Çështja e Minishengenit Ballkanik po vazhdon të jetë temë aktuale. Për këtë çështje është folur edhe në Forumin e Prespës.
Qëndrimin kundër Minishengenit e ka ripërsëritur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri ka deklaruar në Forumin e Prespës se Kosova e refuzon ashpër një iniciativë të tillë.
“Është një iniciativë pa vizion për rajonin dhe si të tillë Kosova e refuzon ashpër dhe i inkurajon të gjithë që të kthehemi në agjendën e BE-së dhe marrëdhënieve transatlantike. Pakënaqësia me bashkësinë evropiane nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n apo mbështesin Federatën e Rusisë”, ka deklaruar Kurti në Forumin e Prespës.
Lidhur më këtë çështje, analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Minishengeni Ballkanik është në kundërshtim misionin e BE-së dhe ai do t’i shërben shtetit serb.
“Minishengeni Ballkanik është një alternativë e cila do t’i shërben shtetit serb, pasi Serbia është lidere ekonomike e politike në këtë aleancë të shteteve. Ky veprim është një alternativë potencialisht e dështuar, e cila është si kundërshtim misionin e BE-së me pretekstin kinse BE-ja ka diskriminuar dhe po përdor kritere të dyfishta për këto shtete”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Ahmeti e ka komentuar edhe qëndrimin e kryeministrit Kurti, duke thënë se ai duhet të qëndrojë stoik në kundërshtim të kësaj nisme rajonale.
“Mendoj se zoti Kurti ka të drejtë kur e kundërshton Minishëngenin Ballkanik në mënyrë kategorike, pasi edhe sa ka qenë në opozitë ka qenë i ashpër karshi kësaj nisme rajonale. Gjykoj se përfituesja më e madhe është Serbia, pasi ka fuqinë ekonomike dhe në këtë treg të përbashkët përfituesja më e madhe do të jetë Serbia. Zoti Kurti duhet me qëndrua stoik në kundërshtim të kësaj nisme rajonale , pasi çdo lëshim i mundshëm për të qenë pjesë e kësaj nisme është e dëmshme për Kosovën si në aspektin politik edhe atë ekonomik”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”.