Qeveria Kurti të mërkurën që po lëmë pas ka mbushur 100 ditë që nga qeverisja e saj.
100 ditëshi i qeverisë Kurti u diskutua mjaft shumë, disa me kritika e disa me shumë bindje u shprehën se për 100 ditë arritën të sjellin ndryshime.
Ajo që së fundmi mbajti konferencë për media dhe diskutoi 10 ditëshin e VV-së, ishte LDK-ja, shkruan “Bota sot”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti në 100-ditëshin e votimit në Kuvend.
Partia opozitare e konsideroi të dobët dhe mashtruese qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas saj, ekzekutivin në këta tre muaj e kanë karakterizuar vetëm punësimet familjare dhe kapja e institucioneve publike.
Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi tha se Qeveria dështoi edhe në dialogun Kosovë-Serbi dhe se kryeministri Kurti përbuzi gjitha kauzat e tij në takimin e parë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kritika u adresuan edhe për menaxhimin me pandeminë Covid 19, sipas Izet Sadikut nga LDK mungesa e vaksinimit rrezikon një valë të re me Covid.
Ndërsa, Shkëmb Manaj tha se qeverinë Kurti në 100 ditët e para e ka përvjelë vetëm nepotizmi dhe punësimet familjare.
Kurse, Vlora Dumoshi tha se ekzekutivi dështoi edhe në aspektin kulturor dhe sportiv.
Të gjitha këto kritika LDK i adresoi në konferencën që mbajti ditë më parë duke u shprehur se kjo qeveri nuk ka sjellë ndryshim.
Njësoj si LDK nuk mendojnë njohësit e çështjeve politike, ata për “Bota sot”, u shprehen se LVV ka arritur të sjellë ndryshime për 100 ditë.
Ata thonë se LVV ka punuar për 100 ditë më shumë se LDK për 20 vjet.
Mehazi: LDK e palogjikshme në lidhje me kritikat për 100 ditët e Qeverisë Kurti
Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se LDK-ja para se të kritikojë në mënyrë të palogjikshme LVV-në, do të duhet të shikonte të gjitha punësimet familjare që LDK ka bërë gjatë kohës së Mustafës, Hazirit dhe Veliut.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/06/auto_auto_850x636_auto_auto_auto_auto_auto_auto_Sulejman-Mehazi150507479015085010781550751961155075921915514336161551965916156120227815718394781625572138.jpg)
“LDK-ja e Abdixhikut para se të kritikonte qeverinë e Kurtit gjatë veprimeve 100 ditëshe është dashur që t'i kthehej vetvetes se çfarë bënë ata gjatë qeverisjes njëzetvjeçare. Do të ishte mirë që Abdixhiku me shokë së pari të kritikonte punësimet familjare dhe kapjen e institucioneve publike të para ardhësve të LDK-së Isa Mustafën, Lutfi Hazirin e Agim Veliun se prej nga ata u pasuruan aq shumë sa që ua kalojnë edhe pasanikëve më të mëdhenj të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh profesori.
Ai më tej përmend pasurinë që fëmijët e Mustafës, Thaçit, Haradinajt dhe Hazirit posedojnë duke mos punuar asnjëherë.
Gjithashtu Mehazi ka cekur familjen e Xhavit Halitit që morën miliona duke mos punuar asnjëherë.
“Është e palogjikshme të thuhet se qeveria e Albin Kurtit është e dobët e mashtruese se paskan punësuar familjarë, po, shumë më mirë për Kosovën do të ishte sikur para ardhësit e qeverisë së Kurtit gjatë njëzet vitesh qeverisje të kishin punësuar ndershmërisht familjarë sesa të krijonin familje vjedhaditësh shtetëror. A më mirë është të punësohen familjarët, apo pushtetarët të krijojnë familje të kriminalizuara shtetërore. Nga i morën paratë pa një ditë pune të bijat e Lutfi Hazirit që reklamohen nëpër bregdetet e shtrenjta të botës, djali i Isa Mustafës prej nga e mori atë pasuri pa punuar fare, po djali i Hashim Thaçit pa u punësuar fare nga i erdhi pasuria, po vajza e Haradinajt nga i mori paratë për të vazhduar shkollimin e shtrenjtë në Zvicër, po familja e Xhavit Halitit nga i mori 5 milionë eurot pa punuar fare? Cili funksionar apo njeri i rëndomtë në botë do që të punësojë të tjerët, kurse familjarët t'i lë pa punë fare”, ka thënë analisti.
Tutje, ai shprehet se Kurti nuk ka punësuar asnjë familjar dhe se punësimet i ndershëm dhe të njerëzve adekuat nuk është gjë e keqe për shtetin.
Sipas tij qëllimi i qeverisë së Kosovës duhet të jetë punësimi i qytetarëve, pse jo edhe të familjarëve e jo të zhvatet shteti pa punuar fare.
