Flasin nga Gjykata Speciale: Ja kur do të fillojë gjykimi Thaҫi dhe të tjerët, ata do të gjykohen bashkërisht, por…

Politika

Flasin nga Gjykata Speciale: Ja kur do të fillojë gjykimi Thaҫi dhe të tjerët, ata do të gjykohen bashkërisht, por…

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 korrik 2021 Në ora: 11:58
Angela Griep nga Dhomat e Specializuara

Tashmë është bërë e ditur se gjykimi ndaj ish luftëtarit Salih Mustafa do të fillojë me 15 shtator. Mustafa ishte ndër të parët që është arrestuar nga Gjykata Speciale, ndërsa pas tij janë arrestuar edhe disa bashkëluftëtarë të tjerë. Përfshirë këtu edhe Hashim Thaҫin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Për këta të fundit, ende nuk është marrë ndonjë vendim, derisa nga gjykata thonë se janë në fazën e përgatitjes.

Griep: Dosja Thaҫi dhe të tjerët ndodhet në fazën e procedurës paraprake

Të kontaktuar nga gazeta “Bota sot” se kur do të fillojë gjykimi ndaj Thaҫit dhe të tjerëve, Angela Griep nga Dhomat e Specializuara thotë se ende nuk është marrë vendim se kur dosja e tyre do t’i kalojë trupit gjykues.

“Në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Thaçit dhe të tjerëve, gjykatësi i procedurës paraprake ende nuk ka marrë vendim se kur do t’ia kalojë dosjen e çështjes trupit gjykues. Aktualisht kjo çështje ndodhet në fazën e procedurës paraprake. Gjatë kësaj faze, gjykatësi i procedurës paraprake mund të mbajë seanca, sipas nevojës, për përgatitjen e procedurave dhe vendosë mbi kundërshtimet fillestare të ngritura nga i akuzuari (referuar si mocione paraprake)”, thonë nga Specialja.

Tutje thonë se ‘Prokurori i Specializuar duhet t’i tregojë Mbrojtjes provat që mbështesin aktakuzën dhe deklaratat e të gjithë dëshmitarëve që Prokurori i Specializuar ka ndërmend t’i thërrasë në gjykim, si dhe dokumentet dhe provat materiale të cilat synon t’i paraqesë në gjykim’.

“Gjithashtu, Mbrojtja duhet t’i tregojë Prokurorit të Specializuar listën e dëshmitarëve dhe çdo provë tjetër që ajo synon të përdorë. Ky quhet procesi i nxjerrjes së materialeve. Në seancat e fundit publike, Mbrojtja dhe Prokurori i Specializuar kanë diskutuar lidhur me atë se kur mund të përfundojë ky proces. I takon gjykatësit të procedurës paraprake të vendosë, bazuar në argumentet e palëve, se kur do të dorëzohet dosja paraprake”, thonë nga Gjykata Speciale.

Angela Griep ka thënë se pasi dosja t’i kalojë trupit gjykues, përfundon faza e procedurës paraprake dhe fillon faza e gjykimit.

“Pas përfundimit të përgatitjeve gjykatësi i procedurës paraprake ia kalon dosjen e çështjes trupit gjykues prej tre gjykatësish dhe një gjykatësi rezervë, të cilët caktohen nga Presidentja. Vetëm atëherë përfundon faza e procedurës paraprake dhe fillon faza e gjykimit. Data e kalimit të dosjes së çështjes trupit gjykues dhe data e fillimit të gjykimit nuk janë caktuar ende”, thekson ajo.

Image

Nga kjo gjykatë thonë se Thaҫi, Veseli, Krasniqi e Rexhepi do të gjykohen bashkërisht, ndërsa gjykatësit do të vlerësojnë fajësinë ose pafajësinë e secilit individualisht.

“Të katër të akuzuarit do të gjykohen bashkërisht, por gjykatësit do të vlerësojnë fajësinë ose pafajësinë e secilit të akuzuar individualisht për secilën akuzë në mënyrë që të ketë një vendim të veçantë për secilin nga personat e akuzuar”, thonë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, për “Bota sot”.

Burjani: Thaҫi dhe të tjerët ka mundësi që gjykimi të filloj kah nëntori

Image
Njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani

Njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani duke vlerësuar rrjedhjen e kësaj ngjarje, thotë se për Thaҫin dhe të tjerët ka mundësi që gjykimi të fillojë kah nëntori.

“Për të tjerët është e mundshme ka nëntori më realisht. Pra ka gjëra paraprake të zgjidhen, tash ka kohë të mjaftueshme për një fillim të një procesi që nuk i dihet fundit”, thotë Burjani.

Sipas tij, ky proces është i komplikuar dhe duhet përgatitje me shumë prova.

“Këto procese nuk janë të lehta, por mjaftë të komplikuara, pra kërkohet përgatitje e duhur me shumë prova që vështirë verifikohen”, thekson Burjani për “Bota sot”.

Ndryshe, Aktakuza kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat