Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar më kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Ky takim ishte më i shkurtër se ai i radhës së kaluar të mbajtur më 15 qershorit, pasi palët nuk ishin dakord për asnjë çështje.
Delegacioni i Kosovës, ka propozuar marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh, të cilën pala serbe e ka refuzuar.
Lidhur me këtë takim për “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri. Ai ka komentuar qëndrimin e Serbisë, duke thënë se pala serbe edhe para ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian nuk e pranoi marrëveshjen për paqe dhe paktin për mos-sulmim ndaj Kosovës.
Gjithashtu, Qarri ka shtuar se me këtë u dëshmua se ministri i informatave dhe bashkëpunëtori i kasapit Sllobodan Millosheviq-it as që e ka ndërmend njohjen e Kosovës dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me vendin tonë.
“Vet fakti që Serbia edhe para ndërmjetësuesve të BE-së, në Bruksel, nuk pranoi as marrëveshjen për paqe dhe paktin për mos-sulmim ndaj Kosovës, dëshmon edhe njëherë më tepër se ministri i informatave dhe bashkëpunëtori i kasapit Sllobodan Millosheviq, krimineli Vuçiq, ashtu siç deklaron në vijimësi publikisht, as që e ka ndërmend njohjen e Kosovës dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me vendin tonë, por vetëm shtyrjen e agjendës së Serbisë përpara, për hapjen e kapitujve të ri me BE-në dhe pritjen e momentit të volitshëm për ta ri-okupuar Kosovën, përsëri me dhunë!”, ka thënë Qarri për “Bota sot”.