I shpalli luftë Kosovës për Minierën e Trepçës, kërkohet të merren seriozisht kërcënimet e Aleksandër Vuçiqit

Politika

I shpalli luftë Kosovës për Minierën e Trepçës, kërkohet të merren seriozisht kërcënimet e Aleksandër Vuçiqit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 gusht 2021 Në ora: 13:21
Miniera e Trepçës

Nuk e kanë ndërmend të ndalen deklaratat kërcënuese të udhëheqësve të Serbisë ndaj Kosovës.

Këtë radhë, ishte presidenti Aleksandër Vuçiq që bëri një gjë të tillë.

Ai ditë më parë paralajmëroi se Serbia do të luftojë për Minierën e Trepçës.

“Serbët në Kosovë e dinë që do të jetë e vështirë çdo betejë për ruajtjen fizike të Termoelektranës në Zveçan apo Liqenit të Gazivodës, sikurse edhe Minierën e Trepçës, sikurse edhe minierat tjera të vogla, veçanërisht në Leposaviq”, ka thënë Vuçiq.

“Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të luftojmë sepse nuk ka tjetër alternativë. Ata [serbët] e dinë se jemi me ta dhe do t’i ndihmojmë në të gjitha mënyrat”.

Siç duket, shteti serb po e ka ende të vështirë ta ‘kapërdij’ faktin se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Me këto deklarata po nënkuptohet se Serbia ende nuk i ka marrë seriozisht bisedimet me Kosovën dhe se me çdo kusht po tenton ta ndajë atë, ose t’i marrë diçka nga pasuritë e saja.

Njohësit e çështjeve politike e juridike për gazetën “Bota sot” komentuan këto deklarata të Aleksandër Vuçiqit dhe treguan qëllimet e tyre.

Ata përmenden edhe bisedimet në Bruksel dhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare në këtë aspekt.

Qarri: Të merren seriozisht kërcënimet e Vuçiqit për Minierën e Trepçës

Image
Gani Qarri

 

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar deklaratën e presidentit serb lidhur me Minierën e Trepçës.

Sipas tij, përgjegjësitë më të mëdha për degjenerim të bisedimeve me Serbinë, i mbanë ish-presidenti Hashim Thaçi. Ai u shpreh se mbi 10 vite është dialoguar për çështje të brendshme të shtetit tonë, dhe jo për njohje të pavarësisë së Kosovës.

“Të gjitha fajet dhe përgjegjësitë më të rënda, për degjenerimin total të procesit të bisedimeve, të rënë në gjendjen e sotme katastrofale, ku Serbia edhe gati 23 vite pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serb, mbi 11 vite nga vulosja e pavarësisë së Kosovës me vendimin e GJND-së, dhe mbi 10 vite të dialogimit ende këmbëngul që të bisedohet, jo për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por për çështjet e brendshme të shtetit tonë të pavarur, i mbanë kryeuislingu Hashim Thaçi”, deklaroi Qarri.

Gjithashtu, analisti duke u bazuar në argumentet e përmendura më lartë, u shpreh se po të kishte Kosova një kryeprokuror të pa korruptuar, Hashim Thaçi me shokë, qysh moti do të ishin futur në burg për shitjen e interesave të vendit dhe tradhti të lartë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës.

“Krye kuislingu i të gjitha kohëve, i cili po të kishte Kosova vërtetë një kryeprokuror të licencuar nga jurisprudenca e Kosovës, që nuk mbanë kontakte dhe zhvillon bisedime edhe me agjentë të rrezikshëm rus, siç u dëshmua nga mediat vendore këto ditë, dhe kryeprokuror të katapultuar nga Klani PRONTO, të “licencuar” nga Serbia me diploma dhe provime fallco nga ish ministrat e “drejtësisë” së Millosheviqit, Hashim Thaçi me shokë, qysh moti do të ishin futur në burg për shitjen e interesave të vendit dhe tradhti të lartë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, Qarri tha se përmes fusnotës, Hashim Thaçi ia hapi rrugën Aleksandër Vuçiqit, që pas 11 vite bisedime të deklarojë publikisht se Serbia do të luftojë për Minierën e Trepçës.

“Ndaj pas vënies së fusnotës dhe shfuqizimit të statusit shtetëror të Kosovës, si dhe kthimit të saj de-facto në krahinë të Serbisë, nga Hashim Thaçi & Co, nga vet këta udhëheqës renegat të Kosovës i është hapur rruga presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili ishte edhe njëri nga ministrat më të rëndësishëm të Millosheviqit, që edhe sot pas gati 11 vite të negociatave, të mund të deklarojë publikisht se Serbia do të luftojë për Minierën e Trepçës, të zhvillojë “çdo betejë” për "ruajtjen" fizike të Termoelektranës në Zveçan dhe involvimit në Liqenin e Ujmanit, edhe pse të gjitha këto gjenden në brendësi të vendit tonë dhe janë resorët më jetik të Kosovës”, nënvizoi analisti.

