Përplasja/ Edi Rama sulmon Kosovën – BE tallet me kryeministrin shqiptar

Politika

Përplasja/ Edi Rama sulmon Kosovën – BE tallet me kryeministrin shqiptar

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 13 gusht 2021 Në ora: 10:33
Edi Rama, Albin Kurti

Mishengeni Ballkani i ishte pikënisja e prishjes së raporteve ndërmjet liderëve të Kosovës me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Edhe pse në fund të muajit qershor Mishengeni e ndërroi emrin në “Ballkani i Hapur”, as kjo nuk e bindi elitën politike në Kosovë të t`i ndryshojë qëndrimet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe liderët e partive politike në vend, vazhdimisht po e kundërshtojnë këtë iniciativë bashkëpunuese rajonale.

Vetëm gjatë kësaj jave, kryeministri Rama radhazi ka sulmuar liderët e Kosovës rreth çështjes së “Ballkanit të hapur.

Ai këtë e ka bërë përmes reagimeve në rrjetet e tij sociale.

“Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve "nuk u han luli" për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan.

Dhe së fundi, kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t'i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë. Por ama askush në Kosovë a në Shqipëri qoftë, të mos presë assesi që unë dhe shumica e re qeverisëse e Shqipërisë, të heqim dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur - përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me "lulin" e kinse patriotizmit digjital”, ka shkruar Rama në njërin nga postimit e tij në rrjetet sociale.

Kurse, njohësit të çështjeve politike, i kanë komentuar këto veprime të Ramës.

“Ego e sëmurë e zotit Rama”

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se me çfarë ka të bëjë dominimi i Ramës në Ballkan.

Image
Hidajet Ahmeti

“Ego e sëmurë e zotit Rama për të dominuar në Ballkan si lider ka të bëjë me personalitetin e tij”, ka vlerësuar ai.

Ai ka treguar se për çfarë i konvenon Serbisë "Ballkani i hapur" dhe për çfarë është i vetëdijshëm këtij të fundit.

“Projekti i ashtuquajtur "Ballkani i hapur" në esencë është diçka që më së shumti i konvenon Serbisë e jo shteteve tjera, pasi janë të vetëdijshëm për fuqinë ekonomike dhe politike të Serbisë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Ahmetit, kryeministri shqiptar duhet të jetë më racional në konceptin e politikes se jashtme.

“Kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë më racional në konceptin e politikës së jashtme, pasi rrugëtimi i shtetit shqiptar pa Kosovës është zbrazet dhe i vështirë për të arritur fuqizimin në politiken e jashtme”, ka cilërsuar ai.

Më tej, Ahmeti ka treguar se çfarë mesazhi japin veprimet e kryeministrit Rama karshi liderëve të Kosovës.

“Të gjitha veprimet e zotit Rama na japin një mesazh të qartë për tendencën e dominimit dhe injorimit të zyrtareve të lartë të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”.

Bytyçi: Rama është kundër Kosovës

Në anën tjetër, opinionisti Adem Bytyçi, një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se Rama është kundër interesave të Kosovës.

Image
Adem Bytyçi

“Përderisa Open Ballkan është kundër interesave të Kosovës e në favor të interesave të shtetit serb, nuk ka si mos të jetë kundër interesave të Kosovës edhe vetë Edi Rama, Kryeministri aktual i Shqipërisë, vëllai i Presidentit aktual të Serbisë Aleksandër Vuqiqit, bashkëpunëtorit të Millosheviqit”, ka thënë ai.

Po ashtu, Ademi ka shtuar se niveli i lartë i injorancës të jep të drejtën për të kuptuar se Rama është kundër Kosovës.

“Edhe sikur nuk do ta kishte ndërmend Edi Rama, të ishte kundër Kosovës, sjelljet e tij të papërgjegjshme dhe niveli i lartë i injorancës të jep të drejtën për të kuptuar se Edi Rama, Kryeministri aktual i Shqipërisë është kundër Kosovës”., ka theksuar ai.

Sipas tij, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk kanë rëndësi për Bashkimin Evropian.

“Gjermania dhe BE-ja, nuk kanë si mos ta "përkrahin "një budallki  të tri shteteve, të cilat nuk e kanë as një rëndësi sa i përket BE-së”, ka vlërësua ai.

Gjithashtu, Ademi ka shtuar se BE-ja po tallet me Ramën, sa i përket çështjes së “Ballkanit të Hapur”

“BE- ja më shumë tallet se sa e ka seriozisht me Edi Ramen, i cili edhe kur flenë e akuzon BE-në, pse nuk e ka pranuar Shqipërinë në Bashkimin Europian”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka treguar se çfarë për çfarë çështje nuk ia vlen të  diskutohet sa i përket Ramës  dhe Vuçiçit.

“Tani, është shkruar dhe falur shumë për miqësinë e Edi Rames me Vuqiçin e Serbisë, tanimë nuk ia vlen të diskutohet edhe më shumë për formulat e miqësisë të Kryeministrit aktual të Shqipërisë, Edi Ramës me Presidentin aktual Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe qëndrimin e Edi Ramës ndaj Kosovës, unë mendoj se kësaj teme i ka ardhur fundi”, ka përfunduar Ademi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat