Albin Kurtit i vjen thirrja: Këtë gjë duhet ta bëjë urgjentisht, “peshqit e mëdhenj”....

Politika

Albin Kurtit i vjen thirrja: Këtë gjë duhet ta bëjë urgjentisht, “peshqit e mëdhenj”....

Nga: P.R Më: 9 korrik 2021 Në ora: 21:21
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para se ta merrte postin e kryeministrit të Kosovës kishte thënë se një nga gjërat e para që do bëjë si kryeministër, është miratimi i projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia.

“Së pari ne do të duhet që të krijojmë një kabinet të vogël qeveritar, të vazhdojmë punët e mira që i kemi filluar në pranverën e vitit 2020 dhe shumë të tjera të cilat janë edhe më të mira. Duhet të fillojmë me projektligjin për mërgatën tonë që duhet të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata, gjithashtu duhet të fillojmë edhe me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia, duhet t’i kthejmë terminalet doganore që u janë dhënë kompanive private në shtet, e gjithashtu janë një mori vendimesh të qeverisë e cila doli të ketë qenë edhe jo kushtetuese, përveç se jo legjitime, e të cilat duhet t’i anulojmë”, kishte deklaruar Kurti në muajin shkurt.

E më të marr postin e kryeministrit, Kurti deklaroi se më 1 korrik do të finalizohet drafti i parë i Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por deri më tani nuk është bërë publik drafti i dokumentit, që njihet edhe si Ligji antimafia.

E analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, i bën thirrje qeverisë Kurti që sa më shpejt ta miratojë ligjin anti-mafia.

Image
Gani Qarri

“Duke pasur parasysh faktin se edhe vet Komiteti Kombëtar i Politikës së Jashtme Amerikane, ka kohë që në raportet për vendin tonë, ka rekomanduar që Kosova ta miratojë sa më parë ligjin anti-mafia, ky ligj tanimë bëhet i patejkalueshëm dhe duhet të miratohet sa më parë në Kuvendin e Kosovës”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, miratimi i këtij ligji është një goditje përfundimtare për krimin dhe korrupsionin.

“Madje të gjithë ekspertët dhe njohësit e specializuar të çështjeve ekonomike, e mbështesin dhe vlerësojnë akt të domosdoshëm nxjerrjen e ligjit anti-mafia, të iniciuar nga kryeministri i Albin Kurti, miratimi i të cilit do të ndikojë në parandalimin dhe goditjen përfundimtare të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, megjithëse suksesi dhe rezultatet e këtij ligji varen drejtpërsëdrejti nga gatishmëria e faktorëve vendimmarrës politik për zbatimin e tij në terren”, shprehet Qarri.

“Ligji anti-mafia, jo vetëm që do të jetë tejet i dobishëm, por dhe do të ketë ndikim shumë pozitiv, për të goditur mafio-oligarkinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, që deri më tan kanë vepruar të lirë dhe të papenguar nga askush, në dëm të Kosovës. Për aq më tepër kur kihet parasysh periudha e kaluar mbi dydekadëshe pa veprim të njëmendtë të drejtësisë, ky ligj mundëson edhe rifunksionalitetin dhe rindërtimin e shtetit të Kosovës”, shton më tej analisti Gani Qarri.

Sipas tij, krimi dhe korrupsioni janë dy problemet që edhe e kanë lënë pa liberalizim Kosovën.

“Ligj që forcon përpjekjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, i cili madje është tejet i vonuar, pasi që siç dihet tanimë publikisht, krimi i organizuar i ka futur rrënjët shumë thellë dhe u ka krijuar dëme të jashtëzakonshme ekonomisë dhe politikës vendore në dy dekadat e fundit, duke e lënë Kosovën pa liberalizim vizash dhe të izoluar nga gjithë bota. Ligji anti-mafia nevojitet edhe si masë parandaluese kundër pasurimit të mëtejmë, të paligjshëm të personave të dyshuar, si dhe mundëson konfiskimin e pasurisë se paligjshme që politikan të caktuar, kanë siguruar përmes veprimtarive të kundërligjshme ilegale”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

Më tej, Qarri thekson se miratimi i ligjit anti-mafia, krijon bazën për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme.

“Madje, përderisa Ligji për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, ka rezultuar me sukses në të gjitha vendet e rajonit, meqenëse deri më tani Kosova nuk ka pasur një ligj të tillë, Qeveria Kurti duhet ta miratoj sa më parë këtë ligj i cili krijon bazën për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë mafioze, me korrupsion e krim të organizuar dhe ta realizojë konfiskimin e pasurisë se paligjshme edhe në vendin tonë nga personat e inkriminuar dhe mafio-politika vendore, akt për të cilin , do ta ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve dhe atë të ndërkombëtarëve, pa harruar këtu gjyqet dhe institucionet tjera ligjore, nga të cilat, pas miratimit të këtij ligji, duhet dhe pritet të shihen rezultatet e veprimit”!”, shprehet Qarri.

Për kush duhet të ketë kujdes nga ky ligj sipas Qarrit?

“Kështu që nga ligji anti-mafia, duhet të kenë frikë të gjithë të inkriminuarit, pa përjashtim, përfshi edhe të ashtuquajturit "peshq të mëdhenj", ngase tanimë ka ardhur koha që pasuria e dyshimtë shumëmilionëshe, tu konfiskohet të gjithë politikanëve të inkriminuar, sado që realizimi në terren i këtij ligji, do të jetë një nga sfidat dhe sukseset me te mëdha të Qeverisë aktuale, nga e cila pas premtimeve elektorale priten edhe rezultatet e veprimit praktik”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Gani Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat