Marrëdhëniet në mes të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me atë të Kosovës, Albin Kurtin nuk janë të mira.
Kryeministri Kurti ishte i pranishëm në Forumin e Prespës për Dialog, gjatë kësaj kohe ka takuar edhe kryeministrin Rama, ku u kapën nga mediat disa mimika injorimi, nga ky i fundit.
Po ashtu, edhe gjatë fjalimit në këtë forum, Rama së bashku me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq e injoruan Kurtin.
Këto sjellje të Ramës në “bashkëpunim” me Bërnabiq janë komentuar nga ekspertët. Ata shprehin keqardhje për sjelljen e kryeministrit të Shqipërisë. Po ashtu, ata kanë treguar se si ka ardhur deri të “prishja” e raporteve ndërmjet Ramës dhe Kurtit.
Mehmeti: Rama dhe Bërnabiq nuk mund ta vënë në lojë Kurtin për pazaret e tyre
Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë e shqetëson Ramën.
Ai ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, është bërë bashkë me Bërnabiqin për ta “luftuar” kryeministrin Kurti.
“Edi Rama ndjehet i dëshpëruar shumë që nuk e ka Hashimin dhe kjo gjë e shqetëson shumë. Me Albinin s`ka pazare siç kishte me Hashimin, andaj edhe Rama edhe Bërnabiq janë bërë bashkë për të "luftuar' Albinin”, ka thënë Mehmeti.
Po ashtu, ai ka treguar se çfarë dëshmuan Rama dhe Bërnabiq më injorimin e tyre ndaj Kurtit.
“Me injorimin e tyre ndaj Albin Kurtit Rama dhe Bërnabiq dëshmuan se ndjehen të pafuqishëm përballë Kurit, njeriut të cilin ata nuk mund ta vënë në lojë për pazaret e tyre. Dihet tashmë se ka pazare të mëdha mes Ramës, dhe Vuçiqit, aty ishte edhe Thaçi , me largimin e të cilit duket se disa nga planet kryesore kanë dështuar”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai e quan fat të keq që një kryeministër shqiptar bëhet bashkë me politikanët serb kundër atyre të Kosovës.
“Është fat i keq që një kryeministër shqiptar nga Tirana bëhet bashkë me politikanët serb kundër atyre të Kosovës, kjo gjë s`ka ndodhur më parë, së paku që nga fillimi i demokracisë në Shqipëri”, ka vlerësuar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.
Maxharraj: Antipatia e Ramës po vërehet në çdo lëvizje të tij
Ndërkaq, profesori Binak Maxharraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se në Forumin për dialog të Prespës është vërejtur sjellja e Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës.
“Hasmëri midis liderëve shqiptare, po përsëritet edhe sot e kësaj dite e cila u vërejt edhe në Forumin për dialog të Prespës, thjeshtë duke e shpreh Rama një ftohtësi dhe injorim tek Albin Kurtit dhe një ngrohtësi dhe afrim me liderët serb, Vuçiq dhe Bërnabiq. Kjo është diçka e tmerrshme, e çuditshme, e dhimbshme e paprecedent, kur të urrehen liderët shqiptarë mes veti për interesa të Serbisë, mbase a mos është kjo diçka edhe e trashëguar nga e kaluara”, ka thënë ai.
Maxharraj ka treguar për “Bota sot” se si kanë ardhur deri tek ftohja e marrëdhënieve të Ramës me Kurtin, po ashtu ai e përmend edhe ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
“Por të shkojmë pak më thellë temës së ftohjes së raporteve midis liderëve shqiptar, këndej e andej kufirit. Kjo ftohje nuk është e ditëve të sotme, por më e hershme. Vlen të përkujtohet zbulimi i Natasha Kandiçit, një veprimtare për të drejtat e njeriu në Serbi, kur para disa viteve e pati zbuluar takimin e fshehtë të Edi Ramës me Vuçiqin në Nish, ku për temë patën pasur edhe mundësinë për ndarjen e Kosovës. Po ku e mori guximin dhe kurajën, trimërinë prej budallai që Edi Rama të bisedojë për çështjet e brendshme të një shteti tjetër. Por, në vend që Kryeministri Hashim Thaçi t`i thotë Ramës “ndal Kosova është shtet në veti, Kosova ka zot shtëpie që i del zot”, ai heshti ku me pastaj edhe Hashim Thaçi i cili ishte i shantazhuar nga Serbia e inicio edhe publikisht këtë çështje në Vjenë. Kjo treshe famoze nuk ndaloi gati për disa vite duke e proklamuar idenë për nderjen e Kosovës, për korrigjim kufijsh derisa nuk i ndali në Samitin e Berlinit e madhja Angela Merkel”, ka shpjeguar profesori për “Bota sot”.
