Koncerti i Bregoviçit acaron shqiptarët, pritet eskalim i situatës në Festën e Korçës

Politika

Koncerti i Bregoviçit acaron shqiptarët, pritet eskalim i situatës në Festën e Korçës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 gusht 2021 Në ora: 08:10
Edi Rama, Goran Bregoviç

Ftesa e këngëtarit serb, Goran Bregoviq në Festën e Birrës në Korçë, ka nxitur reagime dhe pakënaqësi të shumta.

Për shkak të kësaj shumë këngëtarë shqiptarë janë tërhequr nga ky festival.

Krahas kësaj, kishte edhe kërcënime se do të ndalet me çdo kusht performanca e Bregoviqit, dhe se ky i fundit nuk do të lejohet të paraqitet në Festën e Birrës.

Mirëpo, këto deklarata dhe kërcënime nuk i kanë penguar zyrtarëve të bashkisë së Korçës të cilët me çdo kusht kanë njoftuar se do të mbahet ky koncert.

Po ashtu, deklaruan se janë denoncuar disa individë të cilët kanë protestuar duke thënë se nuk do ta lejojnë performancën e Bregoviçit në Korçë. Njëri ndër të denoncuarit është edhe reperi shqiptar, Noizy.

Analistët për gazetën “Bota sot” komentuan mundësinë e eskalimit të situatës dhe prapaskenat që mund të ndodhin në Korçë gjatë performancës së Bregoviqit.

Ata nuk përjashtuan mundësinë e konfrontimit fizik mes shqiptarëve!

Kapiti: Për kokëfortësinë e Qeverisë Rama, mund të eskalojë situate ndërmjet shqiptarëve!

Image
Skënder Kapiti

Lidhur me këtë, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti.

Ai tha se ftesa për Goran Bregoviqin nuk është rastësore apo aksidentale. Kapiti beson që kjo është bërë me një qëllim të paramenduar, duke pas parasysh se në të kaluarën është denoncuar dhe akuzuar Edi Rama, për dekorimin e po këtij këngëtari me Çelësin e Bashkisë së Tiranës.

“Ftesa e këngëtarit serb, Goran Bregoviq në festën e Birrës në Korçë ka nxitur reagime të mëdha. Kjo ftesë nuk është aksidentale, as rastësore dhe as naive ,por ka një shtrat e qëllim të paramenduar e të stërholluar me shumë finesë. Nëse ta zëmë se Bashkia e Korçës nuk mund të bënte në këtë festë pa serbë artistë apo misionarë artistë të politikës serbe, atëherë pse Bashkia e Korçës nuk ftoi ndonjë tjetër këngëtar serb, por pikërisht Bregoviçin kur dihet shumë mirë se jo vetëm shqiptarë të Kosovës por edhe të Shqipërisë e kanë kritikuar, denoncuar dhe akuzuar Edi Ramën për dekorimin e po këtij këngëtari me Çelësin e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi ai.

Në vazhdim, analisti u shpreh se duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve të bashkisë së Korçës, mund të kuptojmë se ftesa për Bregoviqin është bërë nga kryeministri Edi Rama.

“Zyrtarë të Korçës e kanë cilësuar Bregoviqin si këngëtar të madh dhe se ai do të performojë, pa marrë parasysh kërcënimeve, pikërisht se kështu, për këtë dhe me këtë justifikim e ka nderuar edhe ish-kryetari i Bashkisë atëherë e që sot është Kryeministër, Edi Rama. Dhe logjikisht rezulton arsyeshëm se këtë ftesë e ka bërë kryeministri, por me firmën e vulën e Bashkisë së Korçës”, theksoi Kapiti.

Fatkeqësish, opinionisti konsideron se në Shqipëri ka një shtresë serbofilësh admirues të kulturës, gjuhës, këngës dhe sportit serb që nuk ndjejnë asgjë për vuajtjet e për traumat që serbët u kanë shkaktuar shqiptarëve të Kosovës.

“Kundër kësaj ftese janë të gjithë shqiptarët patriotë të cilët ndjehen shpirtërisht shqiptarë dhe që kanë ndjesi e dhimbje për ato trauma e tragjedi që kanë pësuar shqiptarët e Kosovës prej 150 vitesh nga gjenocidi serb.

Mirëpo, fatkeqësisht në Shqipëri ka një shtresë serbofilësh admirues të kulturës, gjuhës, këngës dhe sportit serb që as nuk ndjejnë asgjë për vuajtjet e për traumat që serbët u kanë shkaktuar shqiptarëve të Kosovës, pra bashkëkombësit e vet., e qe serbët as minimalishit as falje nuk kanë kërkuar”, nënvizoi ai.

Tutje, Kapiti potencoi se do të ishte turp i madh për Qeverinë e Shqipërisë nëse e mobilizohet për të shkuar mirë paraqitja e Bregoviqit në Korçë, duke pas edhe parasysh se mund të eskalojë situate ndërmjet shqiptarëve, shkaku i kokëfortësisë së tyre.

