Vjen paralajmërimi për Kurtin dhe Osmanin: Po ngriten kurthe ndaj Kosovës, mos e bëni këtë gjë!

Politika

Vjen paralajmërimi për Kurtin dhe Osmanin: Po ngriten kurthe ndaj Kosovës, mos e bëni këtë gjë!

Nga: A.Morina Më: 10 gusht 2021 Në ora: 22:13
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama; foto ilustrim nga "Bota sot"

Vetëm, një ditë pas reagimit dhe kritikave të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev për mos përfshirjen e Kosovës në projektin e Ballkanit, ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Rama përmes një shkrimi në rrjetin e tij social Facebook ka reaguar ashpër ndaj shqiptarëve të Kosovës, pas kritikave dhe akuzave për afërsinë më presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Madje, siç duket kryeministri i Shqipërisë nuk u ndje shumë mirë nga cilësimet si ‘tradhtar’, sa bëri me dije se nuk e ka ndërmend të heq dorë nga projekti i “Ballkanit të Hapur”.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar reagimin e kryeministrit shqiptar, Edi Ramës kundër shqiptarëve të Kosovës dhe deklaratën e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev “se tre kombe bëjnë më shumë se një komb”.

Ai u shpreh se kjo deklaratë në fillim dukej sikur ta kishte shkruar Edi Rama, pasi loja e fjalëve në fakt i përket kryeministrit të Shqipërisë.

Image
Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi

“E lexova shkrimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Duket sikur e kishte shkruar Edi Rama. Por, ndryshe nga Rama, Zaev shfaqet më i rezervuar, “më paqësor“, “më skuth e më skile“, sesa dy partnerët e tij në Open Balkan. Loja e fjalëve i përket në fakt kryeministrit të Shqipërisë: “Tri kombe janë më shumë se një komb“! Mashtrim i pastër! Tri shtete e jo tri kombe e kanë formuar minishengenin dhe Open Balkanin. Dhe janë tri shtete të tjera që nuk e përkrahin atë. Është bërë e ditur se këtij projekti nuk i jep mbështetje as Berlini zyrtar, sepse e sheh atë si zëvendësim të procesit të Berlinit”, deklaroi ai.

Sipas Bytyçit, Zaev po duket se ka marrë rol në të mirë të Serbisë, ndërsa Rama po duket si i ‘paanshëm’, dmth midis shqiptarëve dhe serbëve.

“Nga ato që shkruan Zoran Zaev duket se ai ka marrë një rol grevëthyesi në rajonin tonë në favor të Serbisë. Ndërsa, Rama e përdor si “i paanshëm“, d.m.th si njeriu midis shqiptarëve dhe serbëve. Për pasojë kërkon t’i japë kredite deklaratave dhe këshillave të homologut të tij maqedonas. Në kushtet e konfliktit me Ramën dhe klasifikimin e këtij të fundit si koordinator i projekteve të Serbisë së Madhe, Zaev shitet si ndërmjetësues. Por sa i besueshëm është ai?”, shpjegoi profesori.

Mirëpo, Bytyçi nuk i mori seriozisht deklaratat e Zaevit, madje ai u shpreh se asnjë kryeministër i rajonit, përfshirë Brnabiqin, nuk është aq i dobët dhe aq qesharak sa ai.

“E para, Zaevin nuk e merr askush seriozisht në vendin që ai qeveris. Është për barsoletë. Madje edhe vetë Rama tallet përmes batutash me të dhe ai qesh, vetëm qesh! Mund ta quajmë edhe “Njeriu që qesh”! Dhe kështu do të vazhdojë derisa të bëhet më në fund qesharak. Së dyti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut nuk ka as tagër as performancën e një lideri që mund të bindë apo t’i imponohet dikujt. Aq më pak homologëve të tij në rajon. Asnjë kryeministër i rajonit, përfshirë Brnabiqin, nuk është aq i dobët dhe aq qesharak sa ai”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori u shpreh se presidenti serb i ka future nën çizmen fashiste të tij, Ramën, Zaevin dhe Ahmetin.

Krahas kësaj, ai tregoi se kush e detyroi Zaevin të hyjë në ‘klubin’ e Beogradit të serbo-shengenit.

“Shefi i ekzekutivit në Shkup është vënë nën urdhërat e Aleksandër Vuçiq që në momentin që ai vendosi të bëhet pjesë e minishengenit. Me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë ai mbështetet edhe nga Ali Ahmeti. Që do të thotë se Zaevi, Rama, Ahmeti janë nën çizmen e fashistit Aleksandër Vuçiq. Dy janë aktorët që e kanë detyruar Zaevin të hyjë në klubin e Beogradit të serbo-shengenit, njëri është Soros dhe njeriu i Sorosit në Ballkan, Edi Rama dhe tjetri është Ali Ahmeti, i cili i bën presion në koalicionin qeverisës”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, profesori tha se Zaevi po e ndjen vetën të kërcënuar nga Rama dhe Ahmeti, ku pastaj ai po përfshihet në lojën e diversionit kundër qeverisë së Kosovës

“Përballë këtyre dy aktorëve ai e ndjen veten të kërcënuar. Tani është në lojën e diversionit kundër qeverisë së Kosovës në radhë të parë, pavarësisht se ai përmend edhe Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Ndoshta ia thotë mendja se mund të luajë ndonjë rol edhe në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Bytyçi.

