Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është riaktualizuar përsëri.
Këtë çështje me këmbëngulje e kërkon Serbia, por që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kundërshtuar duke thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në Kosovë.
Mirëpo, për këtë çështje ka folur edhe zëvendësndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, në një intervistë i cili ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumice serbe është obligim të cilin e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe duhet ta zbatojnë.
“Kosova i pranoi obligimet ndaj pakicës serbe dhe patjetër t’i plotësojë. Ekzistojnë mekanizma përmes të cilëve Kosova mund të zgjidh këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e vetë”, ka thënë ai.
E, juristët në vend kanë qasje të ndryshme lidhur me këtë temë.
Kelmendi: Kosova është shtet sovran me ligj
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/06/auto_1001625584238.jpg)
Profesori i dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se pavarësisht se me kë mund të arrihen marrëveshje, ato mund të shqyrtohen dhe të vendos pastaj Kuvendi.
“Nuk është e qartë pikëpamja e tillë e z. Palmer. Kjo për faktin se çdo marrëveshje, pavarësisht me kë bëhet, ka mundësi të shqyrtohet dhe të vendoset nga ana e Kuvendit. Ajo edhe mund të hiqet dhe të anulohet si e tillë. Këtë e di z.Palmer. Këtej domethënë se edhe kjo çështje ka mundësi të shqyrtohet dhe të vendoset përsëri”, thotë Kelmendi.
Ai jep një shpjegim për ndërtimin e një Asociacioni të karakterit të shoqatës.
Tutje, ai sqaron se ajo mund të krijohet me anën e një statuti dhe funksionon mbi bazën e statutet e shoqatës dhe jo të ketë kompetenca juridike e ekzekutive sepse bëhet asociacion politiko-territorial të karakterit shtetëror, por të ketë qëllim humanitar, kulturor, shoqëror, letrare.
“Në anën tjetër, pakica serbe z. Palmer ka të drejta plus mbi çdo komb e kombësi tjetër në Kosovë. Asociacioni një nacional është vdekjeprurës për Kosovën, kuptohet nëse ka kompetenca ekzekutive dhe juridike e politike. Asociacioni i karakterit të një shoqate është çështje juridike e përcaktuar me anën e ligjeve në fuqi dhe këtu për shoqatë nuk ka nevojë fare të kemi marrëveshje. Shoqata krijohet me anën e një statuti dhe funksionon mbi bazën e statutet të shoqatës. Ndërsa, futja e kompetencave juridike e ekzekutive e zgjeron atë dhe atij subjekti i jep karakter të një subjekti politiko-territorial të karakterit shtetëror. Qeveria është mirë që këtu të përgatit një statut të një shoqate dhe atë tua jap për veprim. Shoqata regjistrohet në regjistrim e shoqatave të Kosovës dhe e ka një qëllim të caktuar. Qëllimi mund të jetë humanitar, kulturor, shoqëror, letrare etj. Një kësi shoqate mund të ndërtohet”, shpjegon profesori.
Në fund thotë se, Kosova duhet të veprojë si shtet, e që në raport me Serbinë duhet të veprojë vetëm me reciprocitet.
“Kosova në raport me shtetin serb duhet të veproj vetëm me reciprocitet. Ky është mekanizmi që ndërton raporte bilaterale dhe multilaterale midis shteteve. Kosova është shtet dhe si shtet duhet të veproje kurdoherë dhe me çdo subjekt”, përfundon për “Bota sot” profesori Muhamet Kelmendi.
Krasniqi: Deklarata e Plamer, sinjal që Kosova duhet ta kryejë atë që është zotuar në Bruksel
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/06/auto_2001625584240.jpg)
Ndërsa, juristi Islam Krasniqi deklaron se, deklarata e Plamer është sinjal që Kosova duhet ta kryejë atë që është zotuar në Bruksel.
Deklarata e përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, është një sinjal që Republika e Kosovës duhet të kryejë një obligim që ka marrë apo është zotuar në Bruksel, Themelimin e Asociacionit, e që z. Palmer thirret në atë se “Kosova i pranoi obligimet ndaj pakicës serbe dhe patjetër t’i plotësojë me plotë të drejtë”, pasi që vetë e kemi pranuar dhe nënshkruar pa na vë litarin në fyt askush”, ka thënë jursiti.
Në fund, ai shton se politikanët tanë duhet të ulen e të shikojnë ato pikat të cilat nuk janë harmoni me Kushtetutën tonë, për t’i përmirësuar sepse rastet po shkojnë dëm dhe qytetarët po mbesin pa viza.
“Institucionet tona duhet të ulën dhe të shikojnë këshillën apo udhëzuesin që Gjykata Kushtetuese ka thënë se këto pika nuk janë në pajtim me apo harmoni me Kushtetutën tonë, duke i përmirësuar apo edhe ndryshuar atë e jo të na shkoj në dëm siç ishte rasti me demarkacionin i cili na la pa viza”, ka përfunduar Islam Krasniqi për “Bota sot”.