Tutje, ai deklaroi se të gjitha këto Vuçiq po i bënë qëllimisht që të shkatërrojë shtetësinë e Kosovës, e ku këtu ka marrë ndihmë edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Po ashtu, Qarri tha se involvimi i shtetit serb në Kosovë përveç Minierës së Trepçës, po rrezikon edhe minierat tjera të vogla.

“Të gjitha këto, Vuçiqi i bënë me qëllim që përmes involvimit në resorset kryesore të vendit tonë, ta pamundësojë qëndrueshmërinë ekonomike dhe shkatërrojë shtetësinë e Kosovës, të cilit, ka disa vite që i ka dalë hapur në ndihmë edhe Edvin Kristaq Rama me projekte të rrezikshme për izolimin edhe nga jashtë të Kosovës, të ashtuquajtura, herë "mini-shengen" herë "mini-jugosllavi" e tani të kamufluar edhe si "Ballkan Open".

“Involvimet e Serbisë në Kosovë, e veçanërisht në Veri, ku edhe sot vazhdon kolonizimi i papenguar nga Serbia, përveç Minierës së Trepçës, rrezikon fort edhe minierat tjera të vogla, e veçanërisht ato në Leposaviq”, dhe flotacionin e mineraleve të gjigantit ekonomik Trepça, në Zveçan”, potencoi Qarri.

Në fund, analisti kërkoi që të merren seriozisht kërcënimet e presidentit serb, pasi strukturat ilegale dhe pushteti paralel i Serbisë, funksionon pothuajse në të gjitha qytetet kryesore.

Ndërsa, krahas kësaj, bëri apel që të shfuqizohen marrëveshjet dhe vendimet e dëmshme të nënshkruara nga Thaçi dhe Vuçiqi.

“Ndaj, kërcënimet e presidentit serb kriminelit Aleksandër Vuçiq, vërtetë duhet të merren shumë seriozisht, ngase strukturat ilegale dhe pushteti paralel i Serbisë, funksionon pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës dhe jo vetëm në veri, kështu që vetëm shfuqizimi i të gjitha marrëveshjeve dhe vendimeve të dëmshme, të lidhura nga kuislingut Hashim Thaçi me Serbinë, dhe kriminelin Aleksandër Vuçiqi, si dhe ngritja e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime lufte e gjenocid dhe shkatërrimin ekonomik të Kosovës kundër Serbisë okupatore, do ti parandalonte të gjitha këto rreziqe që paralajmërohen sot, si dhe të tjerat, të cilat mund të shfaqen nesër dhe në të ardhmen, për rrezikimin e tërësisë territoriale të vendit dhe shuarjes së shtetësisë së Kosovës”, përmbylli Gani Qarri.

Burjani: Ëndrrat e Vuçiqit kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Image
Blerim Burjani

 

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani tha se nuk duhet të merremi me presidentin serb.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se atë se çfarë po e kërkon Aleksandër Vuçiq, e ka humbur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe se pasuria iu takon qytetarëve të saj.

“Nuk duhet të merremi me Vuçiqin, pasi që atë që po e përmend Vuçiqi e ka humb me të drejtën ndërkombëtare, me shpalljen e pavarsisë së Kosovës e tërë pasuria e Kosovës iu takon qytetarëve të saj”, deklaroi ai.

Sipas Burjanit, kjo temë është e mbyllur dhe se këto janë vetëm ëndrra politike të Vuçiqit dhe qytetarëve tjerë të Serbisë.

“Pra kjo temë është mbyllur me të drejtën ndërkombëtare, ajo që ka nevojë është normalizimi i raporteve me Serbinë, këtu është fundi i këtyre ëndrrave serbe, pra ëndrrat e Vuçiqit dhe ëndrrat e e të tjerëve në Serbi nuk mund ti ndaloj sepse janë ëndrra politike, ëndrra nacionaliste, e tëra ka përfunduar”, theksoi juristi.

Tutje, ai tha se Serbia nëse dëshiron mund të i normalizojë marrëdhëniet, por këtë nuk po e synon dhe bashkësia ndërkombëtare nuk po investon në përmirësim të raporteve Kosovë-Serbi.

“Nëse Serbia dëshiron normalizim të marrëdhënieve kjo mund të ndodhë, nëse jo atëherë gjërat do të mbeten kështu si janë, bashkësia ndërkombëtare nuk ka investuar asgjë më, normalizim ia ka lënë palëve, palët dështojnë që dhjetë vite me arrit pra këtu mbetet fundi.

Njëherë pra s’ka rifillim të ri dhe normalizim edhe për një kohë të gjatë, sepse edhe bashkësia ndërkombëtare e do kështu të papërfunduar, sepse nuk ndërhyn t’iu imponojë palëve asgjë”, përfundoi Blerim Burjani, përcjell “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat