Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar padi ndaj Serbisë për gjenocidin e bërë gjatë kohës së luftës.
Por, pasi që Kosova nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një padi të tillë do të duhet të ngritët nga një vend tjetër i cili është pjesë e kësaj të fundit.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se një gjë të tillë mund ta bëjë Shqipëria.
Njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një deklaratë për “Bota sot”, ka thënë se padia e paralajmëruar nga Qeveria Kurti është e qëlluar.
“Në planin e Qeverisë Kurti është planifikuar paraqitja e padisë për gjenocid kundër shtetit serb. Parimisht është kjo një padi e qëlluar dhe e cila është dashur të paraqitet para shumë kohësh. Mirëpo as tash nuk është vonë. Dështimet e mëhershme duhet të tejkalohen dhe është shumë e qëlluar kjo padi”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, ai ka thënë se kjo padi është mirë që të bëhet nga ndonjë shtet i UE apo nga SHBA.
“Natyrisht se i takon Qeverise të shikon modalitetet e paraqitjes së padisë. Kjo për faktin se ajo mund të refuzohet pa u hapur fare procedura. Nëse juridikisht nuk bëhet nga Kosova ka modalitete tjera. Një modalitet është nëpërmjet Shqipërisë ose të ndonjë shteti tjetër që shprehet i gatshëm për padi. E mira është të bëhet nga ndonjë shtet i UE apo nga SHBA. E nëse kjo nuk shkon i takon Shqipërisë të bëjë padinë e tillë”, është shprehur ai për “Bota sot”.
Sipas tij, kjo padi që pritet të bëhet nga Kosova ndaj Serbisë i ka këto anë pozitive.
“Pavarësisht suksesit a mossuksesit padia ka shumë anë pozitive. Se pari, sepse vihet Serbia në pozitën e të paditurit për gjenocide, së dyti, sjellën prova dhe dëshmi për veprat e tilla të rënda penale dhe së treti, zhvillohet një luftë e suksesshme kundër shtetit faktikisht kriminal. E këtu kjo është më e rëndësishme”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”.