Qeveria e Kosovës ka paraqitur katër propozime në dialogun me Serbinë në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
E, për takimin e parë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, janë deklaruar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës që vjen nga Gjilani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se dialogu mes dy vendeve duhet të përfundohet.
Sipas tij, shtyrje e mëtejshme e këtij procesi është vetëm në favorin e Serbisë.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/30/auto_Imet_Rahmani1625062196.jpg)
“Besoj që të gjithë tashmë e dimë që ky proces duhet të mbyllet dhe të mos kontribuohet ruajtjes së gjendjes se tanishme të status qos. Shtyrja e procesit i konvenon vetëm Serbisë dhe kundërshtarëve të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Tutje, Rrahmani i ka bërë me dije ekzekutivit aktual se duhet ta shfrytezojë gatishmerinë SHBA-ve dhe BE-së në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
“Qeveria duhet të fokusohet në shfrytëzimin e gatishmërisë së SHBA-së dhe BE-së në arritjen e marrëveshjes përfundimtare që qon te njohja e ndërsjellët. Duhet të mos humbet kohë me improvizime dhe shfaqje të patriotizmit kokëfortë edhe aty ku nuk duhet”, ka thënë ish-ministri i shëndetësisë, Imet Rahmani, për gazetën “Bota sot”.
Kujtojmë se në fund të takimit mes Kurtit dhe Vuçiq, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura.
Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.
Intervistën me ish-ministrin Imet Rrahmani, mund ta lexoni sot në gazetën “Bota sot”, në versionin online.