Gjithashtu, Maxharraj ka vënë në theks sjelljet e Ramës karshi Kurti, duke shtuar se kryeministri shqiptar po i shpreh disa mimika të injorimit të cilat shkojnë deri në urrejtje.
“Që nga kjo kohë sjelljet e Edi Ramës filluan të bëhen te çuditshme ndaj liderëve të Kosovës, pos me Thaçin, sidomos kur në pushtet erdhi garda e fuqishme e dyshes, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, të cilët me asnjë kusht nuk lejojnë që të luhet me pavarësinë dhe nderin e shtetit. Antipatia e Edi Kristaç Ramës po vërehet në çdo lëvizje të tij. Tek ai, thjesht po shprehen disa mimika të injorimit të liderëve shqiptarë të cilët shkojnë deri në urrejtje për shkak se këta liderët tanë nuk po i shkojnë për qejfi në realizimin e projekteve serbe në tokat shqiptare. Është e çuditshme se si Edi Rama ia lejon vetes që “ti fryhen turinjtë” me liderët shqiptar të Kosovës për të ia bërë qejfin Vuçiqit dhe Serbisë. A nuk është kjo e tmerrshme dhe skandaloze për Edi Ramën, kur hala nuk është tharë gjaku i shqiptarëve nga masakrat dhe gjenocidi shtetëror serb i bërë në histori e sidomos në luftën e fundit. Pse Edi Rama shkel haptas mbi gjakun e dëshmorëve tanë duke i injoruar liderët tanë e duke u afruar me Vuçiçin i gjakatar, i cili po t`i jepej rasti do të vriste dhe priste shqiptarë, por edhe vet Edi Ramën”, ka vlerësuar Maxharraj.
Më tej, ai ka përmendur edhe rastin e sjelljes së kryeministrit Rama me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, me të cilën nuk u takua gjatë vizitës së saj në Shqipëri.
“Apo është e tmerrshme kur liderët tanë e vizitojnë Shqipërinë, të cilin e konsiderojnë edhe atdhe të tyre e kur Edi Rama i përbuzë me një mimikë trishtuese, i injoron bile edhe nuk pranon të takohet me ta, kurse nga ana tjetër është tepër trishtuese, kur miku i ngushtë i Ramës e viziton Shqipërinë, se si përqafohen sikur të ishte më shumë vëlla me Vuçiqin se sa me Kurtin. Ose rasti tjetër kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e patë vizituar vitin e kaluar Shqipërinë dhe e cila doli me nam me fjalimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, seancën se cilës e bojkoti vetë Kryeministri Edi Rama sepse nuk deshi që t`i dëgjon kritikat për politikat shkatërruese të tij ndaj Kosovës”, ka potencuar Maxharraj për “Bota sot”.
Profesori Maxharraj ka theksuar se Kurti si një lider i pa korruptuar, i cili i kundërshton projektet serbe, ndërkaq ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama.
“Por edhe takimet e tij me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, janë të ftohtë aspak vëllazërore, siç janë me Vuçiqin, sepse thjeshtë Albin Kurti si një lider i pakorruptuar, në krahasim me Edi Ramin i mbushur deri në fyt me korrupsion, të cilin e kundërshton fuqishëm në projektet pro serbe në dëm të Kosovës, sepse Kurti është një lider i pastër, i pa korruptuar dhe nuk mund të s’angazhohet as nga Vuçiq e aq me pak nga Edi Rama, sepse ky i thotë jo projekteve serbe që kanë për qellim shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës, që është edhe qëllimi i Serbisë, e për të fituar simpatinë e Serbisë Edi Rama i injoron liderët Kosovës gati të gjithë me radhë, sepse ky është një njeri me ndjenja dhe shpirt despoti pa ndjenja patriotike për shtetin e vet, i cili mendon se ai duhet të jetë më i madh që kollet në të gjitha trojet shqiptare, po që doli që të jetë më i mbrapshti dhe një hiç, një askush i cili për një serb (Vuçiçin) i jep, I përbuzë dhe i injoron liderët shqiptar”, ka vlerësuar Maxharraj për “Bota sot”.
Në fund, Maxharraj i ka dhënë një këshillë kryeministrit Rama.
“Nuk mund të bëhesh dikush duke e injoruar popullin tënd, sepse liderët shqiptar i ngritë vetë populli, dalin nga gjiri i popullit të vet. Nuk mund të jetë Edi Rama një lider i madh duke e ngritur dhe përkrahur Serbia, duke qenë vegël e saj në dëm të kombit të vet. Por, fatkeqësisht historia ka nxjerr njerëz të këtillë e i fundit besoj që do të jetë Edi Rama. Ruaj zot prej tij, fale o zot se ndoshta nuk është i vetëdijshëm për veprimet e tij”, ka përfunduar Maxharraj për “Bota sot”.