“Kjo është një goditje e rëndë për Serbinë dhe Vuçiqin”, plani i Kurtit i dobishëm për Kosovën

Politika

“Kjo është një goditje e rëndë për Serbinë dhe Vuçiqin”, plani i Kurtit i dobishëm për Kosovën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 korrik 2021 Në ora: 11:20
Albin Kurti, Aleksader Vuçiq, foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdon të insistojë se alternativa e vetme e dialogut me Serbinë është njohja e ndërsjellë, shkruan “Bota sot”.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, së fundi ka deklaruar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për demokratizim, sundim të ligjit dhe për ballafaqim me të kaluarën. Sipas tij, frustrimi që ekziston në Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut nuk do të duhej të instrumentalizohet nga Serbia. Gjersa, sa i përket dialogut, pas Forumit të Prespës, kryeministri Kurti ka deklaruar se sa më parë Serbia duhet të njohë Kosovën.

Pas takimit mes kryeministrave, Kurti ka deklaruar para medieve se Serbia ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën, dhe të bëmat e saj gjatë luftërave.

“Demokratizimi është i nevojshëm kundër autokratëve, sundimi i ligjit është i rëndësishëm kundër kriminelëve, ndërkaq ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm kundër kriminelëve të luftës dhe gjithashtu për paqen edhe pajtimin në Ballkanin perëndimor. Në veçanti është Serbia që ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën, për shkaqe të njohura. Sepse katër luftërat në Jugosllavi i ka shkaktuar ajo, fatkeqësisht sot e asaj dite nuk ka një ballafaqim me atë çfarë ka ndodhur në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, e besa edhe në Slloveni. E që e ka pasur urdhër-dhënien nga Beogradi”, ka deklaruar i pari i Qeverisë së Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike, insistimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e shohin si një formulë e dobishme për Kosovën, në anën tjetër shumë e papërshtatshme dhe inferiore për Aleksandër Vuçiqin, për shkak se sipas tyre ky “refren” politik i Albin Kurtit, “për njohje të ndërsjellë” ndërkombëtarisht më shumë e favorizon shefin e qeverisë dhe Republikën e Kosovës.

Mirëpo, analistët gjithashtu janë të mendimit se për të arritur deri te njohja e ndërsjellë duhet patjetër edhe presioni i ndërkombëtarëve tek pala serbe, njëjtë siç ishte vepruar edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit.

Krasniqi: Pa presion, Serbia nuk do të bie asnjëherë në binare

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, është i mendimit se dalja nga ngërçi i krijuar mes Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke, pasi që sipas tij, nuk mund të ketë marrëveshje apo pajtim pa njohje të ndërsjellët.

Krasniqi për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se Kurti në Forumin e Prespës u ka bërë të qartë se fundi i dialogut duhet të ketë një epilog përfundimtar.

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Forumin e Prespës tregon së çelësi i vetëm i dialogut është njohja reciproke sepse s’mund të ketë marrëveshje apo pajtim pa njohje të ndërsjellët. Kurti ju bëri me dije së fundi i dialogut duhet të ketë një epilog të qartë dhe së çdo marrëveshje pa njohje nuk është zgjidhje e problemit, është vetëm humbje kohe, pasi që përsëri duhet të ulemi në tryezën e njëjtë për probleme të njëjta”, ka deklaruar analisti Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, analisti Krasniqi ka theksuar se pa presionin e ndërkombëtarëve, shteti serb nuk do të bie asnjëherë në binare.

“Duhet të kemi parasysh së pa presionin e Bashkësisë Ndërkombëtare, Serbia nuk bie në binarë pasi që duke e ledhatuar ajo s’po i di deri ku i ka kufijtë në dialogë dhe po e shfrytëzon butësinë e Bashkësisë Ndërkombëtare. Ne e kemi marrëveshjen e Shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, ku shteti serb ka nënshkruar dokumentin që iu servua në tryezë, dhe një presion i SHBA-ve arrin qëllimin. Andaj në takimin e 25 korrikut nuk do të ketë ndonjë rezultat sepse akoma jemi larg dhe me një qeveri të re e cila nuk benë kompromise për asgjë dhe pa asgjë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Ky është qëllimi i kryeministrit Kurti

Image
Sulejman Mehazi

 

Ndërsa, nga ana tjetër, profesori Sulejman Mehazi, insistimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për njohje të ndërsjellë e konsideron si një plan politik e diplomatik i shefit të ekzekutivit.

“Insistimi i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit “për njohje të ndërsjellë në mes Serbisë dhe Kosovës” në Forumin e Prespës, por edhe në Bruksel e gjetiu është më shumë politike e diplomatike. Qëllimi i kryeministrit Kurti me refrenin e tij politik “për njohje të ndërsjellë” është më shumë për të bindur diplomatët e huaj e fuqitë e mëdha të BE-së e SHBA-së se Vuçiqi nuk është për dialog dhe se fajtore kryesore është Serbia e jo Kosova, se problemi i dialogut nuk është qeveria e Kosovës, por Vuçiqi i Serbisë që thotë se “kurrë nuk do ta njoh Kosovën dhe se gjithë kjo përpjekje dialoguese e BE-së është e kot dhe humbje kohe”, është shprehur profesor Mehazi.

Madje, ai është i mendimit se synimi i Kurtit është shumë i dobishëm për Kosovën, ndërsa nga ana tjetër e dëmshme për presidentin serb.

“Refreni politik, “për njohje reciproke e të ndërsjellë” në mes Kosovës e Serbisë i kryeqeveritarit Albin Kurtit është formulë shumë e dobishme për Kosovën, në anën tjetër shumë e pa përshtatshme dhe inferiore për Vuçiqin për shkak se ky refren politik i Albin Kurtit, “për njohje të ndërsjellë” ndërkombëtarisht më shumë favorizon Albin Kurtin dhe Republikën e Kosovës”, tha me tej ai.

Krejt në fund, analisti Mehazi e krahason refrenin dhe insistimin e kryeministrit Albin Kurtin me formulën e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova; “Kosova protektorat e më vonë shtet i pavarur”.

“Refreni i formulës politike i Albin Kurtit: “për njohje të ndërsjellë me Serbinë” mund të krahasohet me refrenin e formulës politike “Kosova protektorat e më vonë shtet i pavarur” i Ibrahim Rugovës që me kalimin e kohës refreni i protektoratit i Rugovës doli shumë i suksesshëm për Kosovën e okupuar nga Serbia”, tha krejt në fund, njohësi i zhvillimeve politike në vend, prof. Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat