Takimi i ardhshëm në kuadër të dialogut, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, do të mbahet me datë 25 korrik.
Kreu i Qeverisë së Kosovës pas takimit në Bruksel me presidentin serb, ka propozuar katër pika, mirëpo të cilat nuk u pranuan assesi përfshirë këtu edhe reciprocitetin mes dy vendeve. Por, përkundër acarimit të raporteve, njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se dialogu tashmë ka hyrë në finale të saj.
Analisti politik, dhe profesori i shkencave politike, Jeton Kelmendi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ndodhet në fazën finale.
Ai është i mendimit se krejt kjo do të bëhet jo edhe me dëshirën e palëve, por për shkak të presionit të madh ndërkombëtar.
“Mendoj se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, gjegjësisht në mes të Kosovës dhe Serbisë është në fazën finale definitivisht, jo edhe për dëshirën e palëve por nga presioni i palës ndërkombëtar, me theks të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Palët si zakonisht kanë qëndrime krejtësisht të kundërta. Serbia thotë se nuk do ta njohë kurrë, ndërsa futet në dialog që është kontrast me atë çfarë deklaron. E njëjta situatë paraqitet edhe në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje e cila ka 50 për qind të elektoratit, e ku thotë se nuk ka negociata pa njohje reciproke. Realisht, janë dy mashtrimet e para që i bëjnë të dyja palët; edhe Vuçiqi edhe Kurti”, tha profesor Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.
Madje, për t’u arritur marrëveshja mes palëve, njohësi i çështjeve politike është i mendimit se nga të dyja palët duhet të ketë lëshime.
Gjersa, thekson se Serbia duhet ta njohë përfundimisht Kosovën, pavarësia është një realitet dhe e njohur ndërkombëtarisht.
“Pres që të ketë njohje këtë vit, që të ketë marrëveshje dhe dorën në zemër që të ketë lëshim dore nga të dyja palët. Serbia duhet ta njohë Kosovë se nuk ka ku shkon, sepse kjo gjë është realitet. Ndërsa, për fat të keq, Kosova për shkak se ka lëshuar shumë pe, nuk e ka qare për të lëshuar edhe njëherë pe. Nëse një gjë të tillë nuk do ta bëjë Qeveria e Kurtit, me shumë gjasë qeverisja e tij do të ndërpritet”, ka theksuar ai.
Kelmendi gjithashtu nënvizon se në rast se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron që edhe njëherë ta rrëzojë qeverinë e tij, për këtë çështje duhet që të lëshojë pe.
“Kosova duhet të lëshojë pe, dhe e pres një gjë të tillë, madje e pres nga vet z. Kurti në qoftë se ai nuk dëshiron ta rrëzojë edhe njëherë vetveten. Ngjashëm pres që të ndodhë edhe me partinë e Aleksandër Vuçiqit, e cila gjithsesi që nuk do të mund t’i ikën presionit ndërkombëtar, pra, gjatë këtij viti pres që edhe për ekzekutivin atje presioni ndërkombëtar të rritet”, tha analisti politik, njëherësh profesor i shkencave politike, Jeton Kelmendi.