Kryeministri Albin Kurti nga Samiti i Prespës ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Ballkani Perëndimor ka nevojë për demokratizim, sundim të ligjit dhe për ballafaqim me të kaluarën. Shefi i qeverisë ka bërë me dije se sa më parë Serbia duhet të njohë Kosovën.
I pari i ekzekutivit, ka deklaruar para medieve se Serbia ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën, meqë e njëjta ka shkaktuar katër luftëra.
Por, ndryshe mendon presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdon të kundërshtojë zërat se shteti i tij do ta njohë përfundimisht Kosovën.
Se sa ka gjasa që të ndodhë njohja nga ana e Serbisë, për këtë çështje për “Bota sot” ka folur anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halili.
Halili është i mendimit se Aleksandar Vuçiq dhe shteti i tij fillimisht duhet të ballafaqohen me të kaluarën, pasi që, sipas tij, dihet botërisht se për të gjitha luftërat e fundit urdhërdhënia kishte ardhur nga Beogradi, dhe edhe sot vazhdon të mos ballafaqohet me të kaluarën.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/05/auto_auto_rdt15706203521625508308.jpg)
“Kryeministri Kurti është shprehur në Forumin e Prespës se demokratizimi është i nevojshëm për autokratët, sundimi i ligjit është i rëndësishëm për kriminelët, ndërkaq ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm kundër krimineleve të luftës dhe gjithashtu për paqen dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Në veçanti Serbia është ajo që ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën, për shkaqe të njohura. Sepse katër luftërat në Jugosllavi i ka shkaktuar Serbia, fatkeqësisht sot e asaj dite nuk ka një ballafaqim me atë çfarë ka ndodhur në Kroaci, Bosnje- Hercegovinë, Kosovë, e besa edhe në Slloveni. E që ka pasur urdhërdhënie nga Beogradi”, ka thënë Halili, për “Bota sot”.
Kurse, sa i përket njohjes, Halili shprehet se sa më parë që të ndodhë një gjë e tillë do të jetë në favorin e Kosovës.
Ai krejt në fund thekson se njohja e ndërsjellë është rruga e vetme.
“Sa me parë që të ndodhë, aq më mirë do të jetë edhe për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe për gjithë rajonin. Por, sa Serbia do ta njoh Kosovën, edhe Kosova do të njihte Serbinë. Edhe në këtë mënyrë edhe Bashkimi Evropian do të kishte më të madhe dëshirën që sa më shpejtë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përfshinte në gjirin e vet. Në forumin e këtij takimi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se projeksionet e Kosovës janë për rritje ekonomike brenda vitit për 7.9 për qind dhe se eksportet janë rritur për mbi 60 për qind krahasuar me pesë muaj e vitit të kaluar. Njohja është alternativa e vetme dhe rruga më e mirë për stabilizim dhe paqe në Ballkan”, është shprehur analisti Nijazi Halili.