Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nuk është i gatshëm të njoh Republikën e Kosovës.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Kamberi ka akuzuar Vuçiqin se po propagandon dialogun me Kosovën, për konsum të brendshëm.
Sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje të qëndrueshme mes të dyja vendeve, derisa Serbia të tregojë gatishmëri për njohjen e Kosovës.
“Realisht, nuk po shoh ndonjë gatishmëri të Presidentit Vuçiq që ta njoh Republikën e Kosovës. Ai po e përdor dialogun me Kosovën dhe propagandon kinse vullnetin e tij për kompromis më shumë për konsum të brendshëm dhe për ta ruajtur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Problemi është te pala e Serbisë. Përderisa Serbia nuk tregon gatishmëri për ta njohur pavarësinë e Kosovës si parakusht për kompromis me Kosovën, nuk besoj se mund të kemi marrëveshje për paqe të qëndrueshme”, ka deklaruar Kamberi.
I pyetur nëse vendi duhet të pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, në këmbim të njohjes, Kamberi ka thënë se Kosovës duhet të orientohet drejt ndërtimit të shtetit funksional.
“Nuk mund të flas në emër të Kosovës. Për Kosovën vendosin të zgjedhurit e saj. Por, mendoj se duhet të orientohemi drejt ndërtimit të shteteve funksionale. Shpesh përdoret me të drejtë shembulli i Bosnjës si referencë për disfunksionalitet shtetëror. Por nëse e shihni, Serbia mund të jetë më stabile, por nuk është funksionale në kuptimin e zhvillimit të saj demokratik dhe socio-ekonomik. Shtetet ku shkelen të drejtat e grupeve të margjinalizuara dhe ku ka centralizim socio-ekonomik, po dëshmohen se janë pa perspektivë afatgjatë”, ka theksuar deputeti Shaip Kamberi./Botasot