Gjatë qëndrimit në Kosovë, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka deklaruar se ka biseduar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Rreth çështjes së dialogut, Von Cramon është shprehur optimiste.
Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, shpreson se në javët e ardhshme, muajt e ardhshme do të shohim një ngushtim të pozicioneve, afrim të pozicioneve origjinale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Presim nga të dyja palët që të ngritin pritjet e tyre shumë larg. Prandaj kjo është e vërtetë për anën e presidentit të Serbisë dhe njëjtë është edhe për kryeministrin e Kosovës. Shpresoj që në javët e ardhshme, muajt e ardhshme do të shohim një ngushtim të pozicioneve, afrim të pozicioneve origjinale, kjo bëhet përmes negociatave dhe nuk është e papritur për mua që të kemi pozicion maksimal në njërën anë dhe pozicion maksimal në anën tjetër”, ka thënë Von Cramon.
Por, këto deklarata të Von Cramon nuk po shihen serioze në Kosovë. Sipas ekspertëve, nuk pritet të ketë përafrime në dialog. Ata deklarojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në rastin e përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklarata e Cramon, Mehmeti: Nuk është e bazuar në realitet
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/30/auto_faton1625071786.jpg)
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e Cramon. Ai ka thënë se kjo deklaratë e raportues së BE-së për Kosovën, nuk është e bazuar në realitet.
“Optimizmi i zonjës Cramon është më tepër dëshirë e saj se deklaratë e bazuar mbi realitetin, duke parë situatën në terren nuk duket situata shumë optimiste”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Mehmeti i ka përmendur edhe përplasjet e Kosovës me Serbinë gjatë kohëve të fundit, duke thënë se kryeministri i Kosovës nuk ka lëshuar pe për çështjen e luftës.
“Tanimë më shumë se kurrë ka divergjenca mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilat i ka theksuar edhe vet Vuçiçi, derisa në anën tjetër Albin Kurti nuk ka lëshuar pe sa i përket premtimit të tij se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe të paguajë dëmet e luftës si dhe të tregojë fatin e të pagjeturve”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tej, Mehmeti ka theksuar se nuk ka përafrim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Këto vetëm sa kanë thelluar ndasitë, e të cilat nuk duket se në të ardhmen e afërt do të ndryshojnë. Andaj, nuk ka përafrim dhe optimizmin e zonjës Cramon nuk e shoh të bazuar në situatën në terren, përveç në dëshirën e saj që një gjë e tillë të ndodhi”, ka vlerësuar Mehmeti për “Bota sot”.
Bytyçi: Nuk ka marrëveshje pa ndërhyrjen e SHBA-ve
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/30/auto_850x636_auto_auto_auto_nese_do_te_kishte_Cmim_Nobel_per_sakrifice_per_liri_ai_do_tYi_takonte_Adem_Jasharit_dhe_familjes_se_tij15835817581583675950158383148716249524201625071765.jpg)
Kurse, opinionisti Adem Bytyçi për “Bota sot”, ka deklaruar se Cramon mund të ketë informata për përafrimin e negociatave Kosovë-Serbi.
Duke u bazuar në historinë e diplomacisë serbe, Bytyçi shprehet se është e vështirë të besohet se Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve .
“Viola Von Cramon, edhe mund të ketë informata të dorës së parë lidhur me përafrimin e negociatave Kosovë-Serbi. Për arritjen e një marrëveshje eventuale paqësore në mes të këtyre dy shteteve, por ata që e njohin historinë e diplomacinë serbe dhe mentalitetin e hegjemoniste të politikës serbe ndaj popujve fqinjë, si dhe ndaj popullatës shqiptare të Kosovës, e kanë vështirë për të besuar se Kosova dhe Serbia, do të mund të arrijnë një marrëveshje paqësore, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar i cili do t'ua diktonte një marrëveshjen kundër së cilës nuk do të ketë interes të deklarohet as njëra palë”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.
Krasniqi tregon kur mund të ketë përafrim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Ndërkaq, analisti politik, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, është shprehur se nuk beson se mund të ketë ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë në një kohë të afërt.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/30/auto_850x636_islam-krasniqi16191857841625071758.jpg)
Gjithashtu, ai ka argumentuar me fakte se pse nuk do të jetë marrëveshje në mes të palëve.
“Nuk besoj që do të ketë ndonjë marrëveshje ne një kohë të afërt, pasi që shteti serb deklarohet gjithmonë kundër njohjes së Republikës së Kosovës dhe kur s`ka njohje s'mund të ketë edhe marrëveshje”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.
Më tej, ai ka theksuar se mund të ketë ndonjë marrëveshje jo të rëndësishme.
“Mund të ketë ndonjë marrëveshje siç janë ato rreth 40 marrëveshjet e nënshkruar në Bruksel, ku për një pjesë të tyre as vetë ata që nënshkruan nuk dinë së çka kanë nënshkruar”, ka theksuar ai për “Bota sot”.
Në fund, Krasniqi ka treguar se në çfarë rasti mund të ketë përafrim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përafrime mund të ketë vetëm atëherë kur SHBA-të aktivizohen dhe venë pikën siç ishte takimi në Shtëpinë e Bardhë sepse edhe evropianët nuk janë të sinqertë me ne, e kur ndërmjetësuesit evropian nuk janë të sinqertë me ne, na vjen të kuptojmë së ky dialog s'mund të ketë një fryt të shendosh e që do të thotë se në javët dhe muajt e ardhshëm nuk do të ketë përafrim të pozicioneve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.