Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, do të ketë një rol të rëndësishëm në Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës.
Ai e ka pranuar ftesën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, që të bëhet këshilltar i tij special.
Ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, e quan dhuratë vendimin e Clark-ut për të qenë pjesë e ministrisë së forcës.
Ai shprehet se Kosovës i duhen kuadro të nivelit të gjeneralit Clark, i cili ka njohuri të përmasave botërore.
“Gjenerali Clark gjithnjë mbeti i lidhur me fatin e Kosovës dhe u mundua dhe kontribuojë mjaft edhe në këto kohëra të pasluftës. Prandaj, sipas dëshirës së tij dhe dashurisë që e ndjen ndaj Kosovës, pa hezitim e pranoi këtë post të Këshilltarit të Ministrit të Ushtrisë së Kosovës, që për shtetin tonë është një dhuratë dhe mirënjohje e lartë si nga vet Clark, po ashtu edhe nga vet Amerika. Sepse në këto kohëra të tanishme të formimit të ushtrisë tonë, edhe vet Kosova ka shumë nevojë për përvojat e tij dhe njohuritë ushtarake që i posedon, kur vendit tonë i duhen njerëz me aso provoja të kalitura ushtarake. Sepse ushtria e jonë e porsaformuar tani, i duhen njerëz të ngritur ushtarakisht e sidomos me të tillë që kanë njohuri të përmasave botërore dhe në hap me kohën, të teknikave luftarake, si dhe të armatimit që i duhen tani Kosovës, e sidomos furnizimi me armë moderne të kohës që i nevojiten t`i ketë ushtria e Kosovës, sepse çdo gabim i furnizimit në armatim të një ushtrie, është i dëmshëm dhe i pariparueshëm dhe së fundi përjetohet si disfatë për atë ushtri në të ardhmen, e kur dihet edhe çmimi i tyre”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.
Më tej, Tërnava shprehet se angazhimi i Clark-ut është një dhuratë e çmueshme për ushtrinë dhe se kjo dëshmon edhe miqësinë e fortë të Kosovës me Amerikën.
“Angazhimi i Clarkut është një dhuratë e çmueshme për ushtrinë kosovare. Tani edhe ushtritë e shteteve fqinje të orientuara armiqësisht ndaj Kosovës, veç janë duke e përjetuar panikun, për angazhimin e këtij eksperti të përmasave aq të larta botërore, që i posedon gjenerali Clark, si dhe kjo e dëshmon miqësinë tonë të fortë me Amerikën dhe është dëshmi e asaj se Amerika gjithnjë do të na qëndrojë afër si për kuadro ushtarake, armatim, financim, etj”, ka deklaruar Hajrulla Tërnava për gazetën “Bota sot”.