Ka gjashtë muaj që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti erdhi në pushtet. Ai erdhi në krye të Qeverisë së Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Për gjatë kësaj kohe, deri në javën e kaluar askush në Kosovë nuk i ka përmendur zgjedhjet parlamentare, përveç atyre lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Por, çështjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë e ka përmendur diplomati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James O’Brien. Ai këtë e bëri gjatë kohës kur ishte mysafir i debatit online të organizuar Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
-Ai gjatë këtij paneli foli për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohen nën mbikëqyrjen e Brukselit zyrtar.
“Mendoj se aktualisht është shndërruar në cirk të cilin secila palë e përdorë për nevoja të brendshme”, citohet të ketë thënë O’Brien.
Si rrjedhojë e kësaj çështje, nënkryetari i “Albright Stonebridge”, O’Brien ka folur mundësin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
“Me zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm në Serbi dhe më mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që po dëgjoj thashetheme, jam skeptik që do të ketë ndonjë rezultat. Unë sapo e nxora një thashetheme për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Nuk dua që dikush të mendoj se unë jam në dijeni për diçka, por kjo duket si mundësi”, ka deklaruar O’Brien gjatë panelit.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike në vend e kanë komentuar për “Bota sot” mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, por ata theksojnë se Qeveria Kurti do ta përfundojë mandatin e plotë katër vjeçar.
Mehazi: Qeveria e Kurtit mund të shpallë zgjedhje të parakohshme vetëm për shkak asociacioneve serbe
Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo nuk është rastësishme, pasi diplomati O`Brein mund të jetë i informuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Deklaratat e diplomatit amerikan, James O’Brien: "Se mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë", nuk janë të rastësishme pasi sado pak duhet të jetë i informuar për rrjedhat dhe proceset e mëtutjeshme të dialogut Kosovë - Serbinë, pasi luan rolin e raportuesit të Bundestagut gjerman për Ballkanin Perëndimor”, ka shpjeguar ai.
Gjithashtu, Mehazi ka treguar se cilat janë çështjet të cilat ka mundur t`i shoh diplomati amerikan në rastin e Kosovës, që mund ta çojnë vendin në zgjedhje.
“Diplomati James O’Brien, duke parë principet e parimet të palëkundura politike të kryeministrit te Kosoves, Albin Kurtit, ndaj dialogut me Serbinë, duka parë bindshmërinë qeverisëse të Kurtit kundër asociacioneve serbe. Duke e shpallur Serbinë shtet gjenocidial do vijë deri aty sa që shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, për shkak shtypjeve diplomatike nga ana e BE-se, për shkak kushteve toleruese të ndërkombëtarëve ndaj Serbisë e jo edhe ndaj Kosovës do të detyrohet të japë dorëheqje të parevokueshme për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare, sesa të pranonte në çmimin e dialogut me Serbinë”, ka vlerësuar profesori për “Bota sot”.
Më tej, ai ka përmendur se çfarë mund ta revoltojë kryeministrin Kurti në mënyrë që vendi të shpallë zgjedhje të mundshme.
“Pra, qeveria e Kurtit mund të shpallë zgjedhje të parakohshme vetëm për shkak asociacioneve serbe në Kosovë që do jetë e papranueshme për kryeministrin Kurti, asociacionet serbe të përkrahur nga BE-ja e SHBA-ja do ta revoltojnë Albin Kurtin për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.
Mehmeti: Qeveria Kurti do të mbetet në pushtet në mandatin e saj të plotë
Në anën tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se nuk e di se ku është mbështetur diplomati James O’Brien, por nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve.
“Nuk e di se ku është mbështetur z. O’Brien në këtë deklaratë të tij, natyrisht se kurrë nuk përjashtohet mundësia për një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Sipas Mehmetit, opozita e tanishme nuk mund të krijojë një qeveri të qëndrueshme si ajo që është nën udhëheqjen e Kurti
“Mirëpo, që nga paslufta Kosova nuk ka pasur qeveri më stabile se kjo, thënë ndryshe vështirë që opozita të mund të rrezoj këtë qeveri”, thekson ai.
Mehmeti ka treguar se në çfarë rasti mund të ndodhë rrëzimi i Qeverisë Kurti.
“Vetëm ndonjë vendim i gjykatës kushtetuese mund të rrëzojë qeverinë Kurti, deri tani nuk ka pasur ndonjë gjë që është serioze në këtë drejtim”, ka cilësuar Mehmeti.
Në fund, ai ka theksuar se qeveria Kurti do të mbetet në pushtet deri në përfundim të mandatit të saj të plotë.
“Kështu që, në optikën time nuk shoh rrezik që qeveria Kurti të bie, së paku në planin afatshkurtër, pastaj nuk dihet se çfarë mund të ndodhi, ndonjë skandal i rëndë, ndryshe qeveria Kurti do të mbetet në pushtet në mandatin e saj të plotë”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.