Është riaktualizuar përsëri çështja e Minishengenit Ballkanik. Së fundit zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pasur një përplasje me Sekretarin e Shtetit serb, Nemanja Staroviq, pikërisht për çështjen e Minishengenit përgjatë Forumit të Dubrovnikut të mbajtur të shtunën.
Kryediplomatja e Kosovës e ka kundërshtuar iniciativën e Minishengenit, duke e konsideruar atë si false dhe kurth, në të cilin sipas saj, Kosova nuk do të bie.
Në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot”, ka folur profesori dhe njëherësh njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nijazi Halili.
Halili ka vlerësuar se pretendimet për themelimin e një Minishengeni Ballkanik janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, edhe të dëmshme në aspektin ekonomik, si dhe atë politik.
Ai për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se me këtë plan, Serbia hap kartat e saj duke synuar marrjen e detit Adriatik.
“Minishengeni Ballkanik sikur të ishte i drejt dhe të ishte për të mirë secili shtet do ta pranonte, pasi çdo shtet ka dëshirë që të bashkëpunojë me shtetet e tjera. Ngjashëm edhe Kosova, pse mos të futet në këtë agjendë. Por, sa e kam kuptuar dhe analizuar, Minishengeni Ballkanik për Kosovën nuk është i dobishëm, por as edhe për Shqipërinë. Ne edhe me tej nuk jemi shtete që mund t’i bëjmë konkurrencë Serbisë në aspektin ekonomikë. Andaj, Minishengeni i hap korridorin Serbisë për të dal në detin Adriatik, që i hap kartën kur dihet se synimi i këtij shteti çdoherë ka qenë deti Adriatik”, ka thënë profesor Halili.
Tutje, ai ka theksuar se Minishengeni është kryekëput i dëmshëm dhe qëllimkeq për shtetin e Kosovës.
Madje, lidhur me këtë çështje, Halili ka paralajmëruar edhe Shqipërinë, duke thënë se edhe për këta të fundit kjo nismë është e pafavorshme.
“Ne nuk kemi nevojë të bëjmë integrime brenda këtyre shteteve. Ne duhet t’i plotësojmë kriteret që na kanë dalë në Bruksel, e pastaj mund të flasim për këtë plan, pasi që Kosova të pranohet në Bashkimin Evropian. Si përfundim mund të them se Minishengeni si një plan është kryekëput i dëmshëm për shtetin e Kosovës, por edhe për Shqipërinë, dhe i pafavorshëm. Andaj, përderisa kryeministri Kurti nuk e pranon Minishengenin, vendi ynë do të atakohet. Ne nuk duhet të hezitojmë që të themi se ky plan është i dëmshëm dhe Kosova nuk ka fuqi që t’i bëjë rezistencë këtij grupi Ballkanik”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Nijazi Halili, për “Bota sot”.