Gjatë ditës së sotme është publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit raportin 100-ditësh i Qeverisë Kurti II.
Ky raport paraqet punën gjatë periudhës 23 mars – 1 korrik 2021, nga ana e Qeverisë, e cila është votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 22 mars 2021.
Në të paraqiten të arriturat kryesore sipas sektorëve të paraparë me Programin e Qeverisë, rezultatet dhe vendimet e marra gjatë kësaj periudhe.
Mirëpo, me punën e Qeverisë Kurti, për këtë 100 ditësh, tejet e pakënaqur është partia e dytë opozitare; Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan “Bota sot”.
Antëri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo parti është e pakënaqur me punën e deritanishme të ekzekutivit aktual.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/06/auto_105411263_3199308403445926_2616088802354298304_o1625606109.jpg)
“Nuk është parë vullnet për qeverisje. Grupi Parlamentar i LDK-së është i pakënaqur me punën e kësaj qeverie”, është shprehur Gashi për gazetën “Bota sot”.
Kurse, i pyetur se ekzekutivi aktual a do t’u përmbahet premtimeve të dhëna gjatë fushatës, ai është shprehur një gjë e tillë është shumë larg që të ndodhë.
“Kur nuk realizohen premtimet, zhgënjimi është i madh. Është evidente se realizimi i premtimeve është shumë larg”, është shprehur anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, për gazetën “Bota sot”.
Ndryshe, Qeveria Kurti të mërkurën i ka bërë 100 ditë prej se është votuar në Kuvendin e Kosovës. Edhe shoqëria civile e ka kritikuar qeverinë për mënyrën e qeverisjes. Ata janë shprehur se gjatë kësaj periudhe kohore kanë munguar vendimet e mëdha.
Kurse, vlerësim pozitiv kanë për mënyrën e udhëheqjes së dialogut me Serbinë.