Kanë mbetur edhe pak muaj deri tek zgjedhjet lokale. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 17 tetorin si datën kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, ku do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave.
Deri më tani janë prezantuar shumë kandidatë nga partitë politike për komunat e ndryshme të Kosovës.
Në garën për Prishtinën janë prezantuar kandidatët që do të kandidojnë nga të gjitha partitë.
Kështu, Arben Vitia është përfolur si kandidat i mundshëm për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa ende nuk ka asgjë zyrtare. Përparim Rama është kandidat nga LDK-ja. Në këtë garë do të jenë edhe Daut Haradinaj nga AAK-ja e Uran Ismaili i PDK-së. Ndërsa Selim Pacolli do të përfaqësojë AKR-në për Prishtinën.
Njohësit e ҫështjeve politike në vend kanë vlerësuar se cili nga këta kandidatë do të ketë gjasat më të mëdha për të udhëhequr me Prishtinën.
Lufta më e madhe për Prishtinën
Kështu, Sulejman Mehazi, njohës i ҫështjeve politike, thotë se ‘lufta’ më e madhe e partive do të bëhet për kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën.
“Partia e cila fiton Prishtinën do shpallet fituese e zgjedhjeve lokale që do mbahen në tetor, jo rastësisht lufta më e madhe e partive politike do bëhet për kryeqendrën e Kosovës. Duke parë psikologjinë e votuesve jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet tjera ballkanike: Shqipëri, Maqedoninë e Veriore, Serbi, Mal të Zi e në Bosnjë-Hercegovinë është vërejtur se partitë që kanë fituar zgjedhjet parlamentare e që janë në pushtet gjithnjë kanë fituar edhe zgjedhjet lokale. Kjo psikologji e të votuarit gjatë zgjedhjeve lokale do nxjerrë fitimtar në Prishtinë LVV-në e Albin Kurtit”, vlerëson Mehazi.
Ai thotë tutje se LVV-ja nuk mund ta ketë të lehtë garën pasi partitë opozitare mund të bashkohen për ta mposhtur Arben Vitinë.
“Megjithatë LVV-ja nuk do ta ketë aq lehtë për ta sunduar Prishtinën sepse aty do përballet me të gjitha partitë opozitare të Kosovës: LDK, PDK e AAK, të cilët për ta mposhtur LVV- në gjatë balotazhit mund të bashkohen kundër kandidatit të LVV-së Arben Vitia apo të ndonjë tjetrit që do ta vendos LVV-ja e Kurtit. Nuk duhet harruar arkitektin e njohur Përparim Ramën të LDK-së i cili goxha do ta sfidojë kundërkandidatin e LVV-së”, thotë ai.
Mehazi thotë tutje se problemi i LVV-së do jetë se nëse kandidati i tyre shkon në balotazh me Ramën e LDK-së atëherë është e mundshme që AAK-ja dhe PDK-ja t'ia japin votën Përparim Ramës për të mposhtur kandidatin e LVV-së.
“Rrethanat politike tregojnë se LVV-ja do luftojë e vetmuar për ta marrë Prishtinën, kundrejt partive opozitare që do jenë të detyruar të koalicionojnë për ta mundur kandidatin e LVV-së në Prishtinë e gjetiu. Pra, lufta e zgjedhjeve lokale do jetë e gjithë partive opozitare kunďer LVV-së së Albin Kurtit. Kandidat serioze për ta fituar Prishtinën është LVV-ja, po nëse Përparim Rama i LDK-ja, gjatë balotazhit bashkëpunon me Haradinajn e Krasniqit atëherë mund t'i rrezikohet fitorja LVV-së në Prishtinë”, ka deklaruar profesori Mehazi për gazetën “Bota sot”.
Prishtina, komuna më komplekse
Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj thotë se kryeqyteti i Kosovës, Prishtina ka qenë dhe mbetet komuna më komplekse për sa i përket kontekstit zgjedhor.
“Në një kohë e cilësuar dhe trajtuar si bastion i LDK-së, ndodhi ndryshimi i madh kur ra në duart e VV-së, me ç'rast ra edhe miti mbi bastionin. VV, por edhe z. Shpend Ahmeti më vonë, nuk arritën të ndërtojnë një imazh të ri në qeverisje. Sot, nuk e kemi asnjë subjekt i cili Prishtinën mund ta trajtojë si bastion”, vlerëson ai.
Duhanaj thotë se kandidati i cili është marrë me tematikën e Prishtinën, është Uran Ismaili.
“Nëse u referohemi aktiviteteve dhe përkushtimit për Prishtinën përgjatë viteve të fundit, mund të konkludojmë se e vetmja parti dhe i vetmi kandidat i cili sistematikisht është marrë me tematikën e Prishtinës si nivel lokal, është z. Uran Ismaili dhe PDK. Përderisa opozitarizmi i LDK-së ka qenë në nivel asambleistësh, ka qenë PDK që përmes degës së Prishtinës, që moti i ka përcaktuar qëllimet dhe pretendimet për ta marrë Prishtinën”, vlerëson ai.
Sipas tij, rezultati që mund të marrin LDK e LVV është shumë e paqartë, pasi LDK-ja nuk dihet si qëndron pas dështimit në zgjedhjet e përgjithshme dhe LVV-ja nuk mund të marrë të njëjtën mbështetje si në zgjedhjet parlamentare.
“Për LDK-në dhe VV-në mendoj që është çështje e paqartë, përderisa LDK, nuk dihet ku qëndron pas debaklit në zgjedhjet e përgjithshme, edhe VV nuk besoj që do ta ketë mbështetjen e frymës të cilën e pati me 14 shkurt, e aq me pak besimin”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.