fakti se ishte një luftë e popujve të Ballkanit është reale. Koalicione në luftëra ka mjaft. Por kurrë nuk thuhet se si vend është i atij vendi a shteti që ushtritë e saj luftojnë. Kështu mund të thuhet për luftërat ballkanike, për LPB, për LDB, apo për Kosovën sot. I tërë koalicioni i NATO-s mori pjesë në çlirimin e Kosovës. Mirëpo ky vend është i popullit që jeton aty. Jo i NATO-s”, ka thënë Kelmendi.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/30/auto_auto_gggggggggggggggggggggggggggggggggggg15829588991625054672.jpg)
Tutje, profesori ka shpjeguar se luftërat kur ndodhin ato zhvillohen mes popujve që kanë interesa të caktuara, e për këtë urim të Grenellit faktet flasin ndryshe dhe tregon panjohuri totale.
“Është normale që luftërat zhvillohen nga shumë popuj që kanë interesa reciproke. Në luftën e Kosovës ranë heroikisht shumë shqiptarë. Ra edhe heroi i njohur shqiptar, ndonëse serbët e quajnë serb, heroi Kopiliqi, që vrau Sulltan Muratin në Obiliç. Nuk ka fakte se ky hero është serb. Po kështu nuk ka asnjë fakt që provon se shqiptarët nuk luftuan. Populli shqiptar ishte dhe mbeti një popull kryengritës. Ai dha me mijëra e mijëra veta në luftë kundër të huajve në Kosovë. Këtë fakt nuk e zbehin mendimet jo shkencore, sikundër ishte mendimi z. Grenell, sepse faktet flasin të kundërtën. Shqiptarët janë krenarë që luftuan në këtë betejën historike. Ndërsa, urimi shovenist i Grenellit për serbët e Car Lazarit, tregon panjohuritë totale të këtij avokati të pakualifikuar. Duket se në urim është tipik mendimi shovinist serb. Ndoshta edhe ata e shkruan këtë urim, ndërsa z. Grenell ra në këtë nivel pa përgjegjësi. Kosova tregon se ishte dhe është shqiptare. Është anomali të mendohet e kundërta shoviniste. Me këtë ndonjë shovinist serb të tregojë se në Kosovë kanë jetuar vetëm serbët. Shqiptarët ishin në male. Logjika shoviniste shkon edhe më tej. Shqiptarët u bënë një me osmanët dhe zbriten nga malet në Kosovën e pabanuar. Kjo formë e shtrimit të fakteve historike është tipike raciste dhe tepër antishqiptare”, deklaron ai.
Në fund Kelmendi i hamendësuar pyet, pse Grenell veproi ashtu?
Ai një gjë thotë se është faktike, që pavarësisht gjithë këtyre Kosova është shqiptare dhe se këtu dhe në këtë vend kanë jetuar të parët tanë, ilirët dhe këtu jetojnë edhe sot shqiptarët.
“Shqiptarët ishin jo vetëm në Kosovën e sotme, por shtriheshin në këtë kohë më tej, në tokat stërgjyshërore të rrethit të Pirotit, të Leskovcit, të Nishit, të Toplicës etj. Edhe sot atje gjenden toponimet shqiptare për malet, fshatrat e shumë vende tjera. Mos njohja e kësaj historie të shpije te mendimi që thjesht shtrohet:
Pse veproi kështu z.Grenell!? Fakte nuk ka historike për atë mendim të shprehur! Pse? Kjo mbetet që z. Grenell të tregojë. Ndoshta ka fakte tjera që nuk njihen në historiografinë e Ballkanit. Nëse ka fakte të tilla z. Grenell se vetëm serbët kanë luftuar është mirë të publikon. Kjo sepse kështu dalin faktet historike në dritë. Në të kundërtën duhet të kualifikohet ky urim në veprim politik me elemente shumë shoviniste dhe si të tillë duhet injoruar tërësisht. Për këtë flasin manastiret aktuale. Si patriarkana e Pejës dhe manastiri i Deçanit, ashtu edhe ai i Graçanicës etj., janë ndërtuar kur serbët ishin përtej Karpateve, në Rusi. Patriarkana e Pejës z.Grenell, ka filluar së ndërtuari në shekullin e parë të epokës sonë. Kishte në këtë kohë serb në Kosovë? Jo, z Grenell. Kosova pavarësisht kësaj është shqiptare. Këtu dhe në këtë vend kanë jetuar të parët tanë, ilirët dhe këtu jetojnë edhe sot shqiptarët. Kjo është faktike”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.