Kryeministri shqiptar Edi Rama haptazi po i tregon raportet e mira që i ka me presidentin serb, Aleksandër Vuҫiҫ. Veprimet e fundit të kryeministrit Rama po kritikohen nga liderët e politikës në Kosovë, që thonë se ky i fundit po e tradhton Kosovën.
Madje një afrim të Ramës me Vuҫiҫin, njohësit e politikës në Kosovë po e shohin si të rrezikshëm, jo vetëm për kryeministrin Albin Kurti, por edhe për SHBA-në dhe BE-në.
Kështu mendon analisti politik, Sylejman Mehazi.
“Miqësia e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me presidentin serb Vuçiq është jashtëzakonisht e rrezikshme, jo vetëm për Albin Kurtin e Kosovën, por edhe për SHBA-në e BE-në, me këto raporte të mira me Vuçiqin jashtë interesave amerikane e evropiane Edi Rama ka hyrë në ujërat e turbullta serbe-ruse sa që nuk e dimë se a është i vetëdijshëm se ç'bën, në cilën rrugë shkon e ç'mund t'i ndodhë. Të lësh anësh Republikën e Kosovës që SHBA-ja e BE-ja e shkëputën nga Serbia me anë të bombardime të përditëshme tremujore, e në anën tjetër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me Ballkanin e Hapur të pajtohet me ish-ministrin kriminel të Millosheviqit, Aleksandar Vuçiqin, s'është gjë tjetër përveç vetëvrasjes politike për vetë Edi Ramën”, thekson Mehazi.
Mehazi: SHBA e BE do detyrohen të eliminojnë nga skena politike Edi Ramën
Ai shton se, superfuqitë SHBA e BE do ta eliminojnë nga skena politike Edi Ramës, sikurse bën me mikun e tij dhe të Vuҫiҫit, Hashim Thaҫin.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/09/auto_auto_mehaz15951872881628521686.jpg)
“Ballkani i Hapur i Vuçiqit dhe Ramës në formën e "nazavisne drzhave ballkana (Të shteteve te pavarura ballkanike) sfidon jo vetëm Kurtin e Kosovën, por edhe SHBA-në e BE-ne që e krijuan Kosovën sa që këto superfuqi do detyrohen të eliminojnë nga skena politike Edi Ramën njësoj sikurse e eliminuam mikun e tij dhe të Vuçiqit, Hashim Thaçin”, thotë ai.
Mehazi thotë tutje për “Bota sot” se, e mira e kryeministrit të Shqipërisë do ishte që t'ia kthejë shpinën presidentit serb, Vuçiqit e t'i afrohet Kosovës së Albin Kurtit se për ndryshe do përfundojë në pusin e pafund serbo-rus.
“Duhet ta dijë Edi Rama se Gjykata Speciale e Hagës nuk e lejoi Thaçin të devijonte rrugëtimin politik të Kosovës drejt shkëmbimeve të territoreve me Serbinë, po ashtu nuk do lejojnë edhe Edi Ramën me mikun e Serbisë, Vuçiqin të devijojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor me Ballkanin e Hapur kundër tyre. Derisa Gjykata e Hagës në Kosovë eliminoi politikisht Thaçin e Veselin, në Shqipëri shenjat e para diciplinore të elitës politike vijnë nga ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e cila së pari disiplinoi deputetin Sali Berisha, më pas ambasadorja e SHBA-ve, Kim, do disiplinojë Ilir Metën e më në fund Edi Ramën me burg”, vlerëson ai.
Sipas tij, përkrahja e Vuçiqit nga Rama ose është tradhti kombëtare, ose është i urdhëruar ta bëjë lojën pas skenike politike të SHBA-së në dobi të Kosovës e shqiptarëve.
“Koha do tregojë se pse Rama është me Vuçiqin e kundër Albin Kurtit e Kosovës? Një gjë është e qartë se nëse Rama është me Vuçiqin e Serbinë do përfundojë keq e më keq”, thotë Mehazi.
Duhanaj: Rama-Vuҫiҫ dhe Rama-Kurti janë çështje të ndryshme
Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj thotë se raportet Rama-Vuҫiҫ dhe Rama-Kurti janë çështje të ndryshme.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/09/auto_ljeon_duhanaj1628521695.jpg)
“Për mendimin tim, raportet, Rama - Vuçiq dhe Rama- Kurti, janë dy çështje krejtësisht të ndara. Nga njëra anë, z. Rama, që nga fillimi i karrierës së tij si Kryeministër i Shqipërisë, ka pretenduar të marrë një rol udhëheqës në lidershipin regjional e me gjerë, gjë që në masë të madhe edhe ja ka dalë. Në këtë pikë, z. Vuҫiҫ, duke qenë se përfaqëson edhe shtetin më të madh, e njëkohësisht bazuar në konjukturat gjeopolitike edhe më të përkëdhelura ka pretendime po ashtu të mëdha për ta luajtur liderin, njëherësh edhe t'i bëhet konkurrent Ramës. Pengesë për z. Vuҫiҫ në këtë pikë është të qenurit palë në konflikt”, thekson Duhanaj.
Sipas tij, Rama, në anën tjetër nuk e ka këtë problem dhe ka mundësi me qenë aktiv në këtë ambicie, pse jo edhe duke ndikuar në përafrimin e palëve.
“Në ketë pikë Procesi i Berlinit, u erdhi si shans për të dalë me ide "kreative" për të ardhmen e përbashkët të regjionit. Kreative në thonjëza, sepse po mundohen që me anë të emërtimeve dhe aksioneve të ndryshme ta përdorin ketë ide të procesit të Berlinit për të nxjerrë kapital politik. Në anën tjetër z. Kurti, duke qenë se deri në majat e hierarkisë së shtetit të Kosovës ka ardhur duke sabotuar proceset politike në tërësi dhe duke luftuar kundërshtarët e tij me të gjitha mjetet, ka vazhduar me këtë ide të destruktivitetit edhe në raportet me Edi Ramën”, vlerëson ai.