Ish-këshilltari për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Qeveria e Kosovës David Phillips, ka folur për deklaratën e fundit të diplomatit amerikan John Bolton. Ish-këshilltari i Donald Trump, Bolton, ka pranuar se ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë diskutuar për korrigjimin e territoreve Kosovë-Serbi.
Sipas Phillips, Thaçi dhe Vuçiq mund të kenë diskutuar ndarjen e Kosovës, mirëpo Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë përkrahur shkëmbimin e territoreve mes të dyja vendeve.
Për gazetën “Bota sot” eksperti amerikan ka thënë se nuk e di kontekstin e diskutimeve rreth ndarjes.
“Ata mund të kenë diskutuar ndarjen, por SHBA mohon se ka mbështetur shkëmbimin e territoreve. Vëzhguesit nuk ishin të pranishëm, kështu që ne nuk e dimë se çfarë u diskutua në të vërtetë, as nuk e dimë kontekstin e diskutimeve rreth ndarjes”, është shprehur kreu i Institutit të Universitetit Columbia për të Drejtat e Njeriut në New York.
Phillips ka treguar se ishte angazhuar nga Qeveria e Ramush Haradinaj si këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë, por ka theksuar se edhe ish-presidenti Thaçi ishte në dijeni të rolit të tij.
Teksa e ka quajtur “tradhtar të kombit shqiptar” ish-presidentin Thaçi, Phillips ka theksuar se kurrë nuk do të donte të punonte me të.
“Unë nuk isha këshilltar i Thaçit. Unë dua që kjo të jetë e qartë si kristali. Unë u mbajta nga MPJ e Kosovës me nxitjen e Kryeministrit Haradinaj. Sigurisht, Thaçi ishte në dijeni të rolit tim. Por unë nuk kam punuar për të - dhe kurrë nuk do të doja. Unë besoj fuqimisht se çdo shqiptar që mbështet ndarjen është një tradhtar i kombit shqiptar”, ka thënë më tej ai për “Bota sot”.
Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, ka thënë se diskutimet disa vjeçare për ndarjen e Kosovës ishin humbje e madhe e kohës.
“Ata (Thaçi dhe Vuçiq) kaluan disa vite duke diskutuar ndarjen kur duhej të ishin fokusuar në shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik. Diskutimi i ndarjes ishte një humbje e madhe kohe”, është shprehur David Phillips.
Sipas tij, ndarjen e Kosovës e ka ndaluar populli i Kosovës dhe shtetet mike Gjermania e Britania e Madhe, si kundërshtare të forta të kësaj ideje.
“Populli i Kosovës ndaloi ndarjen duke kundërshtuar me vendosmëri propozimin fals të shkëmbimit të territoreve. Gjermania dhe Britania ishin gjithashtu kundërshtarë të fortë të ndarjes, siç ishin shumica e politikanëve të Kosovës”, ka shtuar David Phillips.
Phillips ishte dorëhequr nga pozita e këshilltarit për Marrëdhënie me Jashtë, në vitin 2018, pasi kishte deklaruar se nuk "donte të bëhej pjesë e ndarjes së Kosovës"./Botasot