Projekti “Ballkani i Hapur” ka nxitur reagime të mëdha në Kosovë. Ajo çfarë bëri të reagohej më së shumti, ishte afërsia e madhe e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Rama ishte në qendër të kritikave për shkak të mbështetjes ndaj politikave serbe.
Përmes një postimi në Facebook, ai shprehu mllefin ndaj kritikuesve të tij.
“Kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë në luftën diplomatike për njohjen nga Serbia, pushka top le t'i bëhet, e ka të gjithë bekimin tim të nxjerrë krejt gjuhën jashtë”, shkroi në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Ky reagim i vuri në pah edhe më shumë tensionet në mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht skenës politike në të dyja vendet.
Analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” e kritikuan qasjen e Ramës ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Madje, u kërkua edhe një takim urgjent ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama.
Kelmendi: Deklaratat e Ramës ndaj shqiptarëve të Kosovës fëmijërore dhe ofenduese
Për profesorin Muhamet Kelmendi, raportet Prishtinë-Tiranë janë në gjendjen më të rëndë në 30 vitet e fundit.
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” këto raporte ndërmjet dy shteteve shqiptare, i cilësoi si të papranueshme dhe kërkoi menjëherë unitet në të gjitha fushat.
Po ashtu, Kelmendi e përkrahi qëndrimin e Kosovës kundër “Ballkanit të Hapur” dhe e kritikoi Shqipërinë për mbështetje të Serbisë.
“Nuk është fare mirë që raportet midis Prishtinës dhe Tiranës janë acaruar dhe janë në një gjendje të rëndë, ndoshta më e rënda në 30 vitet e fundit.
Është i papranueshëm ky konflikt në mes Tiranës dhe Prishtinës, kërkohet të ndërtohen raporte të mira, me qëndrime të njëjta politike, ekonomike etj. Në shumë fusha ka unitet, mirëpo, ka ikur kjo në çështjen e "Ballkanit te Hapur". Kjo për faktin se Prishtina, me të drejtë, nuk e dëshiron këtë marrëveshje ku është edhe Serbia pa e njohur shtetin e Kosovës, si dhe pa dhënë përgjegjësi për krimet dhe gjenocidin serb. Dëmet janë të mëdha”, deklaroi ai.
Në vazhdim, profesori deklaratat e kryeministrit Edi Rama kundër shqiptarëve të Kosovës i cilësoi si shumë ofenduese, të cilat nuk i kanë hije një kryeministri shqiptar.
Ai kërkoi që Rama ta analizojë pozitën e tij në raport me Kosovën dhe Serbinë.
“Mbi këtë është krijuar ky raport i acaruar dhe kështu doli deklarata e Ramës në formën e tillë, tipike fëmijërore, e ku nuk i ka hije një kryeministri. Natyrisht se shkrimet në faqen e Ramës kanë qenë shumë ofenduese. Aty nuk janë edhe faktet pse Kosova është kundër, por është akuzuar në forma të ndryshme. Kjo e detyroi atë në një deklaratë tipike fëmijërore.
Z. Rama duhet të analizojë pozitën e vet në raport me Kosovën dhe me shtetin serb. Ndërsa, kosovarët duhet të ikin nga ofendimet jo njerëzore ndaj personalitetit të Ramës etj. Le të kritikojnë, por me fakte, pa ofenduar, sharë e mallkuar, kjo nuk është më njerëzore”, theksoi profesori.
Tutje, Kelmendi u shpreh se gjëja më e mirë është që Tirana për një kohë ta pezullojë projektin e “Ballkanit të Hapur”. Dhe, krahas kësaj ai kërkoi një takim urgjent ndërmjet kryeministrave shqiptar, Albin Kurti dhe Edi Rama.
“Është mirë që nga Tirana të shpallet marrëveshja trepalëshe për "Ballkanin e Hapur" për një kohë të pacaktuar jashtë veprimit dhe efektit të vetë juridik.
Shqipërisë nuk i duhen marrëveshjet me Serbinë, kur i shkatërron raportet me Kosovën, kjo nuk është normale. Tirana dhe Prishtina kërkohet të ndalin akuzat e ndërsjella. Z.Rama dhe z.Kurti duhet urgjentisht të takohen dhe të gjitha çështjet t’i shtrojnë në tavolinë për diskutim e vendosje”, nënvizoi ai.
Në fund, profesori potencoi se sa më shumë të zgjatet konflikti, aq më shumë thellohen mosmarrëveshjet në mes shqiptarëve.
Andaj, ai kërkoi që shqiptarët t’i bëjnë bashkë forcat e tyre kundër Serbisë.
“Sa më shumë që zgjatet heshtja apo konflikti, aq më shumë thellohen mosmarrëveshjet dhe konfliktet marrin përmasa të gjera. Kjo nuk i shërben as Kosovës dhe as Shqipërisë, ajo i shkon në favor të shtetit serb dhe të pikëpamjeve serbomadhe në Ballkan.
Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë ngushtë dhe në çdo fushë. Nesër ikin forcat e NATO-së nga Kosova, mbetet vetëmbrojtja, e këtu duhen mjete dhe bashkim i forcave. Shqiptarët duhet të marrin mësim nga gjendja në Afganistan dhe të ikin nga konfliktet dhe të jenë unik në çështje”, përmbylli Muhamet Kelmendi, përcjell “Bota sot”.
Mehazi: Marrëdhëniet Rama-Vuçiq po e dobësojnë Shqipërinë e Kosovën
Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi deklaratat e Ramës kundër shqiptarëve të Kosovës, pas kritikave për afërsinë me presidentin serb Vuçiq.
Mehazi kërkoi nga Edi Rama që njëherë ta bëjë të fortë Shqipërinë, pastaj të merret me Kosovën.
“Shoku i ngushtë i Vuçiqit, Edi Rama thotë: "Pushka top le t’i bëhet kush në Kosovë mendon se duke më sharë e mallkuar mua e bën Kosovën më të fortë".
Së pari le tа bëjë Edi Rama Shqipërinë të fortë, tre mandate në krye të qeverisë e kurrë nuk e forcoi Shqipërinë në BE, sa për Kosovën, aty është Albin Kurti i cili jo që do ta bëjë Kosovën të fortë, por do ia kalojë edhe Shqipërisë”, deklaroi ai.
Në vazhdim, profesori bëri një krahasim ndërmjet Kurtit dhe Ramës. Ku ndër të tjera, ai u shpreh se kryeministri i Kosovës është gjeneratë e krijimit të shtetit, ndërsa Rama është politikan i shitjes së Shqipërisë tek Vuçiqi i Serbisë.
“Albin Kurti politikisht është gjeneratë e krijimit të shtetit të Kosovës së bashku me UÇK-në, NATO-n, SHBA-në e BE-në dhe mbron fuqishëm Kosovën nga Vuçiqi i Serbisë, kurse Edi Rama është politikan i shitjes apo dorëzimit të Shqipërisë te Vuçiqi i Serbisë me Ballkanin e Hapur. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti një centimetër tokë nuk i jep Serbisë as nuk lejon asociacionet serbe sipas qejfit të Vuçiqit, kurse kryeministri i Shqipërisë jo që ia jep Jonin Greqisë, por edhe Adriatikun Serbisë”, deklaroi Mehazi.
Gjithashtu, ai e vlerësoi mënyrën se si Kurti po e mbron Kosovën, nga politikat e Serbisë. Kurse, kritikoi Ramën për përkrahjen e politikave të Vuçiqit.
“Albin Kurti e mbron në mënyrë fanatike Kosovën nga gjenocidet serbe, kurse Edi Rama përkrahë Serbinë për gjenocidet serbe në Kosovë. Veprimet politike kundër Serbisë së Vuçiqit të Albin Kurtit gëzojnë shqiptarët në botë, kurse veprimet politike të Edi Ramës në përkrahje të Serbisë së Vuçiqit pikëllojnë gjithë shqiptarët anë e kënd botës”, nënvizoi profesori.
Krejt në fund, Mehazi tha se Rama po e dobëson Shqipërinë dhe Kosovën me afërsinë e tij me Vuçiqin.
“Edi Rama duke u lidhur me Vuçiqin jo që dobëson Shqipërinë, por edhe Kosovën, Albin Kurti duke kundërshtuar Vuçiqin jo që i jep forcë Kosovës, por edhe Shqipërisë që me anë të principeve politike gëzon autoritetin e krenarisë shtetërore të Republikës se Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi./BS