“Albin Kurti nuk po bie në grackën e tij”, ja pse Ramush Haradinaj po e sulmon kryeministrin

Politika

“Albin Kurti nuk po bie në grackën e tij”, ja pse Ramush Haradinaj po e sulmon kryeministrin

Nga: P.R Më: 18 korrik 2021 Në ora: 20:12
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit edhe ish kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj po vazhdon me sulme dhe akuza në drejtim të kryeministrit Albin Kurti.

Së fundi, Haradinaj e ka quajtur mashtrues, duke thënë se shteti nuk udhëhiqet me fjalë, por me punë.

“Dikur e kundërshtoje ashpër taksën e Rrugës së Kombit dhe unë atëherë isha me ty! Por ti nuk paske qenë i sinqertë, sepse ndryshe nuk kishe vendosur që shtresës së mesme të popullit, e për hesap të oligarkëve, me ia marrë edhe nga 5 euro nga xhepi. Edhe kjo “nalepnica jote” ka mundur të kushtojë 1 euro, por ti paske hesape të tjera. Dikur veç unë të quaja mashtrues e tani numri atyre që të cilësojnë si mashtrues është tepër i madh! Zbrit në tokë o Kryeministër se Shteti nuk udhëhiqet me llafe, sado të bukura qofshin ato, por me punë! E ju çdo punë po e keni të ligë, siç e ligë është edhe kjo hajnia prej 5 eurosh!”, ka shkruar Ramush Haradinaj në drejtim të kryeministrit, Albin Kurti.

E krejt këto sulme të Haradinajt në drejtim të Kurtit, sipas analistit Faton Mehmeti, janë dëshmi se AAK po shkon drejt rënies edhe më të madhe.

Image
Faton Mehmeti

“Ramushi është i vetëdijshëm se partia e tij është në rënie me mundësi të madhe të shuhet. Në këtë kuptim duhet të themi se me këto veprime Haradinaj synon të mbaj anëtarësinë e AAK në këmbë, krejt kjo si pasojë e largimeve masive që po ndodhin në partine e ish kryeministrit Haradinaj”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Haradinaj po synon të faktorizohet duke u marr me Kurtin, por që ky i fundit nuk po bie në grackën e tij.

“Ramushi synon të bëhet faktor duke u marr me Albinin me shpresën se Albini do fillojë të merret me të, me heshtjen e tij Albini po e demolon Ramushin dhe kundërshtarët e tij. Kurti nuk po bie në grackën e tij. Me taktikën e Rugovës Albini vetëm sa po rritet më shumë, derisa AAK po shkon drejt shuarjes totale”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat