“Kurti mund t’ua mbyllë gojën “Listës Guxo” nëse marrin rezultat të dobët në zgjedhjet lokale”

Politika

“Kurti mund t’ua mbyllë gojën “Listës Guxo” nëse marrin rezultat të dobët në zgjedhjet lokale”

Nga: A.Z Më: 8 korrik 2021 Në ora: 22:13
Lista ‘Guxo’

Burime të medies brenda Listës “Guxo”, kanë bërë të ditur se kjo parti politike, ka aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për t’u regjistruar si Iniciativë – që do t’ua mundësonte të garojnë të vetëm në zgjedhjet lokale të 17 tetori.

Deri më tani, degët e Listës “Guxo” në Ferizaj, Kllokot, Gjakovë, Istog dhe Vushtrri, publikisht kanë bërë të ditur se janë kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, në garën e zgjedhjeve lokale.

Këta zyrtarë kanë kërkuar që Lista “Guxo” të garojë si subjekt i vetëm në zgjedhjet e vjeshtës, por deri më tani, me këtë kërkesë të tyre, nuk janë pajtuar drejtuesit kryesorë të kësaj partie – Donika Gërvalla, Faton Peci dhe Haxhi Avdyli.

Lidhur me këtë, analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, vendimin për të garuar të vetëm e quan vendim të guximshëm, përderisa nuk kanë në komuna struktura të organizuara mirë, andaj nga kjo mund të kenë rezultat të dobët.

Ai ka shtuar se nëse ndodh që të dalin me rezultat të dobët, mund të thuhet pastaj se Lista “Guxo” vetëm me LVV kanë marrë vota në zgjedhje.

“Duket tepër i guximshëm vendimi i Listës së Vjosës "Guxo" për të dalur të vetëm, kur dihet se nuk kanë struktura të organizuara mirë nëpër komunat e Kosovës, në këtë kuptim më duket një guxim tepër i madh për të marr pjesë të vetëm. Kjo gjë do të mund tu kthehet në bumerang nëse nuk marrin rezultatet të mira, pasi mund të kenë rezultat të dobët, çka do të mund të ndikonte shumë në ndikimin e tyre pastaj edhe në qendër. Me të drejtë pastaj z. Kurti do të mund të ua mbyllte gojën për vendime të diskutueshme, nëse ata marrin rezultat të dobët, çka do të mund të lexohet se Lista “Guxo” në krah të VV i ka marr votat në zgjedhjet nacionale. Për mendimin tim është gabim të dilet vetëm pa organizim të mirëfilltë në qendrat lokale, një gjë e tillë mund të kthehet bumerang. Edhe në guxim duhet futur mençuria, nuk mjafton vetëm guximi pa tru”, ka përfunduar Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat