Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat. Deputetet të Listës Serbe lëshuan sallën para kësaj pike të seancës.
Në bazë të kësaj rezolute, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.
Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti tha se miratimi i rezolutës për Srebrenicës është “veprim fisnik dhe i duhur”.
Ai tha se kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe sipas tij, duhet të bëhet dënimi i krimeve të tilla gjenocidiale, me qëllim që veprime të tilla të mos përsëritën në të ardhmen.
Kryeministri po ashtu ka thënë se duhet bërë presion ndaj Serbisë, që të pranojë krimet që i ka bërë në Kosovë dhe Bosnje.
Por, sa ka shpresa që kjo të ndodhë? Këtë e kanë komentuar edhe disa njohës të çështjeve politike.
"Me seriozitet dhe profesionalizëm të përballemi me tema esenciale"
Analisti Hidajet Ahmeti, ka potencuar se qeveritë kanë heshtur edhe pse kanë pasur mundësi më herët për ta paditur Serbinë, gjë që tani po i kushton Kosovës.
Ai shtoi se edhe pse jemi vonuar, duhet të kemi seriozitet dhe profesionalizëm për tu përballur me tema esenciale.
Sipas Ahmetit, Serbia nuk do t’i pranojë krimet pa pasur presion ndërkombëtar si dhe qasje serioze.
“Mendoj se shteti i Kosovës ka pasur mundësi shumë më herët që të padisë Serbinë për gjenocidin dhe krimet që ka shkaktuar, pasi fakte që e dëshmojnë një gjë të tillë. Por, qeveritë e pas luftës kanë heshtur përballë një të vërtete shumë të madhe për gjenocidin dhe krimet që ka shkaktuar Serbia. Kjo heshtje i ka kushtuar shtetit të Kosovës, pasi edhe mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti serb nuk është ndalur duke e luftuar Kosovën në mënyrë diplomatike. Duhet të kemi një seriozitet, maturi, vullnet dhe profesionalizëm që të përballemi me tema esenciale, sigurisht që jemi vonuar, por prapë mund t'ia dalim duke e zhvilluar dialogun në mënyrë konstruktive. Serbia pa presion ndërkombëtar, por edhe pa një qasje serioze e strategjike nga pala kosovare nuk do të pranojë krimet dhe gjenocidin që ka shkaktuar”, ka deklaruar Ahmeti për gazetën “Bota sot”.
"BE të bëjë trysni mbi Serbinë"
Kurse, analisti Adem Bytyçi, ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën si dhe të kërkojë falje për krimet.
Ai tha se as vendet e BE-së nuk i bëjnë trusni Serbisë, prandaj Serbia nuk do të kërkojë asnjëherë falje për krimet.
“Serbia gjithsesi duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale dhe gjenocidale ndaj popujve tjerë në luftën e fundit në ish Jugosllavi. Madje gjithsesi duhet të kërkojë falje për krimin e luftës të gjenocidit ndaj popujve myslimanë të Bosnjës, shqiptarëve të Kosovës dhe popullit kroat të Kroacisë. Natyrisht se BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare do të duhej të bënin më shumë trusni për ta detyruar Serbinë që të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale dhe gjenocidale ndaj popujve tjerë në ish Jugosllavi. Por, Serbia nuk do të kërkojë falje për krimet makabre të luftës ndaj popujve tjerë në ish Jugosllave, sepse edhe shtetet e BE-së nuk janë unike për të bërë trusni mbi Serbinë për të pranuar dhe kërkuar falje për krimin e gjenocidit kundër popujve tjerë në luftën e fundit në ish Jugosllave, pesë shtetet Evropiane që nuk e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës edhe Franca edhe pse pa të drejtë qëndrojnë në anën e Serbisë kriminale dhe gjenocidale”, ka deklaruar Bytyçi.
Më tej, ai ka vlerësuar se rezoluta për ndëshkimin e gjenocidit serb kundër boshnjakëve është e drejtë, madje edhe shtete tjera duhet ta ndjekin këtë shembull të Parlamentit dhe deri në atë moment që Serbia të kërkojë falje.
Ai thotë se derisa Serbia e ka përkrahjen e Rusisë dhe disa vendeve të tjera, nuk do të denazifikohet asnjëherë.
“Rezoluta e Parlamentit të Kosovës për ndëshkimin e gjenocidit serb në Srebernicën e Bosnjës kundër popullatës civile Boshnjake është tërësisht e drejtë dhe Parlamentit e shteteve tjera demokratike duhet ta ndjekin shembullin e Parlamentit të Kosovës, për ta dënuar gjenocidin serb në Bosnje dhe Kosovë, derisa ta detyrojnë Serbinë të kërkojë falje për MIZORITË që i ka bërë kundër popullit, boshnjakë, shqiptarë dhe kroatë në luftën e fundit. Serbia, përderisa e ka përkrahjen e Rusisë dhe të disa shteteve tjera arabe dhe evropiane, kurrë nuk do të denazifikohet dhe përherë do të jetë shkak i luftërave në Ballkan”, ka deklaruar Adem Bytyqi për “Bota sot”.
"Shpresë e kotë njohja e krimeve"
Në anën tjetër, analisti Rexhep Shahu, ka potencuar se nuk e urdhëron Kurti Serbinë, madje nuk i bën as presion, Shahu thotë se është e kotë që Serbia të njohë krimet në Kosovë, sepse Serbia është dëbuar nga Kosova për shkak të krimeve që i ka bërë, e tani të kërkohet njohja e krimeve është shaka.
“Kryeministri Kurti i cili do duhet të bëjë punët e veta e të mos flasë më duket si lider botëror. Nuk e dikton as urdhëron Kurti Serbinë se çfarë bën ajo. Nuk i bën dot Kurti presion Serbisë. Rezoluta e Parlamentit të Kosovës është bashkëngjitje e të tjerëve. E folura "më duhet" është e gabuar. A pritet të ketë presion ndaj Serbisë që të njohë krimet në Kosovë, është shpresë e kotë. Serbia është dëbuar prej Kosovës me luftë, është mundur, është dëbuar për shkak të krimeve që ka bërë ndaj shqiptarëve e Kosovës. Të thuash tani që Serbia të njohë krimet në Kosovë është më shumë se shaka. Serbia e mundur, e dorëzuar, me nënshkrimin e kapitullimit ka nënshkruar humbjen e mundjen e vet. Tani të gjitha këto që kërkohen janë me mbushë gazetat, jo po të kërkojë falje Serbia etj, etj”, ka deklaruar Shahu.