Mini-Shengeni po vazhdon të shihet si një iniciativë e rrezikshme për Ballkanin, sidomos për Kosovën.
Këtë mendim e ka edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por, pro kësaj iniciative janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Profesori Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kurti e ndalë këtë iniciativë, pasi që qëllimi i Serbisë është izolimi i Kosovës.
“Vetëm Kosova në krye me kryeministrin e saj Albin Kurtin fuqishëm e ndalë, nuk e pranon me asnjë kusht që në Ballkanin perëndimor të ekzistojë zona e Mini-Shengenit. Kryeministri I Kosovës Albin Kurti fuqimisht e refuzon këtë iniciativë, e cila sipas tij nuk ka vizion. Kurti iu bënë thirrje të gjitha vendeve të rajonit t`i përkushtohen agjendës së BE dhe marrëdhënieve transatlantik, sepse Zona Minishen i dëmton të gjitha vendet tjera që hyjnë në të, por që qëllimi i kësaj zone është zgjerimi dhe dominimi i Serbisë në rajon si vend i cili do t`i gllabëroi ekonomikisht të gjitha vendet e zonës Mini-Shengen. Thjeshtë, sipas kryeministrit Kurti kjo zone është shkatërruese për Kosovën, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik e nacional. Ose edhe më bindëse qëllimi i Serbisë është izolimin e Kosovës dhe shkatërrimin e pavarësisë se saj”, ka deklaruar Maxharraj për “Bota sot”.
Më tej, ai e ka kritikuar Ramën, duke e quajtur qëndrimin e tij “sui generis”.
Gjithashtu, profesori ka shtuar se me Mini-Shengen nuk do të ketë lëvizje të lirë nëpër Ballkan.
“Si gjithherë me këto qëndrime të Kryeministrit Kurti nuk pajtohet Vuçiçi si ideologi i zonës Mini-Shengen, po nuk pajtohet as Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili si papagalli pa e kuptuar esencën e zonës Mini-Shengen, po i del në krah Vuçiqit më tepër për shkak të miqësisë që e ka me të dhe mërisë që e ka për Albin Kurtin, i cili po ia thotë të vërteten ndër sy. Por Edi Rama esencën e Mini-Shengenit e kupton si një nevojë të qarkullimit pa pengesa të mallrave dhe njerëzve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një absurditet “sui generis” sepse si është e mundur të këtë lëvizje të lirë të njerëzve pa një stabilitet politik në rajon?. Si është e mundur të këtë lëvizje të lirë, kur nuk ka lëvizje të lirë, sepse personi posa e kalon kufirin me Serbinë arrestohet, denigrohet, maltretohet, bile edhe burgoset, sepse Serbia siç dihet nuk e njohë Kosovën si shtet por mundohet ta pengojë Kosovën, bile shkon edhe aq larg sa qe ka edhe pretendime territoriale”, ka deklaruar Maxharraj për “Bota sot”.