Fuqia e Vjosa Osmanit po ua dridhë gjunjët shërbëtorëve të ish-regjimit

Politika

Fuqia e Vjosa Osmanit po ua dridhë gjunjët shërbëtorëve të ish-regjimit

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 8 gusht 2021 Në ora: 16:56
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ish-këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka përdorur gjuhë të papranueshme ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka deklaruar se presidenca po mundohet t’i fshehë pushimet e Osmanit në Turqi, duke dekretuar ligje të mëhershme.

Ai ka zgjedhur që të përshkruaj çka, sipas tij, bën presidentja në det – nëse ka shkuar atje.

“E turbullon pak detin dhe e ngre ujin përpjetë”, ka shkruar ish-këshilltari i Thaçit.

Përveç Behramajt, gjuhë të papranueshme ndaj presidentes kishte përdorur edhe deputeti i PDK-së Ardian Kastrati, por pas reagimeve që mori, i njëjti kishte fshirë postimin.

Ndërsa, Univeristeti i Prishtinës ishte distancuar nga gjuha e profesor Kastratit dhe këtë çështje e kishte dërguar për trajtim me prioritet në Këshillin e Etikës.

Lidhur me këto ofendime të njëpasnjëshme ndaj Osmanit, për “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohë të çështjeve politike dhe juridike.

“Fjalët e tij kanë të bëjnë me xhelozinë”

Image
Analisti Sulejman Mehazi

Kështu, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se në këtë mënyrë ndaj Osmanit shprehen vetëm personat me mangësi morale, siç është Behramaj, që sipas tij, tregon nivelin e të ulët njerëzor.

“Vetëm personat me mangësi të madhe morale, intelektuale e etike shprehen në këtë mënyrë ndaj presidentes, Vjosa Osmanit, sikurse që është ish-këshilltari i ish-presidentit Thaçit, Adil Berhamaj, shprehjet perfide e të turpshme të Berhamajt tregojnë jo vetëm nivelin e tij të ulët njerëzor, por edhe të ish-presidentit Thaçit pasi këshilltarët e kanë kuptimin e pasqyrës së vet ish-presidentit të Kosovës. Jo rastësisht karriera politike e Thaçit përfundoi në Gjykatën e Hagës, ja çfarë dhurate këshilluese i kanë dhënë tipat e pagdhendur të Adil Barhamajve dhe të Ardian Kastrateve të cilët rrugaçërisht ofenduan presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin”, deklaroi ai.

Më tej, Mehazi ka shtuar se fjalët e Berhamajt janë edhe për shkak të xhelozisë ndaj Osmanit, e që e kanë kuptimin e moralit dhe të etikës.

Mehazi thotë se PDK dhe Thaçin, janë të poshtëruar që kanë zgjedhur këshilltar pa dije këshilluese.

“Fjalët e pa matura të Berhamajt për Osmanin se, "e turbullon pak detin dhe e ngre ujin përpjetë”, kanë të bëjnë me xhelozinë e analfabetëve politik të PDK-së ndaj karizmës intelektuale e politike të presidentes Osmani. Fjalët e shëmtuara ndaj presidentes e kanë kuptimin e gjysmës së budallakisë morale e etike që s'kanë fare të bëjnë me fjalorin kritikues të opozitës ndaj presidentes së Kosovës. Më e keqja është se Berhamaj këto fjalë ofendues ia thotë gruas, nënës së autoritetshme të dy fëmijëve që prezanton denjësisht Kosovën. Vetëm të poshtëruarit poshtërojnë, kurse të nderuarit të nderojnë, në këtë rast i poshtëruar është ish-këshilltari i ish-presidentit Adil Berhamaj së bashku me PDK-në dhe ish-presidentin Hashim Thaçin që ka zgjedhur këshilltarë të pacipë e pa farë dije këshilluese”, ka përfunduar Mehazi.

“Ofendimet kanë marrë kahje të rrezikshme”

Image
Juristi Muhamet Kelmendi

Juristi Muhamet Kelmendi, ka potencuar se për përfitime politike bëhen ofendime, madje ai thotë se ofendimet tani janë bërë dukuri e çdo ditshme, që kanë marrë edhe kahje të rrezikshme.

Tutje shton se, demokracia nuk lejon konflikte fizike apo ofendime të cilat janë mbi baza personale ose të urrejtjes.

“Në Kosovë është kuptuar demokracia dhe pluralizmi jo në kuadër të kufizimeve dhe respektimit mbi baza të tolerancës dhe mendimeve të të kundërtave. Shkohet deri atje sa që për përfitime politike dhe interesave të ndryshme bëhen ofendime dhe krijohen shumë çrregullime në vetë sistem. Këtej janë edhe raportet jo demokratike në politikën e Kosovës. Ofendimet janë dukuri e çdo ditshme. Ku më shumë e ku më pak. Por, ofendimet kanë marrë një kahje të rrezikshme, tamam si në Shqipëri. Është jo normale mos respektimi i pozitave shtetërore. Demokracia toleron mendimet e të kundërtave por jo konfliktet dhe ofendimet. Ka raste edhe kur tolerohen çështjet e tilla. Kjo varet nga pozitat dhe detyrat që kryhen. Por, e përbashkëta është demokracia toleron mendime, por jo konflikte fizike dhe ofendime të natyrave të ndryshme që janë mbi baza personale a të urrejtjes”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

“Me ligj të ndalet gjuha degraduese”

Image
Juristi Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka theksuar se është e papranueshme gjuha e urrejtjes, si dhe nxitja e diskriminimit në baza të shumta.

Burjani shton se duhet të ndalet me ligj gjuha degraduese.

“Përdorimi i gjuhës së urrejtjes është i pa pranueshme pa marr parasysh kush këtë e bënë, është degradim i moralit, traditës dhe kulturës, dhe ka inidkiacione të shpërfilljes së njerëzve në baza të shumta. Pra, është e pranueshme përdorimi i gjuhës së urrejtjes, nxitjes së diskriminimit në baza të shumta. Kjo gjuhë degraduese duhet të ndalet me mjete ligjore”, ka thënë Burjani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat