Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, vlerëson se zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe Kosovë do të ndikojnë në dialogun e Brukselit dhe se të dy udhëheqësit, Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, do të jenë shumë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre karshi votuesve deri në fund të zgjedhjeve.
Lidhur me këtë, analisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se zgjedhjet nuk do e ndryshojnë situatën, sepse qëllimi i Serbisë është Bosnjëzimi i Kosovës.
Bytyçi thekson se zgjidhja për këtë i mbetet Amerikës dhe BE-së, në të kundërtën do të jetë e pamundur arritja e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi dhe Kosovë, nuk do ta ndryshojnë qasjen e negociatave Kosovë- Serbi. Serbia nuk është e interesuar për një Marrëveshje paqësore të drejtë Kosovë - Serbi. Qëllimi i Serbisë është Bosnjëzimi i Kosovës, z. Kurti, një zgjidhje të tillë nga Serbia nuk do ta pranojë me as një kusht. I mbetet Amerikës dhe BE-së të ofrojnë një zgjidhje paqësore, të cilën do të detyrohen Serbia dhe Kosova për ta pranuar. Në të kundërtën edhe po të vazhdonin negociatat edhe 100 vite Kosovë - Serbi e kanë të pa mundur të arrijnë një Marrëveshje të drejtë dhe paqësore, për shkak të qëndrimeve hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë ndaj Kosovës”, deklaroi ai.