Me ardhjen e Qeverisë Kurti 2 në pushtet, po vlerësohet se ka ardhur edhe koha që Serbia të jap përgjegjësi për krimet e luftës në Kosovë.
Megjithatë, nuk po konsiderohet veprim i zgjuar refuzimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Kosovës.
Lidhur me këtë, njohësit e procesit të dialogut Prishtinë-Beograd kërkojnë nga Qeveria Kurti që të gjejë një zgjidhje kreative, në përputhje me Kushtetutën.
Sipas tyre në këtë mënyrë do të zgjidhej dhe ngërçi i bisedimeve në Bruksel dhe presioni do të binte mbi palën serbe, të cilës po i leverdisë kjo zvarritje e procesit të dialogut.
“Duhet të propozojnë një model të Asociacionit në mes të një Asociacioni me kompetenca të plota siç është paraparë në Bruksel dhe të një OJQ-së. Pra ndërmjet të qenit OJQ dhe Asociacion me kompetenca ekzekutive, ekziston një mes të cilin duhet ta propozojnë institucionet e Kosovës në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Shasha.
Tutje shtoi se ne duhet ta bëjmë këtë propozim edhe nëse nuk do i pëlqejë Serbisë.
“Këtu e kemi barrën ne të bëjmë këtë propozim, pastaj mund edhe mos t’i pëlqej Serbisë, është në të drejtën e saj mos të pajtohet. Por topi duhet të hidhet në anën tjetër. Ne duhet të bëjmë këtë propozim në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thotë Demush Shasha, drejtor i institutit EPIK.
Analistët kanë treguar për gazetën “Bota sot” pritjet e tyre për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa konsiderojnë se kryeministri nuk ka pse t`i ikë dialogut me Serbinë.
“Qeveria t’i marrë seriozisht kërcënimet serbe”
Analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar sa herë që bëhen publike aferat kriminale, udhëheqësit e partive opozitare nxisin tema, ndaj të cilave Qeveria e ka shprehur qëndrimin shtetëror të Kosovës.
“Çuditërisht sa herë bëhen publike afera të shkallës së madhe korruptive dhe kriminale të figurave të larta juridike e institucionale të emëruara nga ish pushtetarët e kriminalizuar, që kanë lidhje të ngushta me personat e involvuar në afera dhe akte të krimit të organizuar, siç ndodhi ditëve të fundit me vet kryeprokurorin dhe gjyqtar e udhëheqës të lart institucionesh juridike të Kosovës, udhëheqësit e partive të inkriminuara opozitare nxitin dhe lansojnë tema, për të cilat Qeveria e re ka dhënë mendimin dhe shprehur qëndrimin shtetëror të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Tutje, ai ka shtuar se në vend të një asociacioni kundërshtues të nënshkruar në mënyrë kundërligjore, Kurti ka dalë me propozime konkrete, pra me formimin e këshillit nacional serb.
“Madje kryeministri, për ata që kanë veshë dhe duan të dëgjojnë, ka dalë edhe me propozime konkrete, siç është formimi i këshillit nacional serb, ngjashëm me këshillin nacional të shqiptarëve nën Serbi, edhe për minoritetin serb në Kosovë, në vend të një asociacioni kundër-kushtetues dhe ngrehinave tjera të rrezikshme serbe, të nënshkruara në mënyrë kundërligjore nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, të cilat do ta bosnjizonin vendin tonë, kërcënonin tërësinë territoriale dhe minonin vijimësinë e shtetit të Kosovës. Për aq më tepër unë dhe habitem shumë se cilët janë ata njohës aq të aftë e të plot-pushtetshëm që u rrinë kaq gati grishjeve të krimit të organizuar për tu hedhur në aksion kundër vendit të vet, siç bëjnë disa të ashtuquajtur "analistë", të cilët krahasuar me analistët e njëmendtë të shteteve të perëndimit, nuk janë asgjë më shumë se sa sharlatan të pështirë prepotent dhe shërbëtor të përulur të politikanëve të inkriminuar, prej të cilëve ende ushqehen”, shtoi Qarri.
