Mes ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe kryeministrit aktual Albin Kurti dje në seancën e Kuvendit pati një “përplasje”.
Hoti kishte thënë që marrëveshja e nënshkruar në Uashington ka thyer izolimin ndërkombëtar.
Por, një gjë të tillë e ka mohuar kryeministri Kurti duke thënë se ajo çfarë ka bërë Hoti në Uashington ka qenë vetëm hapja e portës në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e Serbisë
“Do të ishte e pamundur për Serbinë që kreun e saj shtetëror, pjesëmarrësin e luftërave në ish-Jugosllavi, ministrin e Informatave të Millosheviqit ta mirëpresë pa ia shtruar paraprakisht qilimin e kuq pikërisht dikush nga vendi i viktimave dhe askush më pak se sa kryeministri i atëhershëm. Pra, ky ishte efekti i menjëhershëm i atij nënshkrimi para se të ndodhë”, tha Kurti.
Kuçi: Nga marrëveshja në Uashington, Kosova nuk përfitoi asgjë gratis
Lidhur me këtë çështje analisti Gurakuç Kuçi, në një përgjigje për “Bota sot ka thënë se, marrëveshja e Uashingtonit ishte më së shumti në favor të ish-presidentit Donald Trump.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/09/auto_guri-e15621611196791625820012.jpg)
Ai tutje thotë se nga kjo marrëveshje Kosova nuk përfitoi asgjë gratis.
“Marrëveshja e Uashingtonit më së shumti ishte të përdorej në favor të Trump-it, por fatkeqësisht atij personalisht nuk i hyri aspak në punë dhe u la si një marrëveshje problematike për Kosovën. Në marrëveshje Kosova as në rastin e Ujmanit e as të marrjes së njohjes nuk përfitoi gjë gratis, ndërsa në pikat tjera dhe po ashtu edhe Ujmanin përfitoi Serbia më së shumti, e pika të tjera ishin vetëm sa për të mbushur faqe”, ka thënë analisti.
Sipas tij, SHBA do të minojë pikat të cilat janë të papërshtatshme gradualisht.
“Sot SHBA-ja, gjegjësisht administrata e Biden-it nuk mund të dalë ta hedhë poshtë këtë marrëveshje sepse do e bënte SHBA-në një shtet joserioz, por do të minojë pikat të cilat janë të papërshtatshme gradualisht. Madje kjo marrëveshje mund të hidhet poshtë nëse Serbia nuk e bartë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem. Sidoqoftë, një marrëveshje si kjo e Uashingtonit ia hapi dyert Vuçiqit për në zemër të Perëndimit dhe ia dha po ashtu vendeve që kanë interes në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, se Kosova bën kompromise në elementet që e identifikojnë një shtet si në rastin e moratoriumit për mos-aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kompromise si rasti i Ujmanit”, deklaron ai.
Në fund, analisti thotë se Hoti ka humbur të drejtën nga populli të flasë mbi interesat e vendit.
Por ai shpreson se nga kjo marrëveshje mund të minohet nga SHBA.
“Hoti e ka humbur të drejtën nga populli që të flasë mbi interesat e vendit dhe po ashtu është shpallur nga Gjykata Kushtetuese një kryeministër joligjor, që i bie se ne realisht jemi udhëhequr për gjatë gjithë qeverisjes Hoti nga njerëz jashtë-kushtetues. Por ka një fatkeqësi, nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nënkupton që ato duhet të zbatohen, por ka elemente ku plotë marrëveshje ndërkombëtare e edhe kjo e Uashingtonit mund të minohet dhe këto mundësi mund t’i japë vetë SHBA-ja në njërën anë me fuqinë e saj dhe duke shfrytëzuar minimet që i bënë vet Serbia”, ka deklaruar analisti Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.
Ahmeti: Marrëveshja e Uashingtonit në esencë nuk ka prodhuar diçka substanciale
Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit nuk ka prodhuar diçka substanciale për të cilën është proklamuar nga qeveria e kaluar.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/09/auto_auto_auto_auto_auto_hidajet1485328110154021859315511918731578578750_11625820042.jpg)
“Mendoj se deklaratat në mes kryeministrit Kurti dhe deputetit Hoti mund të jenë konfrontime politike, por marrëveshja e Uashingtonit në esencë nuk ka prodhuar diçka substanciale për të cilën është proklamuar nga qeveria e kaluar. Çdo marrëveshje ndërkombëtare e cila prek rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës potencialisht është e dështuar”, shprehet analisti.
Ai vlerëson se secila marrëveshje që bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës, duhet të injorohet nga qeveria.
“Gjykoj se është përgjegjësi politike, kushtetuese, ligjore e morale nga kushdo që tenton të përmbysë diçka që është ndërtuar dhe është obligim që qeveria e tanishme të injorojë çdo marrëveshje që është nënshkruar me Serbinë, e cila bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës. Dështimet e gabimet nuk duhet falur e aq më shumë kur tentohet që ato të devijohen e të përkthehen në suksese nga qeveritë e kaluara”, ka thënë ai.
Ai thotë se qeveria e tanishme e ka legjitimitetin për të vepruar, andaj duhet të mos përsërit gabimet e qeverive të kaluara.
“Por edhe qeveria e tanishme nuk duhet të përsërite gabimet e qeverive të kaluara, pasi e ka legjitimitetin dhe legalitetin për të vepruar brenda vullnetit e kërkesave qytetare”, përfundon analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.