“Sa e dimë Albin Kurti asnjë prej familjarëve nuk ka punësuar, po edhe nëse punëson ndershmërisht e me djersë familjare asnjë të keqe nuk i bën Kosovës. Qëllimi i qeverisë së Kosovës duhet të jetë punësimi i qytetarëve, pse jo edhe të familjarëve e jo të zhvatet shteti pa punuar fare. Cili funksionar në botë do që familjarët të mos ju punojnë e të jetojnë këndshëm, përveç ish-funksionarëve të korruptuar të Kosovës e askush tjetër”, theksoi Mehazi për “Bota sot”.
Maxharraj: LDK të shikojë keqqeverisjen e saj përgjatë 20 viteve
Ndërsa, opinonisti dhe profesori nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se LDK duhet të shikojë punën e vet që ka bërë për 20 vjet e që në fakt nuk ka bërë asgjë.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/06/auto_850x636_binak1509308818150994522016100154091625572142.jpg)
Sipas tij, PDK dhe LDK sikur e kanë harruar fytyrën e tyre të vërtetë, sikur kanë harruar se këto parti e keqpërdoruan shtetin dhe se në fakt opozita duhet të merret me keqpërdorimet e Thaçit dhe Mustafës.
“Kritikat drejtuar nga opozita e sidomos nga LDK e cila ka mbetur jashtë skenës politike që nga 14 shkurti 2021, nuk po mund të marrë vetën e as të paramendojnë se janë në opozitë, kritikojnë lidhje e palidhje kur dihet fakti se këta mjeranë te opozitës nesër apo pasnesër mund të jenë subjekt i pasurimit te paligjshëm për çka edhe duhet të përgjigjen penalisht. PDK dhe LDK sikur e kanë harruar fytyrën e tyre të vërtetë, sikur kanë harruar se këto parti e keqpërdoruan shtetin duke e vjedhë dhe plaçkitë për pasuri të tyre milionëshe, sikur kanë harruar për veprimtarinë e tyre antishtetërore e deri në tradhti kombëtare drejtë shkatërrimit të shtetit duke i cenuar edhe kufijtë e tij. Pse nuk merren me aktet e turpshme të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës por edhe të Ramush Haradinaj të cilët pa fije turpi ia falën apo ia shitën Çakorrin me 8200 hektarë tokë”, është shprehur ai.
Më tej, ai parashtron pyetje ndaj Abdixhikut për punën e LDK-së, duke e quajtur edhe patericë e PDK-së.
Duke vazhduar, ai shton se Abdixhiku dhe LDK duhet të merren me lëshimet që ato vetë kanë bërë dhe jo për të mirat që Kurti po vazhdon të bëjë për vendin.
“Pse nuk merret Lumir Abdixhiku për punën e LDK-së e cila gjithmonë ishte si patericë e PDK-së, pse nuk merret me faktin se pse dhe si Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa ia lanë te dera Asociacionin qeverisë Kurti II me të cilin ai tash duhet të merret dhe i cili haptas u tha në dialog por edhe SHBA-ve dhe BE-së se nuk mund të ketë Asociacion një etnik me kompetenca ekzekutive siç e kishte nënshkruar Isa Mustafa me 2015. Pse nuk merret Lumir Abdixhiku edhe me ata që ia falën bile edhe me Kushtetutë kishave që serbët pretendojnë që janë të tyre, por nuk ishin kurrë historikisht sepse ato u pushtuan me dhunë nga elementi serb kur ata erdhën në Kosovë si zaptues të tokave shqiptare në fund të shekullit te XII”, ka theksuar profesori.
Nga ana tjetër, Maxharaj vazhdon të kritikojë LDK-në duke ia llogaritur të gjitha të bëmat e saj dhe duke i kërkuar llogari për gjërat që ajo duhet të jep.
Ai e quan sukses të madh punën e qeverisë Kurti për një periudhë të shkurtër kohore dhe thekson se vitet në vijim Kurti do të vazhdojë të sjellë ndryshime edhe më të mëdha vendit.
“Pse Lumir Abdixhiku nuk u mor me shkatërruesin e LDK-së, Isa Mustafën, bile as që ia kërkoi dorëheqjen, po të mos e ofronte ai vet. Kjo më së miri u pa edhe në mbledhjen e Këshillit drejtues në të cilën jo vetëm që nuk u kritikua Isa Mustafa dhe të merret në përgjegjësi partiake, ai u bë aq i mirë si nxënësi para mësuesit duke e shpërblyer si kryetar nderi te LDK-ja. Po çfarë nderi i bëri ky person LDK-së pos shkatërrimit të saj, kurse edhe tani edhe pse ka shkuar në vetmi po gjuan shtiza kundër LDK-së. Qeveria Kurti II ka bërë shumë, tepër shumë për këtë afat të shkurtër kohor, por opozita jo mirënjohëse, edhe pse puna e qeveris Kurti II po vlerësohet si me e suksesshmja për këto 100 ditët e para, kurse punët e saj më të mëdha të premtuar para popullit dhe votuesit do t’i shihen në vitet në vijim kur të hapen edhe në mënyrë ligjore të gjitha punët e pista të qeverive të mëparshme për hajnit, plaçkitjet dhe korrupsionin që i bënë shtetit për këto 20 vjet të qeverisjes së tyre”, përfundoi Maxharraj për “Bota sot”.