Më tej, Qarri ka potencuar se nuk do të thotë se ka ndodhë “bllokimi i dialogut”, nëse Kurti ka ndërprerë pazaret me tokat e Kosovës.
Sipas tij, tani ka filluar të vendoset dialogu në binarë.
“Kurse sa i takon dialogut, nëse kryeministri i ri i vendit, ka ndërpre pazaret me tokat e shtetit tonë dhe ka ndaluar aferat e pagesave me qindra mijëra euro të taksapaguesve të varfër, për ndarjen e Kosovës, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë, se paska ndodhë edhe "bllokimi i dialogut" siç mundohet ta shes politika e inkriminuar, e cila ka dëshmitarë mbi 2 milion qytetarë në vend, në diasporë, se Kosovën e pavarur, e ka kthyer në krahinë të Serbisë dhe u ka falur dhjetëra mijëra hektar tokë Malit të Zi dhe FYROM-it, vetëm për të shpëtuar veten dhe qëndruar pafundësisht në pushtet. Në realitet dialogu i mirëfilltë dhe në pozita të barabarta negocuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, sapo ka filluar të vendoset në binarë, gjë që nuk ishte për dhjet vite me radhë, ngase Hashim Thaçi, para se të fillonte bisedimet me Serbinë, për hire të Aleksandër Vuçiqit, i vendosi edhe fusnotën shtetit të vet, ktheu Kosovën në krahinë të Serbisë duke e bërë vend me status të papërcaktuar”, tha ai.
Qarri: Nuk ka ngërç në bisedime
Qarri më tej ka shtuar se, Vuçiq së fundmi ka dëshmuar hapur qëllimin për ta okupuar prapë Kosovën, pra nga mos pranimi për nënshkrimin e marrëveshjes paqësore.
Ai gjithashtu, thekson se pas dy takimeve të mbajtura, thuhet se janë caktuar edhe datat për takimin e radhës dhe sipas tij, nuk ka asnjë ngërç në bisedime.
“Kështu që Vuçiqi as tani, nuk pranoi kërkesën e kryeministrit Kurti për nënshkrimin e një marrëveshjeje paqësore, ku Serbia do ta dëshmonte, se nuk do ta sulmojë Kosovën, akt agresiv ka, me të cilin Vuçiqi dëshmon hapur tendencën e Serbisë për ta ri okupuar përsëri vendin tonë. Ndaj sa i takon dialogut, ai jo vetëm që nuk është ndërprerë as bllokuar por edhe janë mbajtur dy takime të niveleve më të larta shtetërore si dhe është caktuar edhe takimi i tretë Kosovë Serbi, për vazhdimin e bisedimeve, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së, në Bruksel, madje thuhet se janë caktuar edhe datat e përafërta kur parashihet të mbahen edhe takimet e radhës dhe nuk ka asnjë ngërç në bisedime”, ka potencuar ai”, tha ai.
Sipas Qarrit, ajo që e brengos opozitën është se me ardhjen e Qeverisë Kurti, ka ardhur koha që Serbia të jap përgjegjësi për krimet e luftës, dhe Vuçiq t`i kthejë trupat e pagjetur.
“Por ajo që vërtetë brengosë opozitën e inkriminuar e cila e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje, është fakti se me ardhjen e Qeverisë së re të Kosovës në pushtet, ka ardhur edhe koha që Serbia si shtet okupator dhe vet krimineli Vuçiq, si ministër i Millosheviqit, përfundimisht të japin përgjegjësi për krimet e luftës dhe gjenocidin e shkaktuar ndaj shqiptarëve, si dhe shkatërrimin e tërësishëm ekonomik të Kosovës,të kryera gjatë viteve të luftës të cilat Hashim Thaçi me shokë propagandonin çdo ditë, që t’i faleshin të gjitha Serbisë. Sot është momenti vendimtar, që krimineli Vuçiq t’i kthej përfundimisht edhe trupat e vdekur të shqiptarëve të cilët për më tepër se 22 vite pas dëbimit të Serbisë nga Kosova, ai personalisht, i mbanë si pengje lufte, mbi 1632 të vrarë e të kidnapuar, i cili ka obligim ndërkombëtar që tu shpjegoj familjeve shqiptare, Kosovës dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara mënyrat e vdekjes së tyre, duke lejuar dhe një hetim ndërkombëtar mbi fatin e organeve njerëzore të shqiptarëve të rinj të kidnapuar me forcë nga Serbia Okupatore, të cilat mund të jenë keqpërdorur nga Serbia fashiste dhe bërë biznese me aleatët e saj rus”, ka shtuar Qarri.
Tutje ka theksuar se Qeveria duhet të ketë kujdes ndaj kërcënimeve serbe. Madje sipas Qarrit, Qeveria dhe Kuvendi duhet të bëjnë shfuqizimin e marrëveshjeve të dëmshme të lidhura nga Thaçi me Serbinë .
Sipas tij, e vetmja mënyrë për parandalimin e të gjitha rreziqeve është që t’i vë para drejtësisë të gjithë fajtorët.
“Kështu që Qeveria dhe legjislatura e re e Kosovës, para se të merret me “pallavrat” e opozitës së inkriminuar, duhet të kujdeset dhe marrë seriozisht kërcënimet e presidentit serb kriminelit Aleksandër Vuçiq, kundër vendit tonë, ngase strukturat ilegale dhe pushteti paralel i Serbisë, funksionon pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës dhe jo vetëm në veri. Për ta shpëtuar Kosovën nga barra e stër ngarkimet e politikës së kriminalizuar dhe renegatëve të vendit, Qeveria dhe Kuvendi, duhet ta bëjë shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të dëmshme, të lidhura nga kuislingut Hashim Thaçi me Serbinë, dhe kriminelin Aleksandër Vuçiqi, në kurriz të Kosovës, të ngrejë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime lufte e gjenocid dhe shkatërrimin ekonomik të Kosovës kundër Serbisë okupatore, si dhe t’i vejë para drejtësisë të gjithë fajtorët, si e vetmja mënyrë për parandalimin e të gjitha rreziqeve që paralajmërohen sot dhe të tjerat, të cilat mund të shfaqen nesër e në të ardhmen, për bosnjëzimin e vendit, kërcënimin e tërësisë territoriale dhe shuarjes së shtetësisë së Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
“Kurti të gjejë zgjidhje në interes të Kosovës”
Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka potencuar se Kurti duhet të gjejë një zgjidhje, por të mos e cenoj kushtetutën. Ai thotë se nuk ka arsye për të ikur nga bisedimet, sepse Kosova i ka mundësitë për të treguar se Serbia për qëllimet e saj po i përdor bisedimet.
Mehmeti thekson tutje se Kosova duhet të ketë agjendë dhe vendosmëri, në mënyrë që të mos ik nga bisedimet, sepse përndryshe do të dalim të humbur.
“Patjetër se Kurti duhet të gjejë një zgjidhje që edhe do të kënaqte interesat e Kosovës për mos cenim të kushtetutës dhe sovranitet të vendit, dhe në anën tjetër nuk do të dilte fajtore para botës për mos gatishmëri që të ketë bisedime me Serbinë. Kosova nuk ka arsye të ik nga bisedimet, ajo është viktima, por duhet të ketë një platformë të qartë për të mos prekur interesat e saj. Kosova i ka të gjitha mundësitë për të treguar të vërtetën se Serbia është ajo që bisedimet po i përdor për të arritur qëllimet e saj sepratiste për ndarje të vendit tonë në koloni. Këtë gjë nuk e lejon Kosova dhe as SHBA që e ka njohur Kosovën në kufijtë ekzistues. Në këtë aspekt, Kosova nuk ka arsye fare të ik nga bisedimet, por duhet të ketë agjendë të qartë, ndryshe pa asnjë agjendë dhe vendosmëri do të dalim të humbur”, ka deklaruar Mehmeti.