Dy bashkëpunëtorë të kriminelit Sllobodan Millosheviq janë dënuar më burg.
Ish-shef i shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, janë dënuar të mërkurën nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë.
Kjo gjykatë i ka shqiptuar nga 12 vite burg, për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.
Gjatë leximit të vendimit, Gjyqtari kryesor, Burton Hall ka deklaruar se “Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq janë fajtorë për krime të luftës, krime kundër njerëzimit të vrasjes, persekutimit, transferimit me forcë dhe dëbimit”.
Por, jo të gjithë pajtohen me këtë vendim të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë, pasi që Stanishiq dhe Simatoviq kanë orkestruar krime të ndryshme gjatë luftërave në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Njohës të çështjeve juridike dhe politike kanë komentuar këtë vendim të Gjykatës duke thënë se drejtësia ndërkombëtare ka qenë selektive.
Krasniqi: Gjykata e Hagës asnjëherë s`ka ndarë drejtësi
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/02/auto_auto_auto_auto_islam1557734023156806697315805579241625246430.jpg)
Njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka hedhur kritika ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
Ai ka përmendur edhe rastin e misioneve ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë, si UNMIK-u e EULEX-i.
“Bashkësia Ndërkombëtare apo Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë asnjëherë s`ka ndarë drejtësi, gjithmonë është munduar t'i barazojë të akuzuarin me viktimën. Si fakt e kemi pasur UNMIK-n dhe EULEX-in, misionet ndërkombëtare në Kosovë të cilët mbi 80% të akterëve kryesorë të luftës çlirimtare i ka dënuar duke e ditur se qendra e kriminelëve është në Beograd, fakt tjetër kemi edhe shfajësimin e ish kriminelit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq për krimet dhe gjenocidin në sytë e Bashkësisë Ndërkombëtare të kryera në Bosnje, ku pas gjithë atij tmerri, shpallet i pafajshëm”, ka potencuar ai.
Më tej, Krasniqi ka komentuar nismën e qeverisë për ngritjen e padisë ndaj Serbisë për krimet e bëra në Kosovë, ku ka treguar se çfarë mund të ndodhë në këtë rast.
“Tani qeveria ka premtuar së do të padisë Serbinë, por duhet gjetur alternative së nga cili shtet mund të iniciohet kjo procedurë pasi që në hartimin e kësaj është bërë diskriminim ku në procedurën mund të paraqesin vetëm shtetet që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, e që Republikës së Kosovës mund të ja hedhë poshtë padinë dhe kërkesë padinë me arsyetimin së nuk jemi të anëtarësuar në OKB”, ka thënë Islam Krasniqi për “Bota sot”.
Ahmeti: Nuk kemi një përvojë të mirë me gjykatat ndërkombëtare
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/02/auto_auto_auto_auto_auto_hidajet14853281101526152544153944016215470638951625246434.jpg)
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kosova nuk ka përvojë të mirë me gjykatat ndërkombëtare.
Ai thekson se këto gjykata janë në bazë të interesave politike, kurse dënimi i Stanishiq-it dhe Simatoviq-it shpërfaqë funksionimin subjektiv te institucionit.
“Nuk kemi një përvojë të mirë me gjykatat ndërkombëtare, të cilat janë krijuar për qëllime të caktuara. Gjykatat ndërkombëtare kanë funksion në bazë të interesave politike, pasi nuk kanë vepruar në mënyrë objektive. Rasti i dënimit minimal për rastin në fjalë është për keqardhje dhe njëkohësisht shpërfaqë funksionimin subjektiv te institucionit”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ai ka folur edhe për paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës.
“Paralajmërimi i qeverisë së Kosovës për padi ndaj shtetit serb është një lajm i duhur, i cili është dashur të ndodhë shumë më herët, por prapë se prapë, më mirë i vonuar se sa i harruar”, është shprehur Ahmeti për Bota sot”.
Burjani: Asnjë vendim nuk i kompenson dëmet
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/02/auto_auto_Blerim_Burjani15941526651625246430.jpg)
Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot” se për krime lufte nuk është kurrë mjaftueshëm asnjë dënim që merret.
“Zakonisht vendimet e gjyqësisë nuk komentohet por ato publikohen, tash se a është i merituar një shqiptim i një dënimit të tillë është çështje tjetër, ndërsa aktet janë diçka tjetër, për krime lufte nuk është kurrë mjaftueshëm, asnjë dënim që nxirret, por kjo çështje tashmë u bë praktikë të komentohen, dihet se vrasjet, krimet e shumta të bëra në tre vendet e ndryshme janë shumë tragjike dhe të rënda”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Burjani ka deklaruar se asnjë vendim nuk i kompenson dëmet e luftës.
“Asnjë vendim nuk i kompenson dëmet, tash satisfaksioni më i madh do të ishte që Serbia të akuzohet për gjenocid në luftërat e bëra, gjë që nuk ka ndodhur dhe tash gjasat edhe më të vogla që Serbia të paguajë reparacionet ekonomik dhe të familjeve të viktimave të luftës”, ka përfunduar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.