Edhe pse vaksinimi është duke vazhduar, si në shumë vende të rajonit ashtu edhe në Kosovë ka filluar prapë rritja e rasteve me CoVID-19, për shkak të qarkullimit të variantit Delta.
Të premten në Kosovë u regjistrua numri më i lartë i të prekurve nga COVID-19, me gjithsej 1 mijë e 128 të prekur dhe tre të vdekur nga pasojat e kësaj sëmundjeje. Kjo ishte shifra më e lartë e rasteve që u shënua përgjatë vitit 2021.
Pjesa më e madhe e rasteve të reja janë të prekur me variantin Delta të Koronavirusit që sipas ekspertëve shëndetësor karakterizohet me shpejtësi më të madhe të përhapjes.
Ministria e Shëndetësisë, vendosi disa masa të reja në luftën kundër pandemisë së Koronavirusit, siç është bartja e maskës dhe ndalimi i hyrjes pa certifikatë vaksinimi në vende ku grumbullohen më shumë se 100 persona.
Përveç këtyre masave, është paralajmëruar edhe për mbyllje të sërishme në muajin shtator.
Lidhur me atë se përveç mbylljes a mund të ketë strategji tjetër, për gazetën “Bota sot”, kanë folur deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga pozita e opozita.
“Vaksinimi me rëndësi të madhe”
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Avdyli, ka potencuar se vaksinimi dhe respektimi i masave janë masat më të mira mbrojtëse ndaj CoVID-19.
“Vaksinimi masiv dhe respektimi i masave të distancimit, mbajtja e maskës dhe higjienës mbeten masat më të mira për mbrojtjen nga Covid. Me vaksinim ne mbrojmë qytetarët nga pasojat që jep infektimi në mushkëri, me ç’rast zvogëlohen hospitalizimet dhe vdekjet. Kurse, parandalimet e rasteve të reja më shumë i bëjmë me respektim të masave mbrojtëse si maskat, distancimi dhe higjiena”, u shpreh Avdyli.
Për këtë arsye, sipas tij, ka rëndësi vaksinimi, sepse kështu zvogëlohet nevoja për trajtim hospitalor.
“Prandaj ka rëndësi shumë vaksinimi masiv, sepse kjo zvogëlon nevojën për trajtim hospitalor dhe nuk ngarkon sistemin tonë shëndetësor. Sepse ky virus jo zakonshëm karakterizohet me pneumoni e dëmtime pulmonare si asnjë më parë, e vaksinimi krijon imunitet që edhe nëse merret pasqyra klinike e saj është e lehtë duke perngjarë në ftohje të zakonshme sezonale. Vaksinimi shpëton jetë, prandaj askush nuk duhet hezituar asnjë ditë për tu vaksinuar”, ka përfunduar Haxhi Avdyli për gazetën “Bota sot”.
“Mos sigurimi i mjeteve buxhetore për mbështetjen e mjekëve ka dërguar në dështim”
Ndërsa, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se arsyeja që sot janë më pak se 10% të vaksinuar me dy dozat, është sepse ka dështuar Qeveria në menaxhimin e pandemisë.
Haxhiu shton se Qeveria ka dështuar edhe për arsye se nuk i përgjigjet kërkesave, madje ndërpres vaksinimin të shtunave dhe të dielave, por edhe në administrim të procesit të vaksinimit.
“Qeveria ka dështuar në menaxhim të pandemisë COVID-19, ka dështuar në planifikim dhe administrim të procesit të vaksinimit. Prandaj sot janë më pak se 10% të vaksinuar me dy dozat për të pasur mbrojtje të plotë. Planifikimi që 60% të vaksinohen deri në fund vit ishte gabim në planifikim i pa analizuar në raport me situatën në të cilën ndodhemi ne dhe bota nga rreziku i variantit Delta të COVID-19. Qeveria ka dështuar të realizoj vaksinimin masiv, nuk i përgjigjet kërkesave për vaksinim dhe ndërpret vaksinim të shtunave dhe të dielave. Qeveria ka dështuar në sigurim të vaksinave me kohë dhe ka dështuar në administrim të procesit të vaksinimit andaj ndodhemi në situatë ku qytetarët as nuk mund të caktojnë terminet për vaksinim”, tha ai.
Më tej, Haxhiu ka potencuar se deri te dështimi i Qeverisë në procesit të vaksinimit ka ardhur nga mos mbështetja e profesionistëve shëndetësor, për luftimin e pandemisë.
Ai thotë se prioritet për Qeverinë nuk ka qenë lufta kundër pandemisë, por punësimet familjare në institucione profesionale.
“Qeveria nuk ka mbështetur profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës, inspektoratin dhe policinë të cilët janë zbatuesit e çdo strategji për luftim të pandemisë COVID-19. Qeveria nuk e ka pasur prioritet luftën kundër pandemisë COVID-19, por punësimet familjare dhe politike në institucionet profesionale dhe të pavarura duke shpenzuar me mijëra euro në mëditje të zyrtarëve qeveritar të LVV që janë caktuar në 6-7 komisione e grupe punuese në MSH. Derisa nuk ka siguruar mjetet buxhetore për mbështetjen të mjekëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë. Krejt këto kanë dërguar në dështim të Qeverisë në proces të vaksinimit të qytetarëve të Kosovës’, ka shtuar Haxhiu.
Kujtojmë se, Ministria e Shëndetësisë, të enjten më 12 gusht, vendosi disa masa të reja në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Me masat e reja, nga data 20 gusht deri më 10 shtator, kërkohet dëshmi për vaksinim kundër COVID-19, në mënyrë që të jetë e mundshme për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje të tjera familjare me mbi 100 persona.
Të pa-vaksinuarit obligohen që të prezantojnë test negativ, jo më i vjetër se 72 orë, test antigjen jo më të vjetër se 48 orë, ose dëshmi për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve të fundit.