“Thikë me dy tehe”, skenari i Vuçiqit ndaj BE-së me përkrahjen ndaj Kosovës

Politika

“Thikë me dy tehe”, skenari i Vuçiqit ndaj BE-së me përkrahjen ndaj Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 korrik 2021 Në ora: 08:37
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Republika e Kosovës me qytetarët e saj vazhdon të jetë e izoluar nga Bashkimi Evropian, i cili ende nuk po i liberalizon vizat.

Se obligimin ndaj BE-së për përmbushje të kritereve e ka bërë, ajo përsëri nuk po ndërmerr hapa për një gjë të tillë.

Liberalizimin e vizave për Kosovën së fundi e ka kërkuar edhe përfaqësuesi amerikan, Mathew Palmer.

Por, ajo që është më së shumti është e çuditshme, është deklarata e Presidenti serb Aleksandër Vuçiq për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai për mediat në Serbi i pyetur nëse do të mbështeste liberalizimin e vizave, u përgjigj: “Po, me entuziazëm dhe unë nuk do të shpjegoj arsyet.”

E, kjo deklaratë ka habitur edhe analistët në Kosovë.

Ata kanë vlerësuar se deklarata e presidentit serb është thikë me dy tehe e po ashtu ajo po paraqet para BE-së vullnetin e mirë për temat integruese.

Halili: Deklarata e Vuçiq thikë me dy tehe

Lidhur me këtë, analisti Nijazi Halili, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deklarata e Vuçiq hedh pluhur syve karshi ndërkombëtarëve.

Image
Nijazi Halili

“Deklarata e Vuçiqit për liberalizimin e vizave për Kosovën, vetëm hedh pluhur syve karshi ndërkombëtareve. Presidenti i Serbisë, Alekandër Vuçiq ka deklaruar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. “Po, me entuziazëm dhe unë nuk do të shpjegojë arsyet”, tha Vuçiq mbrëmë në TV Happy. Këtë deklaratë lideri serb e bëri duke iu përgjigjur pyetjes nëse e mbështet ose jo liberalizimin e vizave për Kosovën. Vuçiq tha gjithashtu se ‘njëri prej tyre’ i tha atij se e di pse Serbia ishte pro liberalizimit të vizave për Kosovën dhe ai replikoi se kjo ndodh për shkak të ‘integrimit evropian’ të tyre. Ndërkohë, ende një vendim i tillë nuk ka ardhur nga Bashkimi Evropian dhe kjo si pasojë e pesë vendeve mos-njohëse të BE-së”, ka thënë analisti.

Sipas tij, kjo deklaratë është thikë me dy tehe, sepse politikani serb ndryshe flet e ndryshe vepron.

“Megjithatë, deklarata e Vuçiq është e para nga Beogradi në përkrahje të liberalizimit të vizave. Deklarata e president serb Vuçiq është thike me dy tehe, andaj politikani serbe ndryshe flet e ndryshe vepron, duke i ditur intrigat e tyre, kur është në pyetje interesi i Kosovës, kurrë Aleksandër Vuçiq nuk vendos diçka qe është në interes të shqiptareve të Kosovës, por historikisht politika e Beogradit, fund e krye është mashtruese dhe thike me dy tehe, andaj nuk shoh diçka të rëndësishme nga deklarata e Vuçiqit, por vetëm hedh pluhur syve karshi ndërkombëtareve”, përfundon Njazi Halili për “Bota sot.

Duhanaj: Vuçiq dëshiron ta paraqes para BE-së vullnetin e mire për tema integruese

Ndërsa, analisti Leon Duhanaj, për “Bota sot” thotë se sa i përket liberalizimit të vizave Kosova tashmë ka përmbushur kriteret më shumë se secili shtet në rajon.

Image
Leon Duhanaj

Ai thotë se problemi qëndron të vendimmarrja e BE-së, e cila po shpërfaq brishtësinë dhe pazotësinë e saj.

“Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën, tashmë është temë e cila do të duhet të shërbente që BE, përkatësisht shtetet hezituese të turpërohen. Kosova ka përmbushur kritere shumëfish shumë se secili shtet në regjion, mirëpo edhe përkundër faktit na është mohuar kjo e drejtë fundamentale. Kjo për mendimin tim shpërfaq kompleksinë e organizimit dhe vendimmarrjes në BE. Njëherësh shpërfaq edhe brishtësinë dhe pazotësinë e BE-së që t'i shtyjë proceset politike përpara. E them politike, sepse edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, ka vite që është shndërruar në politik”, është shprehur ai.

Sa i përket deklaratës së presidentit serb, analisti vlerëson se deklarata e tij është ta paraqes para BE-së vullnetin e mirë për temat integruese, por që në temat tjera ka qëndrime diametralisht të kundërta me kërkesat e tyre.

“Për sa i përket deklaratës së Presidentit të Serbisë, mendoj që ai nga njëra anë mendon ta paraqes para BE-së vullnetin e mirë për temat integruese, përderisa në temat tjera ka qëndrime diametralisht të kundërta me kërkesat e tyre. Mendoj që megjithatë duhet të merret pozitivisht, sepse indirekt, qëndrimi pro liberalizimit të vizave për Kosovën është edhe konstatim i subjektivitetit të shtetit të Kosovës, pasi që liberalizimi si temë dhe proces, është ekskluzivisht temë që hynë në marrëdhëniet kontraktuale bilaterale në mes shtetit të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së”, ka deklaruar Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat