Dje në seancën e Kuvendit të Kosovës ka pasur debate në lidhje me marrëveshjen e Uashingtonit e cila ishte nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, nga Kosova dhe Serbia.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i është drejtuar kryeministrit aktual Albin Kurti, se me nënshkrimin e marrëveshjes në Uashington, Kosova ka thyer izolimin ndërkombëtar.
Mirëpo, kësaj i është kundërpërgjigjur vet kryeministri Kurti, duke thënë se ajo marrëveshje i parapriu hapjes së portës për presidentin serb.
Lidhur me këtë çështje, analisti Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ish-kryeministri Hoti akoma nuk e ka kuptuar se kishte rënë në kurthin e presidenti serb, i cili përmes kësaj marrëveshje ka synuar të realizonte synimet e vjetra serbo-ruse.
“Besoj se z.Hoti akoma nuk e ka kuptuar se kishte rënë në kurthin e Vuçiqit, i cili synonte që të përfitonte dalje në det, të realizonte synimet e vjetra serbo-ruse. Kosova ka qenë në izolim për shkak se ka pasur një qeveri që nuk ka luftuar krimin, korrupsionin, andaj s’di për çfarë thyerje izolimi flet z.Hoti, a thua në cilën organizatë u anëtarësua Kosova apo çfarë përfitoi në këtë drejtim”, është shprehur ai.
Në debatin mes Kurtit dhe Hotit, Mehmeti i jep të drejtë Kurtit duke thënë se koha ia vërtetojë që ai kishte të drejtë.
“Në këtë pikë jam i pajtimit me z.Kurti, koha e tregoi se ai kishte të drejtë. Dulla kot vajton, duhet të këndellet që të pranojë se ishte vegël në duart e Hashimit dhe Vuçiqit, të cilët synuan që më çdo kusht të realizonin idetë e tyre të vjetra”, përfundon analisti Faton Mehmeti.