Pas takimeve në Bruksel ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, opozita në Kosovë ka kritikuar sjelljet dhe veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Ata e kanë kritikuar Kurtin se po e kthen dialogun në pikën fillestare, madje po mungon edhe raportimi i tij për takimet në Bruksel.
Opozita nuk është pjesë e dialogut dhe ditët e fundit kanë deklaruar se ‘janë në terr informativ sa i përket transparencës së Kurtit në dialog’.
“Ne si deputet të opozitës jemi në terr informativ sa i përket qasjes së Kurtit në dialog, ne nuk e kemi asnjë raportim të tij para se të shkoj në Bruksel, ne e dimë që edhe Bislimi ka pasur takime dhe ne si komision nuk kemi asnjë informacion dhe nuk e dimë cilat janë parimet dhe është kthyer në një betejë të brendshme politike në vend që të ishte si pikë kur të gjithë të jemi bashkë, Kurti nuk është duke mbrojtur asnjë vlerë të re të cilën nuk e kanë bërë kryeministrat e mëhershëm të gjithë kanë qenë të një qëndrimi që duhet të mbrohet sovraniteti si dhe të drejtat Kosovës si shtet, po ashtu edhe për të pagjeturit edhe tema të tjera që ai veç i ngrit. Nuk kemi asgjë të re përveç që ai është ulë në tavolinë duke i thyer të gjitha premtimet që i ka dhënë elektoratit”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi.
“Bota sot” ka kërkuar edhe sqarime nga Qeveria Kurti pse opozita nuk është pjesë e dialogut dhe a duhet të jetë pjesë në këto takime. Mirëpo, zyrtarët nga qeveria nuk janë përgjigjur.
Shala: Gjithҫka e zhvilluar rreth dialogut është pa transparencë
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/31/auto_ferat1627751213.jpg)
Nga opozita, deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka thënë për ‘Bota sot’ se opozita nuk është ftuar të jetë pjesë e dialogut. Sipas tij, gjithçka rreth dialogut deri më tani është pa transparencë.
“Opozita nuk është ftuar të jetë pjesë e dialogut. Gjithçka deri më tash që është zhvilluar rreth dialogut është pa transparencë, pa koordinim partiak dhe pa platformë”, ka thënë Shala.
Ai më tutje ka deklaruar se opozita nuk ka se ҫfarë të kërkojë në dialog.
“Aktualisht opozita nuk ka ҫfarë kërkon në dialog”, është shprehur deputeti Shala për “Bota sot”.
Zeqiraj: Opozita ka refuzuar pjesëmarrjen bashkëpunuese me pozitën, duke e konsideruar si "bartje çante të Albinit!"
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/31/auto_IDRIZ-ZEQIRAJ-550x300-11627751217.jpg)
Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kurti para se të fillonin bisedimet i ka bërë kërkesën e sinqertë që të jenë bashkë pozitë dhe opozitë në komisionin dialogues.
“Kritikat e opozitës për Qeverinë Kurti-2, sidomos për dialogun, kryeministri i ka amortizuar, ende pa filluar dialogun me palën serbe. Ai u ka bërë ftesën-kërkesën e sinqertë, të jenë së bashku, pozitë dhe opozitë, pjesë e Komisionit dialogues. Por, opozita ka refuzuar pjesëmarrjen bashkëpunuese me pozitën, duke e konsideruar si "bartje çante të Albinit!" Refuzimi ka vetëm një arsye: pritjen e dështimit të Qeverisë Kurti-2 dhe ardhjen e opozitës në pushtetin e gatshëm, pa zgjedhje, përfshi këtu edhe Listën Serbe, siç ndodhi pas rrëzimit të Qeverisë Kurti-1! Dinakja dhelpër, lakmonte b**** e varura të dashit dhe priste rënien në tokë të tyre”, është shprehur Zeqiraj.
Ai thotë tutje se, opozita bllokon votimin, qoftë edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, ku nevojitën 2/3 e votave të deputetëve, me arsyetimin idiotesk se "edhe Vetëvendosje ka bojkotuar votimet e tilla!"
“Por, cilat kanë qenë ato marrëveshje? "Demarkacioni", "Zajednica", zgjedhja banditeske e Hashimit president dhe të tjera pisllëqe të ngjashme, të cilat e mbajnë peng Kosovën, edhe sot e gjithë ditën! Banda e shantazhuar, në qeveritë e kaluara, ishte gati të falte tokat shqiptare, në këmbim të liberalizimit të vizave. Ata mashtronin dhe gënjenin popullin dhe ndërkombëtarët, madje, vazhdojnë ta gënjejnë edhe sot, se, kinse, "kemi plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave!" Dhe, këtë e kanë bërë, në vijimësi, që nga viti 2015. Ndërkohë që janë mijëra lëndë penale të stivosura, që presin të parashkruhen, pa u shqyrtuar fare!! Në mes tyre, edhe shumë qindra dosje penale, të ekzekutimeve politike. Dhe, kur një ministre dinjitare, e diplomuar në njërin nga Universitetet më presgtigjioz të Evropës, e thotë të vërtetën, madje, në shkallën sipërore, hienat e strehuar në Parlamentin e Kosovës, në pamundësi demantimi, sulmojnë kriminalisht e rrugaçërisht, duke kërkuar edhe dorëheqjen e saj”, thotë ai.
Po ashtu, Zeqiraj përmend akuzat e opozitës edhe për mostransparencë të Kurtit rreth dialogut.
“Një akuzë tjetër, fort cinike, e opozitës për pozitën është "mungesa e transparencës për dialogun"!? Ndërkohë që, ende pa dalë nga korridoret selisë të bisedimeve, shpaloset e gjithë ajo çfarë është biseduar me palën serbe. Ndërsa, po këta horra, kurrë nuk i kërkuan llogari Hashim Thaçit dhe stafit të tij dialogues, përtej një dekade, që kulmoi me lobimin për ndarjen e Kosovës. Ja çfarë horrake e horrash ka Parlamenti i Kosovës?! Opozita i kërkon transparencë pozitës, edhe para shkuarjes për bisedime. Por, si do të bëhet kjo, sa do të ruhet fshehtësia paraprake e dialogut të pritshëm, kur argatët e Serbisë i sjellin dosjes e Hagës në OVL të UÇK-së, për ta sabotuar drejtësinë, Gjykatën Speciale të Kosovës, për t`i zbuluar dhe përndjekur dëshmitarët!? Madje edhe kuadri i SHIK-ut, i punësuar në zyrën ndërlidhëse Prishtinë-Hagë, dekonspiron materialet sekrete, në shërbim të hetimit! Dhe, pisllëqe të tjera që rrënojnë imazhin, edhe ashtu të lënduar të Kosovës tonë”, thotë analisti Zeqiraj për “Bota sot”.