“Këtë e vërteton edhe fakti se fatkeqësisht ne Shqipëri ka jo pak shqipfolës që janë kosovarofob. Këtë kosovarofobi e shohim te kryeministri aktual dhe te e ashtuquajtura rilindje e tij që janë në pushtet. Shqiptarët patriotë nuk e kanë të shlyer nga kujtesa edhe ndeshjen Shqipëri- Serbi në Tiranë, nuk harrohet ajo reprezalje që iu bë nga shteti policor shqiptar tifozëve kuq e zi duke mos i lejuar ata që të hyjnë në stadium për ta mbështetur kombëtaren shqiptare. Nëse mobilizohet shteti shqiptar për t’i shkuar mirë performanca Bregoviçit në Korçë, ky do të ishte një turp kombëtar, pasi kur e shikon qeveria se mund të eskalojë gjendja dhe ndoshta edhe mund të ketë përplasje mes shqiptarëve në Shqipëri për kaprriçot dhe kokëfortësinë e pushtetit, kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri”, shpjegoi analisti.

Në fund, Kapiti tha se Festa e Korçës nuk ka pse të shndërrohet në një ngatërresë mes shqiptarëve, ku do të përplasen mes vetes për një këngëtar shovinist e antishqiptar si Bregoviqi.

“Kjo festë e Birrës Korça, nuk është ndonjë festival apo eveniment ndërkombëtar, ku shteti pritës e organizator është i detyruar që të respektojë përfaqësuesit artistë apo sportistë të vendeve të tjera, por kjo është një festë lokale. Dhe nuk ka pse të shndërrohet në një ngatërresë mes shqiptarëve e që do t’i linte një njollë të zezë jo vetëm Korçës por edhe Shqipërisë, se si shqiptarët përplasen mes vetes për një këngëtar shovinist e antishqiptar si Bregoviçi. Ky rast vërteton atë se çfarë politike e pushteti të papërgjegjshëm ka sot në Shqipëri”, përfundoi Skënder Kapiti.

Shala: Është ngritur siguria për Bregoviqin, pasi mund të eskalojë situata

Image
Drizan Shala

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në pronononcimin për gazetën “Bota sot” u shpreh se ftesa e Goran Bregoviqit është politizuar shumë.

Ai tha se Shqipëria është shtet i pavarur dhe i ndjek interesat e saj, edhe nëse bien në kundërshtim me të kaluarën e Kosovës.

“Në lidhje me reagimet mund të themi që është politizuar tej mase.

Sepse, mos të harrojmë, Shqipëria është shtet i pavarur dhe i ndjek interesat e saj, edhe nëse bien në kundërshtim me të kaluarën e Kosovës”, deklaroi Shala.

Tutje, eksperti potencoi se duke u bazuar në kërcënimet dhe deklaratat e ndryshme është rritur siguria për këngëtarin serb, pasi edhe mund të ketë eskalim të situatës.

“Sipas organizatorëve, koncerti do të mbahet, por edhe sipas informacioneve është ngritur siguria edhe për këngëtarin në fjalë për arsyeje se mund të ketë eskalim të situatës nga qytetarët e revoltuar që mund të shkojnë nga Kosova në Shqipëri”, theksoi Drizan Shala.

Krasniqi: Shkaku i Goran Bregoviqit, po luhet me ndjenjat e shqiptarëve!

Image
Islam Krasniqi

Kurse, analisti politik, Islam Krasniqi e përmendi faktin se nuk është hera e parë që Goran Bregoviq merr pjesë në koncerte në Shqipëri.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se nuk po arrin ta kuptojë se si disa njerëz po e kundërshtojnë ardhjen e Bregoviqit, ndërsa në familjet e tyre konsumojnë produktet serbe.

“Nuk është hera e parë që ky këngëtar serb merr pjesë në festivale apo koncerte në Shqipëri, edhe se kuptoj pse disa njerëz po e kundërshtojnë këtë, derisa në familjet e tyre konsumohen apo furnizohen me produkte serbe”, deklaroi ai.

Mirëpo, pavarësisht kësaj Krasniqi beson që me ftesën e këngëtarit serb është luajtur me ndjenjat e disa qytetarëve.

Ai përmendi edhe raportet e ngushta të Ramës me Vuçiqin, ku sipas tij këto marrëdhënie kanë filluar të shtrihen edhe në rrafshe tjera, jo vetëm politike.

“Realisht për disa paraqitja të këtij solisti serb në Korçë, është luajtur me ndjenjat e disa qytetarëve të cilët vërtet me fanatizëm e ruajnë kulturën dhe artin tonë, por mos të harrojmë së kryeministri shqiptar dhe presidentit serbe janë shumë shokë të mirë dhe kjo ka filluar të shtrihet edhe në rrafshe tjera, e që për ne kosovarët nuk është e mirë aspak”, theksoianalisti.

Në fund, krahas gjithë këtyre pakënaqësive dhe tensioneve, Krasniqi nuk beson se do të eskalojë situata në Festën e Birrës, në të cilën pritet të performojë Goran Bregoviç.

“Nuk besoj që do të eskalojë situata dhe nuk do të ketë ndonjë problem, sepse qyteti i Korçës i ka bërë përgatitjet dhe do të mbaj gjithçka nën kontroll. Andaj më e dëmshme është furnizimi me produkte serbe se sa pjesëmarrja e një këngëtari serb në një festival shqiptarë!.”, përmbylli Islam Krasniqi, përcjell “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat