‘Zbulohen’ prapaskenat: Vuçiqi e dirigjoi dialogun në kohën e Thaçit, ky do të jetë qëllimi i Kurtit në bisedimet me Serbinë

Politika

‘Zbulohen’ prapaskenat: Vuçiqi e dirigjoi dialogun në kohën e Thaçit, ky do të jetë qëllimi i Kurtit në bisedimet me Serbinë

Nga: A.Z Më: 13 korrik 2021 Në ora: 22:21
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Takimi i ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka konfirmuar se ata do të vazhdojnë bisedimet në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deri tani Vuçiq ka zhvilluar bisedime duke i përcaktuar temat vetë në negociatat me Thaçin, madje gjatë kësa kohe i kanë vënë Kosovës edhe fusnotë. Analisti përmend edhe takimin e kaluar, i cili thotë se përfundoi pa rezultat, ku në këtë rast Kurti ishte këmbëngulës që bisedimet të zhvillohen në pozita të barabarta.

“Duke pasur parasysh faktin se Vuçiq gjatë mëse 10 viteve, sa ka zhvilluar bisedime, është mësuar që vet t’i caktojë temat dhe dirigjojë negociatat me kuislingun Thaçi, i cili e patë shkuar aq larg, sa pate kthyer Kosovën thjeshtë në një krahinë të Serbisë, duke i vënë pavarësisë së shtetit tonë edhe fusnotën, me të cilën nënkuptohet vendi me status të papërcaktuar, takimi i kaluar me kryeministrin Kurti i cili me të drejtë këmbëngul që bisedimet të zhvillohen në pozita të barabarta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura ,u zhvillua me mospajtime të mëdha dhe ishte mjaft i ashpër, për të mos thënë edhe pa asnjë rezultat të njëmendtë,” ka potencuar ai.

Më tej ka shtuar se as nga takimi që do të kenë tani Kurti dhe Vuçiq, nuk pritet ndonjë përparim, e në veçanti tani kur Vuçiq mundohet të imponojë kushte për Kosovën, sikur të ishte Kosova territor i Serbisë, pra të bëjë atë që e dikton shteti serb.

“Kështu që edhe në takimin e ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u paralajmërua se do të mbahet të hënën më 19 korrik në Bruksel, nuk pres përparime as arritje të mëdha, sidomos duke pasur parasysh tendencat regresive të presidentit serb, i cili me qëllim bënë presioni mbi palën kosovare, rreth një javë përpara, ka filluar t’i shfaq pretendimet e tij, për t’i imponuar Kosovës kushte dhe biseduar vetëm për rregullimin e brendshëm të saj, sikur njëmend Kosova të ishte territor, nën kontrollin e plotë të Serbisë dhe e detyruar të bëjë vetëm ashtu siç dikton shteti ish okupator dhe hegjemonist serb i Aleksandër Vuçiqit”, tha Qarri.

Tutje ka thënë se edhe takimi i tanishëm do të nisë dhe do të përfundojë me deklaratat e Vuçiqit, madje duke mos pranuar asgjë përfshirë edhe njohjen e shteti të Kosovës.

“Madje përderisa Serbisë, padrejtësisht, ende i lejohet edhe nga ndërmjetësuesit e BE-së, që ajo Kosovën ta trajtoj si koloni të saj, njëjtë siç nuk pati asnjë dakordim për asnjë nga çështjet me rëndësi, herën e kaluar edhe takimi i ri, pritet të nisë dhe përfundojë, me deklarata nga krimineli Vuçiq dhe delegacioni i Serbisë, se si ata nuk pranua asgjë dhe nuk lëshuan pe para asnjë kërkese të Kosovës, përfshirë edhe vet kërkesën për njohjen e Kosovës, si shtet i pavarur, për të cilën edhe zhvillohen bisedimet, përndryshe nuk do të kishin asnjë kuptim zvarritjet mbi një dekadëshe me të ashtuquajturat negociata, nëse marrëveshja përfundimtare nuk prodhon njohjen e Kosovës, për të cilën pala kosovare, vërtet me të drejtë Lufton”, shtoi ai.

Sipas Qarrit, nëse Vuçiq e konsideron kërkesë ekstreme njohjen e Kosovës nuk ka se për çfarë të ketë më bisedime me shtetin Serb.

Ai shtoi se vetëm pavarësia e Kosovës nuk është trajtuar për 10 vite, që për qëllim ka arritjen e një marrëveshje dhe pajtimin politik në mes të dy vendeve, gjë që nënkupton edhe gatishmërin për dialog Kosovë-Serbi.

“Nëse Aleksandër Vuçiqi, kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, edhe mbi 22 vite pas çlirimit, e konsideron si kërkesë ekstreme, atëherë nuk ka më, se për çfarë të bisedohet tjetër me këtë vend hegjemonist, sepse për të gjitha çështjet tjera të mundshme, është biseduar e stërbiseduar nga disa herë, ndërsa ajo që nuk është trajtuar kurrë për 10 vite me radhë të negociatave, është vetëm pavarësia e Kosovës, që edhe është qëllimi final dhe kërkesa më konstruktive e Republikës së Kosovës, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, pajtimin politik ndërmjet të dy vendeve dhe krijimin e sigurisë dhe të paqes e progresit në rajon, që do të nënkuptonte gatishmërinë e dyanshme për dialog konstruktiv dhe njohjen e ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën edhe kanë filluar e vijojnë të zhvillohen bisedimet me këtë shtet agresor, i cili në vend se ta njohë Kosovën,ende shpreh pretendime territoriale ndaj saj”, ka përfunduar Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat