Skandali me shitjen e tokave për 7 cent në Malishevë – kërkohet ngritja e aktakuzave ndaj “peshqve të mëdhenj”

Politika

Skandali me shitjen e tokave për 7 cent në Malishevë – kërkohet ngritja e aktakuzave ndaj “peshqve të mëdhenj”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 korrik 2021 Në ora: 09:05
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave për keqpërdorim me shit-blerje të tokës në zonën ekonomike të Malishevës.

Njihet si zona ekonomike e komunës së Malishevës. E brenda kësaj hapësire, janë 90 hektarë tokë.

Gjithë ky proces i privatizimit të tokës së shtetit dyshohet se nuk kaloi fare përmes Kuvendit Komunal të Malishevës.

Madje, disa prona ekonomike në Malishevë janë shitur për 7 cent te personi privat dhe është planifikuar të blihej nga shteti sërish 7.000% më shtrenjtë.

Për këtë arsye nisen hetimet nga Prokuroria Speciale, ndaj udhëheqësve të Komunës së Malishevës, ish ministrit të Tregtisë, dhe disa zyrtarëve komunal.

E më pas u ngrit aktakuzë ndaj ish ministrit të Tregtisë, Bajram Hasanit, kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetarit të tij, Hajdin Berishës, Bekim Krasniqi e Malë Krasniqi që janë zyrtarë të kadastrës në Malishevë, të cilëve po ashtu iu rëndojnë akuza e keqpërdorimit të detyrës dhe autoritet zyrtar. Nazmi Kafexhollit, që është drejtor në Ministrinë e Bujqësisë, po ashtu akuzohet për diçka të tillë.

Njohës të çështjeve juridike dhe politike, për gaztën “Bota sot” kanë ndarë mendimet e tyre lidhur me këtë skandal të shitjeve të pronave në Malishevë.

Ata e mirëpritën ngritjet e aktakuzave ndaj personave zyrtarë për keqpërdorim me shit-blerje të tokës në zonën ekonomike të Malishevës.

Burjani: PDK, AAK dhe Nisma prej vitesh kanë problem me ligjin

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar skandalin e shtijës së pronave për vetëm 7 cent.

Image
Blerim Burjani

Ai tha se nuk është çudi që në këtë skandal janë përfshirë zyrtarë të Nismës, AAK-së apo PDK-së, pasi këto parti kanë problem prej vitesh me rendin dhe ligjin.

“Zyrtarët e Nismës të përfshirë në këtë skandal nuk janë për çudi, aq sa nuk mund të duket e çuditshme që janë përfshirë zyrtarë të lartë të AAK-së. Ata që janë të përfshirë në skandale korruptive, këto parti së bashku me PDK-në, kanë problem prej vitesh me rendin dhe ligjin”, deklaroi Burjani.

Tutje, juristi shprehi shqetësimin se si askush deri më tash nuk ka marrë asnjë vendim meritor për këto vepra penale. Ai e potencoi faktin se këto mënyra të shtijës së tokave vepra duhet të konstatohen përmes hetimit dhe gjyqësisë.

“Përfitues të shumtë nga këto subjekte politike ka pas dhe ka edhe sot, e askush deri më tash nuk ka marrë asnjë vendim meritor për vepra penale, normal që këto vepra duhet të konstatohen përmes hetimit dhe gjyqësisë”, përfundoi Blerim Burjani.

Krasniqi: Prokuroria duhet t'i hetojë të gjitha sferat e privatizimit

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike dhe njëherësh avokati i shtetit, Islam Krasniqi tha se shitja e tokave shtetërore për një çmim kaq të lirë, nuk është diçka e re.

Image
Islam Krasniqi

Ai gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot”, theksoi faktin që këto shtije janë bërë nga njerëz të politikës sonë, e që prokuroria nuk ka guxuar as të iniciojë procedura ndaj tyre.

“Nuk është diçka e re në këtë drejtim, pasi që ka shumë prona që janë privatizuar me një çmim më pak se një euro, nga njerëz të politikës sonë, e që prokuroria nuk ka guxuar as të iniciojë procedura ndaj tyre, duke heshtur pasi që të gjithë e dinë se sistemi i drejtësisë i ka shërbyer gjithmonë politikës”, u shpreh Krasniqi.

Në vazhdim, ai beson se procedura ndaj aktakuzës për ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin dhe kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj, do të vazhdojë. Mirëpo, ai tha se ‘peshqit e mëdhenj’ nuk po hetohen.

“Unë e besoj se procedura ndaj dy të lartcekurve mund të zhvillohet, sepse atyre ju mungon fuqia politike, por peshqit e mëdhenj i lanë rehat duke mos ia prishur rahatin e tyre”, nënvizoi Krasniqi.

Krejt në fund, avokati i shtetit kërkoi që të hetohen të gjitha sferat e privatizimit duke ia kthyer pronat shtetit apo duke i vlerësuar me çmim real. Krasniqi deklaroi se çdo inicim i procedurave ndaj keqpërdorimeve nga klasa politike apo aktet tjera e forcon sistemin e drejtësisë.

“Prokuroria është dashur që t'i hetojë të gjitha sferat e privatizimit duke ia kthyer pronat shtetit apo duke i vlerësuar me çmim real, sepse nëse me tender një ari ka kushtuar 7 cent, e gjersa një laps 10 euro edhe fëmijët mund të kuptojnë së diçka nuk është në rregull, andaj çdo inicim i procedurave ndaj keqpërdorimeve nga klasa politike apo aktet tjera e forcon dhe kthen shpresën në sistemin e drejtësisë e cila është shtylla kryesore e shtetit”, përmbylli Islam Krasniqi.

Ahmeti: Politika të mos ndërhyjë në punën dhe profesionalizmin e zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë

Kurse, njohësi i çështje politike, Hidajet Ahmeti i vlerësoi lartë aktakuzat që Gjykata Themelore në Prishtinë ka ngritur ndaj disa zyrtarëve shtetërorë, të cilët dyshohen për keqpërdorime të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai konsideroi se vullneti politik ka pas ndikim të jashtëzakonshëm në kryerjen e mandatit kushtetues e ligjor të institucioneve të drejtësisë.

“Niveli i punës, detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve të drejtësisë është ngritur kohëve të fundit dhe një gjë e tillë është për tu vlerësuar. Mendoj se vullneti politik ka pas ndikim të jashtëzakonshëm në kryerjen e mandatit kushtetues e ligjor të institucioneve të drejtësisë dhe nëse ky mungon atëherë çdoherë krijohet bindja se institucionet e drejtësisë janë transformuar për t'i shërbyer politikës”, deklaroi Ahmeti.

Analisti tha se secili zyrtarë publik që e ka keqpërdorur autoritetin zyrtar duhet të jap përgjegjësi para ligjit.

“Gjykoj se çdo zyrtar publik i cili ka keqpërdorur autoritetin zyrtar duhet të jap përgjegjësi para ligjit dhe njëherë e përgjithmonë duhet të ndërtohet një logjikë e tillë e mirëfunksionimit të drejtësisë”, theksoi ai.

Në fund, Ahmeti kërkoi nga politika që të ndihmoj sistemin e drejtësisë përmes mekanizmave të saj ligjor, por të mos ndërhyjë në punën e institucioneve të drejtësisë.

“Politika përmes mekanizmave të saj ligjor e kushtetues duhet të ndihmoj sistemin e drejtësisë për të vendosë rendin dhe rregullin, por assesi të ndërhyjë në punën dhe profesionalizmin e zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë”, përfundoi Hidajet Ahmeti, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat