Javën që po lëmë pas Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur kryesinë e re prej 27 anëtarësh.
Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, menjëhere pas mbledhjes ka thënë se emrat e rinj do ta përcjellin PDK-në drejt fitoreve të reja.
Ishte Krasniqi ai i cili para mediave ka lexuar edhe emrat e kryesisë së re.
“Anëtarë të kryesisë do të jenë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Qollaku, Nexhat Demaku, Besa Kabashi Ramaj, Evgjeni Thaci Dragusha, Adri Nurellari, Sokol Bashota, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj, Blerand Stavilieci, Myzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtim Gashi dhe Safete Hadergjonaj, ndërsa Donjet Bislimi është kryetar i rinisë së PDK-së dhe është anëtar ex-officio”, deklaroi Memli Krasniqi.
Gjithashtu shefi i PDK-së ka treguar se partia do t’i ketë katër nënkryetarë dhe një sekretar të ri partie.
“Sekretar i Përgjithshëm do të jetë Bajrush Xhemaili, nënkryetar, Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Enver Hoxhaj dhe Ramë Buja”, tha Krasniqi.
Kujtojmë që PDK bëri këtë hapë pikërisht para zgjedhjeve lokale që priten të ndodhin 17 tetor.
Krasniqi po vazhdon të shprehet që këto zgjedhje PDK do të arrijë të sjellë fitore duke rikthyer edhe besimin e qytetaëve.
Shahu: PDK po çlirohet pak nga pak nga një trashëgimi e kontestuar
Në lidhje me këtë temë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se ndryshimet që po bëhen nga PDK po arrinë të bind qytetarët që është një parti e fuqishme.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/10/auto_auto_rexhep-shehuu15450764731628576156.jpg)
Ai vazhdon tutje të thotë se PDK me reformat e reja po çlirohet nga trashëgimia e kontestuar qe shumë vite.
“Me ndryshimet e reja në drejtimin e PDK, kjo parti që konsiderohet parti e fuqishme si dhe LDK, parti traditë e jo forcë stinore politike po i bën vetes një shërbim të çmuar. Sepse ajo po çlirohet nga një trashëgimi e kontestuar apo e margjinalizuar me të drejtë e të padrejtë nga retorika këmbëngulëse e agresive të Vetëvendosjes e cila nuk ka lënë asken pa përgojuar, nuk ka lënë askënd pa i vu bisht”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thotë se PDK me emrat e rinjë që ka ftuar do ta rinojë veten dhe politikën do ta bëjë më energjike.
“Përceptimi është krijuar së mjaft komandanta e drejtues të PDK duheshin shmangur nga drejtimi i kësaj partie dhe kjo u arrit. PDK me emrat e rinj që ka ftuar do ta rinojë veten dhe politikën do ta bëjë më energjike. Kjo parti me të drejtë apo pa të drejtë mori me shume se LDK nga tapia e luftës, ndonëse pothuaj të gjithë ishin të LDK”, theksoi Shahu për “Bota sot”.
Mehazi: Ndryshimet në PDK të duhura pikërisht në zgjedhjet lokale
Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se PDK-ja ka pasur nevojë të freskoj anëtarët e ri nga kryesia qendrore.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/August/10/auto_auto_mehaz15951872881628576150.jpg)
Ai thotë se vetëm në këtë mënyrë duke sjellë ndryshime PDK mund ta sfidoj LVV-në dhe se zëvendësimi i kuadrove të vjetra me të reja do jetë freskuese jo vetëm për vetë partinë e PDK-së, por edhe për qytetarët e Kosovës.
“Ndryshimet kadrovike të Memli Krasniqit të PDK-së janë të mirëseardhura e për t'u përshendetur, pas humbjes e shkuarjes në opozitë, PDK-ja ka qenë e detyruar të freskohej me anëtarë të ri që nga kryesia qendrore, degët e nëndegët e saja. Vetëm në këtë menyrë PDK-ja mund ta sfidojë LVV-në e Albin Kurtit e kurrsesi me kuadrot e vjetëruar e të nominuar pronto, pa eleminimin e anëtarëve të pa autoritetshëm të prontos e pa ndryshime rrënjësore të kësaj partie, jo që nuk do mund të përballohej me LVV-në e Kurtit, por do ishte para zhdukjes. Zëvendësimi i kuadrove të vjetra me të reja do jetë freskuese jo vetëm për vetë partinë e PDK-së, por edhe për qytetarët e Kosovës të cilët do kenë oferta të reja me kryetar e anetarë te ri, ndoshta, jo gjatë zgjedhjeve lokale që do mbahen në vjeshtë, por gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me siguri. Po të krahasojmë me partinë tjetër opozitare të LDK-së se Abdixhikut, PDK-ja e Memli Krasniqit është duke bërë më shumë ndryshime partiake sesa LDK-ja Abdixhikut”, potencoi profesori.
Nga ana tjetër, analisti thotë se edhe partitë e tjera të opozitës duhet të fillojnë të bëjnë ndryshime në parti pasiqë ndryshe nuk mund ta sfidojnë Kurtin dhe normalisht ndryshimet në kuadrot e reja në opozitë mund të sjellin ndryshime në zgjedhjet lokale.
“Nga partitë opozitare që ende nuk është duke bërë ndryshime kadrovike ka mbetur vetëm AAK-ja e Haradinajt, do ishte mirë për votuesit, po edhe për vetë AAK-në që dhe kjo parti të zëvendësohej me anëtarë të rinj që nga numri një, Haradinaj, e teposhtë, kështu që me ndryshimet kadrovike opozita e Kosovës do sfidonte fuqishëm Albin Kurtin dhe Vjosa Osnanin. Do ishte shumë interesant sikur kuadrot e reja opozitare, Krasniqi-PDK e Abdixhiku-LDK së bashku t'i kundërviheshin Kurtit-LVV e Listës së Osmanit gjatë zgjedhjeve lokale e parlamentare”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.