Profesori komentoi edhe deklaratën e Ramës lidhur me qëndrimet e tij karshi Kosovës.

Ku sipas tij, Rama po e luan rolin e ofensivës serbe, me bllokadën, forcën dhe arrogancën e tij ndaj kombit të vet.

“Duke i krahasuar pohimet e kryeministrit maqedonas në „Politika“ të Beogradit me deklarimet e sotme të Ramës në Twitter rreth qëndrimeve ndaj Kosovës, dalloj faktin se kemi të bëjmë me dy skalione të ofensivës serbe kundër Kosovës. Skalioni i arrogancës, forcës dhe bllokadës që Edi Rama i bën gjysmës së kombit të vet. Dhe skalioni i dytë i Zaevit, në mënyrë mashtruese, perfide e në rolin e skuthit”, potencoi ai.

Tutje, Bytyçi akuzoi Ramën se po punon me presidentin serb për një njohje të Serbisë të shtetit të Kosovës, pasi të jenë shkëputur prej saj Trepça dhe pasuritë e tjera në veri të vendit.

Skema është ngritur me shumë hile. Brenda deklaratës së Zaevit ka hile dhe intrigë. Por edhe te deklarata e sotme e Ramës ndodh e njëjta gjë. Ai thoshte sot se po kujdeset edhe për njohjen e Kosovës nga Serbia. Por ne e dimë se cila është ajo njohje për të cilën flet Edi Rama. Ai punon së bashku me presidentin e Serbisë për një njohje të Serbisë të shtetit të Kosovës, pasi të jenë shkëputur prej saj Trepça dhe pasuritë e tjera në veri të vendit. Pas kësaj Rama shpreson të bashkojë pjesën e mbetur të Kosovës me Shqipërinë dhe këtë ta bëjë me urdhrin e tij e jo përmes një procesi demokratik”, theksoi profesori.

Ndërsa, ai përmendi edhe mburrjen e Ramës, me kërkesën e tij në Beograd për njohjen e Kosovës. Profesori tregoi edhe prapaskenat e kësaj deklarate të kryeministrit shqiptar në kryeqytetin e Serbisë.

“Ka edhe një të përbashkët midis Zaev dhe Ramës. Zaev hiqet se është mik i Kosovës dhe i Albin Kurtit. Dhe këtë e përdor si kredit për ndërmjetësim dhe dhënien e mesazheve të Serbisë. Rama sot u mburr se ka kërkuar në Beograd njohjen e Kosovës nga ana e qeverisë serbe. D.m.th hiqet se e do shumë Kosovën. Por Aleksandër Vuçiq në takimin e fundit në Shkup tha se në vitin 2015 u „zumë me Edi Ramën për shkaqe të brendshme në vendet tona“! D.m.th rakorduan me njëri-tjetrin dhe inskenuan provokacijan e para 6 viteve me qëllim që të dy të rrisnin kapitalin politik në vendet e tyre, për Ramën bëhet fjalë kryesisht në Kosovë”, nënvizoi Bytyçi.

Krejt në fund, ai kërkoi nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani që t’i analizojnë këto deklarata të Ramës dhe Zaevit, pasi këta të fundit po fshehin diçka ‘mes rreshtave’.

Po ashtu, profesori paralajmëroi edhe disa kurthe të cilat po i përgatit Rama, në bashkëpunim me Zaevin dhe Vuçiqin.

“Kryeministri i Kosovës, presidentja dhe qeveria duhet t’i analizojnë këto zhvillime. Të lexojnë kuptimin e fjalëve midis rrjeshtave në deklaratat e Zaev e të Edi Ramës dhe të mos gënjehen nga ndonjë degë ulliri, apo tufë lulesh në duart e këtyre dy kryeministrave perversë! Duhet të parashikojnë se në të ardhmen klubit të Beogradit në përpjekjet e tij për ta krijuar Jugosllavinë e Re mund t’i bashkëngjitet edhe qeveria e Malit të Zi. Abazovic duket i lëkundur. Mesa duket Rama po e përpunon atë, po e fut në kurthin e tij. Kjo do të thotë se kurthe të tjera do të ngrihen kryesisht prej Edi Ramës, por edhe prej Zaevit e Vuçiqit. Prandaj nuk duhet të dorëzohen, edhe sikur të mbeten të vetëm. Gjithë lufta e këtyre minishengistëve apo të Open-ballkanistëve bëhet që Kosova të dorëzohet, të thotë “Ok, ne bëhemi pjesë e juaja”! Pastaj dinë ata vetë se si do ta menaxhojnë gjithë procesin kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës!”, përmbylli Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat