Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi/ Kryeministrit Kurti i kërkohet të vendos këtë kusht ndaj Vuçiqit

Politika

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi/ Kryeministrit Kurti i kërkohet të vendos këtë kusht ndaj Vuçiqit

Nga: A.Morina Më: 10 korrik 2021 Në ora: 17:56
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Ditë më parë, në Bruksel u mbajt takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga BE-ja, por përveç diskutimeve për dallimet që kanë palët, asnjë vendim nuk është arritur.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ngarkuar me çështjen e dialogut, tha se në takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut dhe për vërejtjet që kanë palët në lidhje me zbatimin e tyre.

“Ne kemi parashtruar ato vërejtje për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, përshembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi parë që pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet e saj”, tha Bislimi.

Lidhur me rëndësinë e dialogut dhe ecurinë e tij, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur analisti nga Amerika, Binak Maxharraj.

Ai potencoi se dialogu me Serbinë, i nisur dhjetë vite më parë është një kaptinë e veçantë e Qeverisë Kurti, ku shkaku i pushteteve të kaluara ky dialog i ka sjellë shumë dëme Kosovës.

Image
Analisti nga Amerika, Binak Maxharraj.

“Kaptinë e posaçme e Qeverisë Kurti II është dialogu me Serbinë, dialog ky i nisur para 10 viteve (2011), i udhëhequr keq dhe i cili ka sjell shumë dëme për Kosovën, ku gati e rrezikoj edhe ekzistencën e shtetit, sepse u sollën shumë marrëveshje në dëm të Kosovës, por më e rëndësishmja ishte ajo që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, te cilin ia lanë Qeverisë Kurti II të merret me të”, deklaroi analisti.

Sipas Maxharrajt, kritikat e partive opozitare drejtuar kryeministrit Kurti për dialogun me Serbinë, nuk janë të sakta. Pasi, krahas qeverive të kaluara, Kurti ka ndërruar qasjen ndaj Serbisë dhe Kosova ka hyrë në dialog si e barabartë me shtetin serb.

“Kishte hezitime dhe kritika nga opozita, se Kurti po ka frikë të ballafaqohet me dialogun me Serbinë, por nuk doli i saktë një konstatim i tillë i opozitës. Ani pse Qeveria Kurti fillimisht nuk e kishte prioritet dialogun, atë e kishte si prioritet të katërt, sepse sipas tij prioritetet zhvillimore të vendit ishin në plan të parë, por me insistimin e SHBA dhe BE ky dialog veç e ka nisë rrugëtimin e tij, jo aty ku e lanë keqbërësit e mëparshëm te dialogut, por me një qasje dhe performancë tjetër, duke theksuar se Kosova hynë në dialog si e barabartë me Serbinë”, theksoi ai.

Tutje, ai rikujtoi takimin Kurti-Vuçiq, gjatë së cilit kryeministri Kurti ia bëri të qarta kërkesat e Kosovës, ndonëse Serbia nuk i parashtroi kërkesat e saj.

Prandaj, Maxharraj kërkoi nga Kurti që në takimin e ardhshëm ta pyet hapur Vuçiqin për kërkesat e Serbisë në këtë dialog.

“Pra, në këtë dialog të rinisur Kurti ia bëri të qartë kërkesat e Kosovës, por Serbia nuk e parashtroi asnjë kërkesë zyrtarisht. Prandaj, Albin Kurti në takimin e ardhshëm me Vuçiqin me 25 korrik 2021 duhet haptas të pyet Vuçiqin: Cilat janë kërkesat zyrtare të Serbisë në këtë dialog, ta pyet se përse ka ardhur të dialogoj, duke lënë anash spekulimet e mediave të ndryshme”, nënvizoi analisti.

Në fund, Maxharraj potencoi se në rast se edhe në takimin tjetër presidenti serb nuk i paraqet kërkesat e tij, atëherë dialogu Kosovë-Serbi duhet të ndërpritet. Sepse, në këtë mënyrë po tentohet zvarritja e dialogut nga pala serbe, me qëllim që të mos e njoh pavarësinë e Kosovës.

“Pra, nëse Vuçiq nuk i parashtron mirë e qartë kërkesat e tij në këtë dialog ashtu siç i paraqiti Kurti, atëherë dialogu duhet të ndërpritet, sepse nuk ka dialog kur dihet se pala serbe nuk paraqet kërkesat e saj, kur dihet se Serbisë dhe Vuçiqit i konvenon zvarritja e dialogut për të fituar në kohë, por këtë Kurti nuk duhet ta lejoj, duke ia bërë me dije edhe SHBA-së dhe BE-së se dialogu duhet të vazhdoj të përfundoj më kërkesën finale për njohjen reciproke, siç e kërkoi edhe SHBA zyrtarisht nga Serbia, por edhe Kurti në takimin e pare”, përmbylli Binak Maxharraj, përcjell “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat